Pretendimi: Qeveritarët po na helmojnë me hedhjen e fluorit në ujin e pijshëm dhe pastat e dhëmbëve
Verdikti: I pavërtetë
Shqetësimet për përdorimin e fluorit në shërbimin publik të ujit në disa vende apo në pastat e dhëmbëve dhe produkte të tjerat higjiene janë të hershme. Pas pandemisë së fundit të Covid-19 dhe përhapjes së teorive konspirative në rrjetet sociale, këto pretendime janë bërë edhe më të zëshme.
Një prej këtyre postimeve është ndarë nga një faqe shqiptare në Facebook në 3 shtator, duke pretenduar se “qeveritë po kontaminojnë qëllimisht ujin, pastën e dhëmbëve madje dhe çëmçakëzat, me qëllim kontrollin e mendjes së qytetarëve”.
Për të verifikuar këtë pretendim duhet të kthehemi pas në kohë.
Fluori është një mineral që gjendet natyrshëm në shumë burime ujore. Për shkak të aftësisë së tij për të parandaluar prishjen e dhëmbëve, shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë filluar të shtojnë fluorin në furnizimin publik të ujit në mesin e shekullit të 20-të. Ky vendim bazohet në studime që treguan se fëmijët që pinin ujë natyral me fluor kishin më pak dëmtime të dhëmbëve.
Shërbimi i Shëndetit Publik i ShBA-së ka rekomanduar që uji publik të përmbajë një nivel të caktuar të fluorit për të përmirësuar shëndetin dentar të popullatës. Kjo praktikë është zbatuar gjerësisht dhe mbulon shumicën e amerikanëve, me vendime që merren në nivel shtetëror ose lokal.
Fluori ndihmon në forcimin e smaltit të dhëmbëve, duke formuar një mineral të quajtur fluorapatit, që është më rezistent ndaj acideve që mund të dëmtojnë dhëmbët. Ky proces ndihmon në parandalimin e karieve dentare, që është një nga problemet më të zakonshme të shëndetit publik. Për këtë arsye, fluori gjendet në përbërjen e pastave të dhëmbëve apo edhe produkte të tjera.
Si çdo substancë kimike, edhe fluori mund të ketë efekte negative nëse merret në sasi të tepërta. Studime të ndryshme kanë sugjeruar një lidhje të mundshme midis niveleve të larta të fluorit dhe ndikimeve negative në shëndet, por këto rezultate janë kryesisht të lidhura me ekspozimin ndaj niveleve natyrale të larta të fluorit në disa zona të botës, shumë mbi ato që rekomandohen në furnizimin publik të ujit.
Nga ana tjetër, përfitimet e fluorizimit të ujit janë të mirëdokumentuara. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh) dhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA kanë theksuar se fluorizimi i ujit ka ulur ndjeshëm incidencën e karieve dentare dhe është konsideruar si një nga arritjet më të mëdha në shëndetin publik.
Faktoje ka verifikuar edhe më parë pretendime në rrjetet sociale që akuzojnë fluorin si një helm apo shkaktues të kancerit.