Pretendimi: Kjo është video e bustit të Skënderbeut që i ngjason Edi Ramës
Verdikti: Gjeneruar me AI
Pas debatit që ngjalli në fund të gushtit përurimi i bustit të Skënderbeut në një komunitet arbëresh në Itali, që për shumëkënd ngjasonte me portretin e kryeministrit Rama, në rrjet janë krijuar shumë meme e video humoristike.
Një prej këtyre videove është edhe ajo ku bustit të Skënderbeut i është përshtatur fytyra e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, përmes teknologjisë së inteligjencës artificiale.
Megjithëse kjo video është menduar si një formë satire dhe humori, ajo hap një debat të rëndësishëm për ndikimin dhe rreziqet që vijnë nga manipulimi i imazheve dhe videove me inteligjencë artificiale.
Teknologjia e inteligjencës artificiale ka arritur nivele të larta sofistikimi, duke mundësuar manipulimin e imazheve dhe videove në mënyra që më parë ishin të pamundura. Kjo teknologji, e cila përfshin “deepfake“-et, mund të marrë pamjen dhe zërin e dikujt dhe t’i përdorë për të krijuar një realitet të rremë. Në këtë rast, përdorimi i AI-së për të përshtatur fytyrën e Edi Ramës mbi bustin e Skënderbeut është një shembull klasik i sajesave satirike, por që mund të ngatërrojë përdoruesit më pak të vetëdijshëm.
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Në vend që të krijohet një ndarje midis realitetit dhe fiksionit, njerëzit do të jenë të vetëdijshëm për natyrën satirike apo humoristike të materialit dhe nuk do të mashtrohen nga pamjet e para.