Pretendimi: Publikohet fotografia e Jennifer Lopez në festat e orgjive të P.Diddy
Verdikti: Foto e manipuluar – AI
Pas arrestimit më 16 shtator të reperit Sean ‘Diddy’ Combs nën akuzat për krime seksuale ndaj të miturve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, qarkullojnë në rrjet një sërë fotosh të politikanëve apo personazheve të tjerë të njohur në shoqërinë e këngëtarit të famshëm.
Një prej tyre është dhe një foto në të cilën shfaqet këngëtarja Jennifer Lopez, e zhveshur, në shoqërinë e reperëve Diddy dhe Jay Z, në atë që mund të jetë një nga festat famëkeqe.
Fotoja është shpërndarë në rrjetet sociale pa ndonjë informacion të qartë mbi origjinën e saj dhe deri më tani nuk ka asnjë provë që konfirmon autenticitetin e saj.
Janë përhapur versione të ndryshme të këtij imazhi, si ai bardh e zi me shigjeta të kuqe sipër që tregojnë tre personazhet e lartpërmendur; një version tjetër i prerë dhe me ngjyra; dhe një tjetër në të cilën nuk shohim fytyrën e Jennifer Lopez, por atë të një gruaje tjetër.
Fotoja ka një cilësi të ulët, dhe disa detaje flasin qartë për mundësinë e manipulimit. Kolegët tanë të verifikimit të fakteve në Spanjë, Maldita.es, kanë analizuar më tej detajet në fotografi që provojnë dyshimin e manipulimit.
Fytyrat e këngëtarëve të njohur, përkatësisht Jennifer Lopez, Jay Z dhe Diddy, duken më të zbehta në krahasim me pjesën tjetër të trupit apo imazhit në tërësi. Gjithashtu, ka çrregullsi të dukshme në proporcione dhe forma të duarve, që janë të pazakonta për figura njerëzore.
Ashtu si në të gjitha imazhet e tjera të prodhuara nga Inteligjenca Artificiale, duart mbetet gjithmone një pikë e dobët. Shpesh këto imazhe përmbajne duart me gjashtë gishta apo nuk arrijnë të gjenerojnë krahun e duhur të majtë apo të djathtë të gjymtyrëve në trupin që krijohet.
Duhet sjellë në vëmendje se Jennifer Lopez dhe Sean “P. Diddy” Combs kanë qënë në një lidhje në periudhën 1999 – 2021 dhe kanë qarkulluar në rrjet edhe imazhe intime të tyre në çift.
Fotoja që po qarkullon duket të jetë një produkt i manipuluar, pa ndonjë provë të fortë që e mbështet autenticitetin e saj. Ndërsa debati rreth saj vazhdon, është e rëndësishme për publikun të mbetet kritik dhe të verifikojë burimet përpara se të formojë një opinion të qartë.