Pretendimi: Zgjedhjet e sivjetshme rrezikojnë të shpërbëjnë Parlamentin Evropian

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Midis datës 6 dhe 9 qershor të këtij viti, zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian, organit legjislativ të Bashkimit Evropian. Qytetarët e të gjithë vendeve do të votojnë për partitë dhe kandidatët vendas, të cilët i përkasin koalicioneve specifike brenda parlamentit. Dizinformimi kundër BE-së apo dhe vetë parlamentit kanë qënë një nga problemet kryesore të përiudhës para-zgjedhore.

Një nga këto narrativa, pikërisht ajo se këto zgjedhje mund të çojnë në shpërbërjen e Parlamentit, është përhapur edhe në mediat shqiptare kohët e fundit. Në këto postime dhe artikuj, problemi i euroskepticizimit janë nxjerrë nga konteksti për të shpërndarë teori të ndryshme mbi fundin e Bashkimit Evropian apo edhe luftën e tretë botërore.

Së pari, titulli i artikullit nuk ka të bë fare me përmbajtjen e tij. Askund nuk përmendet nevoja për reformë, apo frika se parlamenti mund të shpërbëhet. Artikulli në fjalë fillon me një përshkrim të grupimeve politike të Parlamentit Evropian, por ama nuk është një përshkrim i paanshëm. Aty përfshihen edhe etiketime të ndryshme të këtyre grupimeve nga opinionistja, të cilat zbulojnë dhe paragjykimet e artikullit vetë. Përshembull, grupi i qendrës së djathtë PPE (Partia e Popujve të Europës ose European People’s Party) – të cilës i përket edhe Ursula von der Leyen presidentja e Komisionit Evropian — cilësohet nga artikulli si “vasale e SHBA-së” për shkak se programi politik i këtij grupi është pro-Ukranës dhe NATO-s.

Grupime të tjera, sidomos ato që shihen si të majta, përshkruhen me gjuhë të fortë sipas të cilës politikat e tyre progresive përsa i përket çështjeve sociale i kategorizon ato si globaliste, apo që duan të shkatërrojnë familjen. Këto pikëpamje janë tipike të propagandës ruse kundër BE-së, ato që cilësojnë politikat pro-Bashkimit Evropian dhe zgjerimit të tij, si dhe politika të ndryshme për mjedisin apo komunitetin LGBT+ si të rrezikshme.

Artikulli po ashtu mbështet partitë e ekstremit të djathtë që janë kundër Bashkimit Evropian, si dhe kundër emigrantëve, zgjerimit të BE-së, dhe beson se BE-ja nuk duhet të ndërhyjë në Ukrainë. Duke u bazuar në këtë pikëpamje, aty argumentohet se këto zgjedhje do të tregojnë se populli europian është i pakënaqur ndaj vendimit të BE-së për të ndjekur politikat e SHBA-së apo për vendimet që kanë rritur numrin e emigrantëve në Europë. Kjo nuk merr parasysh faktin se shumica e vendeve të BE-se janë, si SHBA-ja, pjesë e NATO-s dhe për këtë arsye kanë politika të ngjashme dhe pse jo gjithmonë të njejta. Apo se në vitet e fundit, politikat e Bashkimit Evropian në përgjithësi kanë qënë kryesisht shumë më strikte përsa i përket qoftë refugjatëve  apo migrimit, edhe pse pjesëtarët individual kanë ndjekur politika të ndryshme per kufinjtë e tyre.

Sipas një deklarate zyrtare të Bashkimit Evropian, këto narrativa të cilat cilësojnë partitë e ekstremit të djathtë si e vetmja alternativë ndaj shpërbërjes së Parlamentit apo Europës, “kjo është një narrativë dezinformuese pro-Kremlinit që synon të prishi besimin e qytetarëve në institucionet evropiane, duke synuar zgjedhjet e ardhshme të BE-së dhe duke akuzuar Bashkimin Evropian për shpikjen ose mbipërmasat e ndërhyrjes ruse për arsye politike.”

Ato cilësojnë po ashtu sipas një ankete të kohëve të fundit, pothuajse tre të katërtat e qytetarëve (73%) thonë se veprimet e BE-së kanë ndikim në jetën e tyre të përditshme. Përveç kësaj, shumica dërrmuese e evropianëve pajtohen se vendi i tyre në përgjithësi përfiton nga të qenurit antar në BE (71%). Këto janë rezultatet më pozitive mbi temën e antarësimit në BE në dekadat e fundit.