Pretendimi: Joe Biden, Kamala Harris apo zyrtarë të tjerë amerikanë janë arrestuar fshehtas
Verdikti: I pavërtetë
Grupe të lidhura me lëvizjen MAGA promovojnë prej vitesh tashmë pretendimin se udhëheqësit kryesorë në ShBA janë arrestuar dhe vendin e tyre e kanë zënë aktorë të kontrolluar. Me zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale, tashmë këto pretendime janë bërë edhe më realiste. Foto të zyrtarëve të njohur amerikanë të veshur me uniformën e të burgosurve, përfshirë presidentin Joe Biden, ish-sekretaren e Shtetit Hillary Clinton dhe zv.presidenten Kamala Harris, ndahen së fundi në rrjetet sociale.
Duke verifikuar në rrjet zbulojmë se kjo video që në përmbajtje kishte fotot e zyrtarëve amerikanë, u shpërnda fillimisht nga një profil në rrjetin social TikTok. Imazhe të shkëputura nga kjo video u përmblodhën më pas në një foto që po bën xhiron e rrjetit.
Kush janë zyrtarët në foto?
Joe Biden, presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, është një nga liderët më me ndikim në botë që nga zgjedhja e tij në vitin 2020.
Hillary Clinton, ish-sekretare e Shtetit dhe kandidate për presidente në vitin 2016, vazhdon të jetë një figurë e rëndësishme në politikën amerikane, edhe pse aktualisht nuk mban një post publik, dhe akuzat për burgosjen e saj janë pjesë e teorive të konspiracionit pa asnjë provë reale.
Kamala Harris, zëvendëspresidentja e SHBA-së është aktualisht kandidatja kryesore nga sondazhet për t’u zgjedhur ‘si pasardhëse e Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Ajo mudn të jetë edhe shkaku kryesor i rikthimit të konspiracionit se udhëheqësit amerikanë janë “kukulla të kontrolluara”.
Si e dallojmë që fotot janë gjeneruar me Inteligjencë Artificiale?
Fotografitë në fjalë janë gjeneruar duke përdorur teknologjinë e inteligjencës artificiale. Këto rrjete janë të afta të krijojnë imazhe që duken tepër reale për një publik të gjerë.
Edhe pse në shikim të parë këto imazhe mund të duken të vërteta, një analizë më e kujdesshme zbulon detaje që tregojnë natyrën e tyre të falsifikuar.
Për shembull, ndriçimi në të gjitha fotot është i dobët dhe i ngjashëm, duke krijuar një uniformitet jo natyral në imazhet e personave të ndryshëm. Të gjithë zyrtarët shfaqen në pothuaj të njëjtin pozicion dhe veshje, çka është një tjetër shenjë paralajmëruese se fotot nuk janë autentike.
Një tjetër detaj i rëndësishëm që tërheq vëmendjen është deformimi i duarve në disa prej fotove. Në një prej imazheve, një nga figurat duket se ka gishta të deformuar, çka është një gabim i zakonshëm në fotot e gjeneruara nga AI, pasi këto algoritme nuk janë ende plotësisht të afta të replikojnë detajet komplekse të trupit të njeriut në mënyrë perfekte.
Duart janë të deformuara
Fotot e Joe Biden, Hillary Clinton, Kamala Harris dhe të tjerëve që i shfaqin ata në burg janë një shembull i qartë i mënyrës se si inteligjenca artificiale mund të përdoret për të krijuar dizinformim. Këta zyrtarë nuk janë në burg, dhe imazhet janë plotësisht të falsifikuara. Ndërsa teknologjia vazhdon të evoluojë, është thelbësore që publiku të jetë i informuar dhe vigjilent ndaj përdorimeve keqdashëse të AI-së, në mënyrë që të mbrohet nga mashtrimet dhe dizinformimi.