Pretendimi: Ish-pilotja dëshmon si hidhen lëndët kimike në atmosferë në gjurmët e avionëve

Verdikti: Mungon konteksti

Një fjalim, i mbajtur nga një grua që paraqitet si ish-pilote ka tërhequr vëmendjen e mbështetësve të teorive të konspiracionit dhe ka nxitur diskutime të shumta mbi teorinë e gjurmëve kimike, e njohur me termin “chemtrails”.

Kristen Meghan Kelly, e cila në postime paraqitet si ish-pilote dhe specialiste mjedisore për forcat e armatosura, sillet si një dëshmitare që ka vendosur të zbulojë sekretet e ushtrisë.

Ajo pretendon se në Shtetet e Bashkuara po ndodh një proces i ashtuquajtur gjeoinxhinieria (geoengineering) dhe se popullsia po spërkatet me toksina. Ajo shprehet se këto toksina gjenden në ushqim, ujë dhe vaksina.

Pretendimet për “chemtrails” kanë qenë në qendër të diskutimeve prej shumë vitesh. Mbështetësit e këtyre teorive besojnë se gjurmët që lënë avionët në qiell pas fluturimeve janë rezultat i lëshimit të kimikateve toksike që helmojnë popullatën.

Në fakt, pas verifikimeve del se videoja është një pjesë nga një fjalim më i gjatë që Kelly mbajti në New York në janar të vitit 2014, i cili u publikua fillimisht në YouTube nga kanali DianeDi.

Në titullin e videos së shpërndarë ne You Tube shhkruhet: “Denoncuese e GjeoInxhinierisë, veterania ushtarake, Kristen Meghan, NY, 18 Janar 2014

Pra bie poshtë pretendimi që ajo është ish-pilote apo specialiste mjedisore për ushtrinë amerikane, por vetëm një ish-ushtarake ashtu si miliona të rinj amerikanë që shërbejnë në ushtri. Ndërkohë, deklaratat e saj nuk përmbajnë ndonjë provë apo dëshmi personale të besueshme për ndonjë rast kur fluturimet ushtarake janë përdorur për të spërkatur kimikate nga ajri ndaj popullsisë në ShBA apo në ndonjë vend tjetër.

Kelly përmend praninë e fluorit si një provë për pretendimet e saj. Fluori është një mineral i njohur që gjendet natyrshëm në ujë, tokë dhe ajër, dhe në shumë shtete, sasi të vogla të tij i shtohen ujit të pijshëm. Megjithatë, ekspozimi ndaj sasisë normale të fluorit nuk shkakton probleme shëndetësore serioze.

Në artikuj e mëparshëm, Faktoje.al e ka shpjeguar sesi gjurmët që shihen në qiell, të njohura si chemtrails, janë thjesht avuj që kondensohen dhe nuk kanë asnjë lidhje me kimikate të rrezikshme.

Teoritë konspiraive për “spërkatjen” e popullsisë me kimikate toksike nuk kanë prova të besueshme për t’u mbështetur.