Pretendimi: Administrata Biden po ofron vetëm 750 dollarë për të prekurit nga uragani Helenë
Verdikti: Mungon konteksti
Uraganët që po godasin së fundmi ShBA janë vendosur në qendër të debateve të fushatës presidenciale, duke akuzuar administratën Biden për përgjigjen e duhur ndaj pasojave shkatërrimtare.
Një prej këtyre akuzave bazohet në një deklaratë të zv.presidentes dhe kandidates demokrate Kamala Harris, për ndihmën e ofruar për banorët e prekur nga uragani Helenë, në vlerën e 750 dollarëve për çdo person.
Postimet që ndahen në rrjet, vendosim një paralele mes kësaj shume minimale të akordua nga qeveria, ndërkohë që ndihma e alokuar për Izraelin dhe Ukrainën shkon në mbi 8 miliardë dollarë.
Këto pretendime u përdorën gjatë takimeve elektorale edhe nga ish-presidenti Donald Trump, i cili tha se amerikanët që kishin humbur gjithçka po merrnin vetëm 750 dollarë, ndërsa SHBA po dërgonte miliarda për vendet e tjera.
Në të vërtetë, shuma e përmendur në këto postime përfaqëson vetëm një formë ndihme federale për të prekurit nga uragani Helenë.
Në një deklaratë të saj zyrtare, Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) u kujdes të shpjegonte se kjo shumë (750 USD) “është një pagesë paraprake, fleksibile për të ndihmuar në mbulimin e artikujve esencialë si ushqimi, uji, formula për foshnjat, pajisjet për ushqyerjen me gji, medikamentet dhe furnizimet e tjera emergjente.”
Gjithashtu më 8 tetor, FEMA njoftoi se ofroi më shumë se 210 milion dollarë ndihmë federale dhe kishte siguruar më shumë se 15.6 milion vakte, mbi 13.9 milion litra ujë, 157 gjeneratorë dhe më shumë se 505,000 çadra për komunitetet e prekura nga uragani Helenë. Ndihma përfshin gjithashtu mbulimin e shpenzimeve mjekësore, nevojave për strehim të përkohshëm dhe kostove të riparimit të shtëpive.
Informacioni i pavërtetuar dhe dezinformatat në rrjetet sociale mund të krijojnë konfuzion dhe shqetësim në kohë krize.