Pretendimi: Këto pamje të NASA provojnë se toka ka përmasa më të vogla se Hëna

Verdikti: E pavërtetë

Nxitësit e teorisë së tokës së sheshtë qarkullojnë në Facebook argumente të ndryshme për të vënë në dyshim faktet shkencore. Një prej këtyre “argumentave” janë fotografitë e publikuara nga NASA, në të cilat hëna shfaqet në përmasa më të mëdha se toka.

Në fakt, pretendimet për një Toke më të vogël se Hëna mund të shpjegohen lehtësisht duke përdorur parimet e thjeshta të perspektivës dhe fushës së shikimit në fotografi. Si duket një objekt në një fotografi është rezultat i pozicionit të kamerës në lidhje me objektin dhe fushës së shikimit të kamerës.

Sa më larg të jetë objekti, aq më i vogël do të duket në imazhin që krijohet, ndërsa sa më afër të jetë objekti, aq më i madh do të duket. Ky është një parim themelor i fotografisë që ndihmon për të kuptuar ndryshimet e përmasave të objekteve të ndryshme në foto.

Po të shikojmë disa imazhe të njohura që tregojnë ndryshimet në përmasat e Tokës dhe Hënës nga perspektiva të ndryshme duket qartë që perspektiva bën që madhesia e Tokës të ndryshojë.

Imazhi i parë është marrë nga misioni Chang’e 5-T1, nga një distancë prej 13,000 km mbi sipërfaqen e Hënës, ose rreth 7.5 herë rrezja e Hënës. Ky imazh tregon një pamje të Hënës dhe Tokës nga një kënd shumë i gjerë, duke krijuar një perceptim të ndryshëm të përmasave të dy objekteve.

Imazhi i dytë, i njohur si “Earthrise” (Ngjitja e Tokës), është marrë nga ekuipazhi i Apollo 8 nga një distancë prej vetëm 110 km nga sipërfaqja e Hënës. Ky imazh është shumë më afër Hënës dhe tregon një përmasë më të madhe të Hënës, duke bërë që Toka të duket më e vogël në raport me Hënën.

Imazhi i tretë është marrë nga sateliti DSCOVR, nga një distancë shumë e largët prej 1,500,000 km nga Toka, ose rreth 235 herë rrezja e Tokës, dhe 4 herë distanca deri në Hënë. Në këtë imazh, Toka duket shumë më e vogël për shkak të distancës së madhe dhe përdorimit të një fushe më të ngushtë shikimi.

Të gjithë këto imazhe mund të krijojnë një iluzion të ndryshimit të përmasave të Tokës dhe Hënës, por kjo është një pasojë e thjeshtë e ndryshimit të perspektivës dhe fushës së shikimit të përdorur për të realizuar fotografitë.

Përfundimisht, teoritë që pretendojnë se Toka është më e vogël se Hëna janë të bazuara në një keqkuptim të fenomeneve vizuale që lidhen me perspektivën dhe fushën e shikimit në fotografi. E vërteta është se përmasat e Tokës dhe Hënës janë të dokumentuara shkencërisht, dhe çdo ndryshim në përmasat që shihen në fotografi është thjesht një pasojë e distancës dhe perspektivës nga e cila janë marrë ato fotografi. Faktoje.al ka shkruar dhe herë të tjera për cështje të tilla ku rrjedhin dezinformata në rrjete sociale lidhur me teori konspirative mbi tokën.