Pretendimi: Kjo video dëshmon pasojat që u fshehën nga mediat të uraganit Milton
Verdikti: E pavërtetë
Uragani Milton, i cili goditi shtetin e Floridas në ShBA, shkaktoi mjaft shkatërrim dhe të paktën 8 viktima. Megjithatë, dëmet e tij ishin të ngjashme me ato të shumë uraganëve të tjerë që kanë goditur më parë këtë pjesë të Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, në rrjetet sociale po ndahet së fundi një video që paraqet pamje apokaliptike që pretendohet se janë marrë gjatë uraganit Milton. Në video, erërat e forta flakin makinat si të ishin lodra ndërkohë që pjesë të ndryshme ndërtesash fluturojnë në ajër.
“Pamje nga një këndvështrim tjetër i uraganit Milton në Florida. Mediat fshehin numrin e viktimave.Nuk është aspak e vërtetë kur thonë jo po 4 jo po 10 viktima…”, shkruhet në postimin që shoqëron videon.
Video është ndarë së fundi edhe nga shumë përdorues të tjerë, kryesisht në gjuhën arabe, duke pretenduar se është një “ndëshkim ndaj Amerikës për mëkatet e saj”.
Pas verifikimeve tona dalin dy probleme me këtë video. Fillimisht konstatohet na kërkimi në motorin e kërkimit të imazheve Google Lens se kjo video është shpërndarë para 6 muajsh, nga një përdorues në YouTube. Postimi pretendon se videoja dëshmon pasojat e një stuhie në Tailandë.
E njëjta video është ndarë gjatë kësaj periudhe nga disa përdorues që e përshkruajnë si pasojë e “erërave me 200 km/h që kanë goditur Tailandën”. Nga verifikimet në burimet zyrtare të emergjencave, Tailanda veriore është goditur në 11 prill 2024 nga një stuhi, por jo e përmasave të videos. Nuk ka asnjë viktimë apo të plagosur të raportuar nga shërbimet tailandeze nga kjo stuhi.
Përmasat e shkatërrimit në videon e mësipërme hedhin shumë dyshime për vërtetësinë e saj dhe ka gjasa që të kemi të bëjmë me një skenë të montuar nga ndonjë film apo krijim i gjeneruar nga programe kompjuterike. Pavarësisht shkatërrimit tërësisht të disa makinave dhe ndërtesave, bie në sy se kamera me të cilën supozohet të jenë kapur pamjet nuk është shkatërruar apo shkëputur nga objekti që e mban.