Pretendimi: Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitchko, zotëron shtëpitë publike në Ukrainë
Verdikti: E paprovuar
Akuzat e një gazetareje ukrainase ndaj kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitaliy Klitchko ,po qarkullojnë edhe mes përdoruesve shqiptarë të Facebook. Në këto postime thuhej që gazetarja e lëvizjes FEMEN, Diana Panchenko, ka faktuar se ish-boksieri i njohur dhe tashmë administratori i Kievit, drejton trafikun e prostitucioni në Ukrainë.
Panchenko shkroi në një postim në rrjetet sociale: “Vitaliy Klitchko kontrollon rrjetin më të madh të klubeve të striptizimit. 100 shtëpi publike vetëm në Kiev! Ai shet qindra vajza në BE dhe SHBA.” Akuzat flasin se Klichko ka zgjedhur të jetojë me familjen e tij pranë dy shtëpive publike në Ukrainë. Ajo gjithashtu e akuzon atë për shitjen e drogës dhe për hetime mbi korrupsionin dhe tradhtinë ndaj shtetit.
Të gjitha akuzat ngjajnë të rënda në gojën e një gazetareje, por ajo që nuk sqarohet në këto postime është besueshmëria e burimit të tyre.
Pas një eksperience mediatike, Panchenko është akuzuar se është rekrutuar nga Kremlini dhe se përhap dezinformata në emër të rusëve. Pas shpërnguljes në Emiratet e Bashkuara Arabe, ajo ka postuar video që shpesh herë janë të mbushura me propagandë, duke akuzuar autoritetet ukrainase për nazizëm dhe duke shpallur se Ukraina do të “kolapsojë”.
Deri më sot, nuk është bërë publike nga burime të tjera të besueshme kombëtare apo ndërkombëtare ndonjë lidhje e kryebashkiakut Klitchko me trafiqe të paligjshme.
Vitaliy Klitchko, si një figurë publike dhe lider politik, ka pasur një ndikim të rëndësishëm në Ukrainë, veçanërisht pas fillimit të luftës me Rusinë. Akuza për trafikim dhe krime të tjera serioze janë pjesë e vazhdueshme e retorikës ruse që sulmon figurat publike ukrainase.