.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAsnjë provë se dronët mbi ShBA ngrihen nga baza aliene nën oqean

Asnjë provë se dronët mbi ShBA ngrihen nga baza aliene nën oqean

Pretendimi: Dronët mbi ShBA po ngrihen nga baza nën oqean me teknologji aliene

Verdikti: E paprovuar

Gjatë javëve të fundit raportimet nga qytetarët për objekte të dyshimta në qiejt e Amerikës janë shtuar së tepërmi. Kushdo që shikon drita në qiell gjatë natës mendon se ka gjetur prova të dronëve spiunë ndaj objektivave ushtarake, e ndonjëherë edhe dyshime për përdorimin e teknologjive aliene nga ushtria amerikane.

Në këtë skenar fantastiko shkencor po ndahen edhe në rrjetet sociale shqipfolëse pamjet e një droni që del nga deti, të shoqëruara me pretendimin se “dronët ngrihen nga bazat me teknologji aliene që ndodhen nën Oqean”. 

Zanafilla e dyshimit për dronët alienë, e verifikuar më parë nga Faktoje, është një seancë dëgjimore mbi hulumtimet qeveritare të fenomeneve anormale të paidentifikuara (UAP) që u mbajt më 13 nëntor 2024 nga Komisioni i Mbikëqyrjes dhe Përgjegjshmërisë së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA.

Qëllimi i seancës, thuhet në njoftimin për shtyp, ishte të “kërkonte transparencë nga dega ekzekutive dhe agjencitë e inteligjencës, të cilat kanë ruajtur prej kohësh sekretin maksimal në lidhje me informacionin e klasifikuar mbi UAP.” Ky term i referohet “avionëve të paidentifikuar”, një akronim që vitet e fundit ka zëvendësuar termin e mëparshëm UFO, që do të thotë “objekte fluturuese të paidentifikuara.”

Prezenca e pretenduar e “alienëve” në oqean u soll gjatë seancës nga gazetari Michael Shellenberger, një nga katër dëshmitarët e thirrur nga Komisioni të grupit të personave publikë që konsiderohen si ekspertë të UAP.

Shellenberger u pyet (në minutën 01:53:35 të kësaj video) – nga republikania Lauren Boebert nëse ka ndonjë dëshmi që mund të tregojë një bazë ose prani të UAP nën sipërfaqen e oqeanit. Gazetari u përgjigj se nuk kishte dëgjuar për një bazë aliene nënujore, por tha se një burim (i pa cituar hapur) përshkruante një “sferë që dilte nga oqeani dhe pritet nga një sferë tjetër.”

Siç theksoi The Guardian, dëshmia e Shellenberger, si ajo e tre dëshmitarëve të tjerë, nuk bazohet në ndonjë provë konkrete për të mbështetur atë që ai tha.

Mungesa e provave konkrete ka qenë një problem konsistent për ata që besojnë se qeveria amerikane po strehon UAP. Njësoj, edhe seanca e 13 nëntorit u fokusua sërish në dëshmitë e personave që thanë se ishin në dijeni të programeve sekrete të qeverisë, në vend që të paraqisnin prova konkrete.

Një deklaratë nga një zëdhënës i Pentagonit tha se departamenti “nuk ka gjetur asnjë provë të verifikueshme që ndonjë vëzhgim i UAP përfaqësonte aktivitet jashtëtokësor dhe departamenti nuk ka zbuluar ndonjë informacion të verifikueshëm për të vërtetuar pretendimet se ndonjë program në lidhje me posedimin e materialeve jashtëtokësore ka ekzistuar në të kaluarën ose ekziston aktualisht”.

Qeveria amerikane në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast nuk e ka mbështetur tezën e Shellenberger-it, prandaj nuk ka “konfirmuar që alienët vijnë nga oqeani.

Përtej origjinës nënujore të dronëve, duhet theksuar se raportimet për dronë dhe objekte të dyshimta fluturuese në Neë Jersey dhe disa shtete të tjera të ShBA arritën kulmin gjatë javëve të fundit duke detyruar autoritetet e sigurisë që të kryejnë hetime konkrete.

Në 12 dhjetor 2024, FBI dhe DHS (Departamenti i Sigurisë së Brendshme) lëshuan një deklaratë të përbashkët në lidhje me raportimet për shikime dronësh në Neë Jersey.

“Momentalisht, nuk kemi asnjë provë që tregon se shikimet e raportuara të dronëve paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare apo sigurinë publike, ose kanë ndonjë lidhje me faktorë të huaj. Pas shqyrtimit të imazheve të disponueshme, duket se shumë nga shikimet e raportuara janë, në fakt, avionë transporti apo dronë të pilotuar nga civilë, duke vepruar ligjërisht. Nuk ka asnjë raportim ose konfirmim për shikime dronësh në asnjë hapësirë ajrore të kufizuar.” thuhet ndër të tjera në deklaratën e FBI dhe DGS.

Si pjesë e hetimit të Kongresit për objektet UAP, u publikua një raport i Zyrës për verifikimin e Anomalive AARO, një strukturë qeveritare në ShBA, e cila ndoqi 49 raportime të gjitha të verifikuara si objekte të zakonshme siç janë lloje të ndryshme balonash, zogj, dhe dronë civilë.

243 raste të tjera të denoncuara u rekomanduan për mbyllje, pasi u konstatuan gjithashtu si objekte të zakonshme përfshirë balona, zogj, dronë, satelitë dhe aeroplanë”, thuhet në raportin e hartuar nga Departamenti i Mbrojtjes.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img