GERI EMIRI
Shkollat po përdoren për fushatë elektorale edhe pse Kodi Zgjedhor e ndalon shfrytëzimin mjediseve publike për këto qëllime. Nga një verifikim për Faktoje, në Durrës dhe Tiranë, kandidatë të PS janë konstatuar me këto shkelje në mbi 14 raste, kryesisht në mjediset e shkollave publike. Edhe PD, është konstatuar për përdorim të materialeve propagandistike në fasadën e Universitetit Politeknik të Tiranës. Pavarësisht se dispozitat ligjore parashikojnë ndëshkime për këto raste, ndaj subjekteve në fjalë nuk janë marrë masa dhe shkeljet ligjore kanë vijuar.
Paraditen e së shtunës, datë 17 prill, një pjesë e kandidatëve socialistë për deputetë në Qarkun Durrës zhvilluan takimin e radhës me elektoratin e qytetit të Krujës. Në zemër të qytetit historik, kandidatët e Partisë Socialiste ligjëruan përballë zgjedhësve potencialë që ishin ulur në karriget e nxënësve.
Të vendosur në oborrin e Shkollës 9 Vjeçare Numër 1, kryesuesja e listës së deputetëve për Durrësin dhe njëkohësisht ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, së bashku me kandidatin për deputet, Denis Deliu, prezantuan punën e qeverisë dhe kërkuan votëbesimin.
Takimi në oborrin e Shkollës 9 Vjeçare Numër 1, Krujë, datë 17 prill. Foto: Milva Ekonomi, faqja në “Facebook”
Godinat e shkollave janë nën administrimin e bashkive, ndërsa personeli mësimor është në varësi të Ministrisë së Arsimit. Në takimin e radhës ishte edhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi dhe ish-ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni.
Ky aktivitet, që bie ndesh me Kodin Zgjedhor, për shkak se shkollat janë institucione publike rezulton një rast i përsëritur. Nga analizimi i postimeve në rrjetet sociale të kandidatëve socialistë për Qarkun Durrës, përgjatë muajit prill, “Faktoje” zbuloi 14 raste të përdorimit të ambienteve të shkollave për aktivitete elektorale dhe 2 takime me fëmijët me aftësi të veçanta, zhvilluar në Qendra Rezidenciale.
Këto takime elektorale ndalohen në përcaktimet e Kodit Zgjedhor, ku në nenin 78, në pikën 6 shkruhet: “Ndalohet zhvillimi i fushatës zgjedhore në institucionet publike”.
“Screenshot” i Kodit Zgjedhor, Neni 78, pika 6.
“Për 30 vite shkollat janë konsideruar si arena elektorale, ne mbajmë mend se në shkolla kemi pasur fëmijë të veshur më bluza partish, mësues që rreshtoheshin përpara liderit të partisë dhe ky fenomen dëmton prirjet politike të maturantëve, votuesve për herë të parë” – analizon Rigels Xhemollari, drejtues i “Qëndresës Qytetare”, një organizatë jo-qeveritare fokusuar tek çështjet e arsimit.
Paradite shkolla për nxënësit, pasdite qendra takimi elektoral
Kandidatët për deputetë të Qarkut Durrës janë shfaqur në disa takime elektorale që janë zhvilluar në oborret e shkollave, brenda mjediseve të tyre dhe në palestrat sportive.
Në Qarkun Durrës nuk u evidentuan takime në mjediset arsimore të territorit të Bashkisë Durrës, teksa ngjarje të tilla u regjistruan në Krujë, Fushë-Krujë dhe Shijak.
Në zonën e Krujës u evidentuan 3 takime elektorale në mjediset arsimore, 9 takime në zonën e Fushë-Krujës, 1 takim në Thumanë (Krujë) dhe 1 takim në territorin e Bashkisë Shijak. Ndërsa në qytetin e Durrësit u evidentua 1 takim elektoral në Qendrën e Zhvillimit Rezidencial dhe 1 në Shijak.
Këto takime elektorale ndalohen në përcaktimet e Kodit Zgjedhor edhe në nenin 91, ku tek aktivitetet e ndaluara për përdorimin e burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore përfshihen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme të institucioneve, përfshirë shkollat.
“Screenshot” i Kodit Zgjedhor, Neni 91, pika 2
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përgjigje të një Kërkese për Informacion shpjegoi se nuk ndërmerr hetime me iniciativën e tij për identifikimin e këtyre rasteve.
“…sqarojmë se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vihet në lëvizje nëpërmjet denoncimeve ose indicieve nga të tretët”- u përgjigj zyrtarisht KQZ.
“KQZ-ja duhej të niste edhe hetime me iniciativën e saj”- sugjeron aktivisti Rigels Xhemollari referuar përgjigjes së KQZ-së.
Teksa ambientet arsimore konsiderohen si asete të paluajtshme, gjithashtu ndalohet edhe përdorimi i detyruar në fushatën zgjedhore të administratës së institucionit brenda orarit të punës, si edhe përdorimi i nxënësve.
Kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi më 9 prill brenda shkollës “Bakushe Visha”, duke folur përkrah kandidatëve socialistë Milva Ekonomi, Rrahman Rrahja dhe Denis Deliu. Foto: Milva Ekonomi, faqja në “Facebook”
Nga analizimi i postimeve në rrjetin social “Facebook” të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste të listës së Qarkut Durrës, fotografitë janë realizuar me kujdes dhe duke tentuar të turbullojnë sfondin, duke minimizuar identifikimin e elementëve arsimor.
Shkollat e fshatrave kanë qenë ambientet arsimore më të përdorura kryesisht në zonën e Fushë-Krujës, në fshatrat si, Luz, Rinas, Tapizë, Zallë, Gramëz dhe Brret, ndërsa në zonën e Shijakut u regjistrua një aktivitet në terrenin sportiv të shkollës 9 vjeçare të fshatit Xhafzotaj.
Kryesisht në takimet e zhvilluara në Krujë dhe Fushë-Krujë kanë qenë të pranishëm kandidatët për deputetë, Milva Ekonomi, Rrahman Rrahja dhe Denis Deliu.
“Faktoje” i drejtoi kërkesë për koment një pjese prej tyre. Zonja Milva Ekonomi nuk ktheu përgjigje pasi u pyet me mesazh, ndërsa kandidati Deliu nuk pranoi të komentonte përmes telefonit mbi praninë e tij në takimet elektorale të zhvilluara në ambientet arsimore.
Ilir Ndraxhi, i cili kandidon për herë të dytë në logon e Partisë Socialiste u konstatua se mori pjesë në një takim elektoral të zhvilluar në shkollën 9 vjeçare të fshatit Xhafzotaj. Ai nuk iu përgjigj një kërkese për koment dërguar përmes një mesazhi, megjithëse u njoh me të.
Dita Botërore e Autizmit është një aktivitet që zhvillohet çdo 2 prill si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm. Kandidatët socialistë të Durrësit e kanë pasur emërues të përbashkët të tyre në takimet e zhvilluara në këtë datë.
Kandidati Ilir Ndraxhi u shfaq duke vizituar Qendrën Komunitare Shijak, në një postimin në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”. Ai publikoi fotografi me fëmijët, punonjësit e qendrës dhe prindërit e fëmijëve.
Me disa qese në duar, që ngjasonin si dhurata për fëmijët, ai u shfaq në një aktivitet brenda orarit zyrtar të punës së qendrës.
Mjekja Klodiana Spahiu që prej vitit 2009 është deputete në Kuvendin e Shqipërisë dhe kandidon që të përfaqësojë qytetarët e Durrësit për herë të katërt.
Ndryshe nga Ndraxhi, ajo së bashku me kryebashkiaken e komanduar të Durrësit, Emiriana Sako, vizituan “Qendrën Komunitare për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara”. Midis prindërve dhe punonjësve, ku nuk mungonin maskat me logon e Partisë Socialiste, postimi i saj në “Facebook” premtonte zgjerimin e shërbimeve ndaj personave me aftësi të veçanta.
Më datë 17 prill kandidatët socialistë zhvilluan një takim me mësues të shkollave të Krujës, Fushë-Krujës dhe rrethinave. Foto: Rrahman Rrahja, faqja në Facebook.
Edhe mësuesit nuk i kanë shpëtuar takimeve elektorale. Më datë 17 prill kandidatët socialistë zhvilluan një takim të gjerë me mësues të shkollave të Krujës, Fushë-Krujës dhe rrethinave, teksa shkollat duket se po përdoren për fushatën fizike dhe virtuale te Partisë Socialiste.
Shkolla 9 Vjeçare Numër 4 Krujë, në faqen e saj në rrjetin social “Facebook” shpërndau video-postimin e kandidates socialiste Milva Ekonomi, ku shpjegohej se si të votohej Partia Socialiste në fletën e votimit, megjithëse ajo është një faqe në funksion të aktiviteteve të shkollës.
“Screenshot” i postimit në faqen në “Facebook” të Shkollës 9 Vjeçare Numër 4 Krujë
Në shkollën 9 vjeçare “Bakushe Visha” në Fushë-Krujë, kandidatët socialistë zhvilluan dy takime të ndryshme elektorale. Më datë 4 prill në palestrën e shkollës, të rinjtë e forumit rinor socialist të zonës, veshur me bluza me ngjyrat e Partisë Socialiste dhe mbishkrime me mesazhe elektorale, duke mbajtur maska me logo të partisë zhvilluan një ndeshje volejbolli.
Të pranishëm, duke pozuar përkrah tyre ishin edhe kandidatët për deputetë, Milva Ekonomi, Rrahman Rrahja dhe Denis Deliu. Ata u rikthyen më datë 9 prill, kësaj radhe përkrah kryebashkiakut të Krujës dhe përballë zgjedhësve, në një takim elektoral që u zhvillua brenda ambienteve të shkollës.
Palestra e shkollës 9 vjeçare “Bakushe Visha” në Fushë-Krujë. Foto: Milva Ekonomi, faqja në “Facebook”
Nga analizimi i postimeve në rrjetet sociale të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Qarkun Durrës nuk u evidentuan raste të përdorimit të ambienteve arsimore.
Ndërkohë kryedemokrati Basha postoi më datë 16 prill një video që shfaqte të projektuar në godinën e Universiteti Politeknik të Tiranës një poster të Partisë Demokratike.
“Screenshot” e videos në faqen në “Facebook” të Lulzim Bashës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përgjigjen zyrtare njoftoi se ka regjistruar 3 ankesa, 2 për të njëjtin rast lidhur me përdorimin e ambienteve arsimore. Ato rezultuan se janë referuar nga “Qëndresa Qytetare” dhe Instituti i Studimeve Politike, përpara nisjes së fushatës zgjedhore.
Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare shton se kanë identifikuar dhe denoncuar në KQZ 8 raste në total, që lidhen edhe me përdorimin e ambienteve si biblioteka apo azile për të moshuarit.
“Nëse komisioneri nuk reagon përgjatë fushatës, subjektet politike do të vazhdojnë”-komentoi ai.
Vendimet e KQZ-së ngjallin diskutime
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpjegoi zyrtarisht se subjektet ndaj të cilëve janë depozituar ankesa për përdorimin e ambienteve mësimore dhe personelit për zhvillimin e aktiviteteve me karakter elektoral janë Elona Gjebrea dhe Ervin Bushati, për takime që janë zhvilluar në Tiranë.
Qëndresa Qytetare dhe Instituti i Studimeve Politike denoncuan në KQZ rastin e deputetit Ervin Bushati, që zhvilloi një takim në janar të këtij viti në shkollën 9 vjeçare “Misto Mame”. Qëndresa Qytetare denoncoi edhe deputeten Elona Gjebrea dhe drejtorinë e Gjimnazit “Abdulla Keta” në Tiranë, pas një takimi që ajo zhvilloi po në janar të këtij viti në ambientet e shkollës.
Rrëzimi i anakesave ndodhi pasi ndalimet e Kodit Zgjedhor e nisin efektin gjatë fushatës zgjedhore, pas 25 marsit, ndërsa denincimet ishin për periudhën para kësaj date.
Nga analizimi i të dy rasteve, KQZ në mënyrë të ngjashme vendosi se deputetët i zhvilluan takimet në ushtrim të detyrës së tyre dhe nuk u konstatuan shkelje të Kodit Zgjedhor, duke mos qenë as të konfirmuar si kandidatë për deputetë deri në atë moment.
“KQZ është kontradiktore, sepse thotë është ftuar në statusin e deputetit nga shkolla dhe pastaj thoshte se nuk ka njoftuar, por në qoftë se nuk njofton për një aktivitet që është i ndaluar nga KQZ-ja, atëherë përsëri ke bërë shkelje”- komentoi vendimet Rigels Xhemollari, drejtues i “Qëndresës Qytetare”.
Ervin Bushati si deputet me bluzë me hashtagun e Partisë Socialiste, më 15 janar 2021 gjatë takimit me mësuesit dhe nxënësit e shkollës. Foto: Ervin Bushati, faqja në Facebook
“Ne kemi kallëzuar edhe drejtuesit e shkollave, sepse ata janë personat përgjegjës që i kanë vendosur në dispozicion ambientet, janë vendosur edhe vetë në dispozicion së bashku me nxënësit dhe KQZ-ja është marrë vetëm me subjektet Elona Gjebrea dhe Ervin Bushati”- shton ai.
KQZ për rastin e Bushatit dhe Gjebreas ka njoftuar Zyrën Arsimore Vendore Tiranë, Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë që në respektim të standardit të zgjedhjeve dhe neutralitetit të administratës publike, deputetët deri në datën e zgjedhjeve të mos ftohen dhe lejohen në veprimtaritë rutinë të administratës.
Për Xhemollarin këto raste nuk janë përsëritur më, por asetet e paluajtshme, si oborret, palestrat dhe ambientet e brendshme të shkollave duket se kanë vijuar të përdoren për aktivitete elektorale.
Në takimet elektorale për prezantimin e kandidatëve socialistë të Tiranës, si Fidel Ylli, kryebashkiaku Veliaj u konstatua në oborrin e gjimnazit “Vajdin Lamaj”, në fshatin Domje të Vorës.
“Screenshot” nga video në faqen e Erion Veliajt, mbi takimin në oborrin e gjimnazit “Vajdin Lamaj”, Vorë
Edhe kandidati socialist i Tiranës, njëkohësisht Ministri i Shtetit për Rindërtimit, Arben Ahmetaj, veshur me ngjyra të ndezura dhe sportiv aq sa Veliaj, pozuan midis elektoratit në terrenin sportiv të një tjetër shkolle në kryeqytet.
Përdorimi i godinave arsimore apo edhe i punonjësve të tyre megjithëse përbën shkelje të Kodit Zgjedhor dhe sipas Kodit Penal organizimi apo detyrimi i nxënësve të arsimit para universitar nga mësuesit përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj gjer në një vit, por kandidatët e Partisë Socialiste kanë vijuar të qetë aktivitet elektorale në ambientet arsimore publike.
“Screenshot” i Kodit Penal, Neni 328/a
*Ky artikull u mbështet nga projekti “Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri” (SETA), financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe Aksioni i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”.