Pretendimi: Nënë Tereza merrej me trafikim fëmijësh dhe është nëna e Anthony Faucit
Verdikti: E pavërtetë
Me afrimin e 5 shtatorit, ditës që përkujton shenjtërimin e Nënë Terezës nga Kisha Katolike, në rrjet po shfaqen postime të pabaza që lidhin bamirësen me origjinë shqiptare me trafikun e fëmijëve në Indi.
Një tjetër pretendim në këtë postim, që rishfaqet pas pandemisë, është një lidhje gjaku mes Nënë Terezës dhe Anthony Faucit, ekspertit kryesor amerikan për pandeminë e Covid-19.
Si provë për akuzën e parë ndaj trafikut të fëmijëve nga urdhëri i Nënë Terezës në Indi, sillet një artikull i një gazete australiane në vitin 2018.
Sipas një hetimi nga Komiteti Indian për Mirëqenien e Fëmijëve, të paktën dy punëonjëse në shtëpinë bamirëse “Nirmal Hriday” (Zemra e Pastër) në Ranchi, kryeqyteti i shtetit Jharkhand në Indi, u përfshinë në marrjen e fëmijëve nga nëna të pamartuara dhe dhënien e tyre të çifte që nuk kishin fëmijë. Hetimi u nis pas ankesës së një çifti që pretendonte se kishte paguar 1700 dollarë për një djalë, por që më pas punonjësja e bamirësisë e kishte marrë përsëri fëmijën dhe kishte mbajtur paratë.
Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se nuk ka prova që mbështesin këto pretendime lidhur me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Nënë Terezës në aktivitete të tilla kriminale. Nënë Tereza udhëhoqi urdhërin e krijuar prej saj “Misionarët e Bamirësisë” deri pak para vdekjes së saj në shtator të vitit 1997. Skandali në fjalë u hetua në vitin 2018, shumë vite pas vdekjes së Nënë Terezës. Organizatat vendase fajësuan gjithashtu procedurat e gjata në Indi për adoptimet që nxisin këto fenomene korruptive.
Nënë Tereza, e njohur botërisht për punën e saj bamirëse në Indi, ka qenë më parë e kritikuar për kushtet e dobëta dhe trajtimin e njerëzve të sëmurë në shtëpinë mikpritëse në Kalighat që ajo themeloi, si dhe për qëndrimet e saj të forta kundër kontracepsionit, abortit dhe divorcit.
Përsa i përket pretendimit të dytë, atij se Nënë Tereza është nëna e Anthony Faucit, kemi të bëjmë me një teori konspirative të pabazuar në ndonjë burim të besueshëm.
Sipas biografisë së Nënë Terezës ajo lindi në 1910, në Shkup. Në moshën 18-vjeçare, pasi u dorëzua si murgeshë duke ia dedikuar jetën e saj krishtërimit, ajo u bashkua me urdhërin e “Motrave të Loretos” në Kalkuta, Indi, ku kaloi të gjithë jetën e saj.
Ndërkohë, Anthony Stephen Fauci, lindi më 1940, në Brooklyn, nga prindërit Stephen dhe Eugenia Fauci, fëmijë të emigrantëve italianë në ShBA. Është dokumentuar se udhëtimi i parë i Nënë Terezës në ShBA ndodhi në 1960, kur Fauci ishte tashmë 20 vjeç.