Pretendimi: Byzylykët e bakrit ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve të artritit.

Verdikti: Mungon konteksti

VJOLANDA PECA

Rrjetet sociale janë një mundësi e mirë për të propaganduar edhe trajtimet alternative. Së fundmi, një video ka tërhequr vëmendjen për pretendimin se byzylykët e bakrit ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve të artritit.

Pavarësisht besimeve popullore, studimet tregojnë se byzylykët e bakrit nuk ofrojnë ndihmë të rëndësishme për simptomat e artritit.

Një nga studimet më të rëndësishme u krye në vitin 2013, ku u përfshinë 70 pjesëmarrës që testuan lloje të ndryshme byzylykësh: një byzylyk bakri, një byzylyk magnetik standard, një byzylyk magnetik më të dobët dhe një byzylyk jo-magnetik si kontroll. Rezultatet treguan se nuk kishte përmirësime të dukshme në dhimbje, funksionin e nyjave ose inflamacionin tek asnjë nga pjesëmarrësit.

Dr. Stewart Richmond, që drejtoi studimin, theksoi se individët me artrit reumatoid mund të kenë më shumë përfitime nga trajtime të tjera të provuara, si p.sh. vajrat e peshkut, që kanë më shumë prova për efektivitetin e tyre.

Disa mbështetës të byzylykëve të bakrit argumentojnë se trupi mund të absorbojë copëza të vogla bakri përmes lëkurës, çka mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit të nyjave. Edhe pse bakri është një nutrient thelbësor për shëndetin e kockave, nuk ka dëshmi të mjaftueshme që mbështesin përthithjen përmes byzylykëve.

Megjithatë, ata që e gjejnë të dobishëm byzylykët e bakrit mund të përfitojnë nga efekti placebo, apo efekti psikologjik kur pacienti mendon se është shëruar edhe pa marrë një trajtim të vërtetë.

Kompani që shesin byzylykë bakri shpesh bëjnë pretendime të paqarta që nuk kanë mbështetje shkencore. Fraza si “përdoren për shërim nga njerëzimi për shekuj” duken tërheqëse, por nuk ofrojnë prova të efektivitetit. Edhe pse bakri është një nutrient i rëndësishëm, mbajtja e një byzylyku nuk përmirëson efektet terapeutike.

Si përfundim, nuk ka prova të forta që tregojnë se byzylykët e bakrit ndihmojnë me artritin.