BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriPremtimi i shkelur për markatën e Lushnjës riciklohet në prag të zgjedhjeve vendore

Premtimi i shkelur për markatën e Lushnjës riciklohet në prag të zgjedhjeve vendore

Ditët e fundit, përfaqësues të maxhorancës, duke nisur nga kryeministri Rama, shpërndanë në rrjetet sociale lajmin se së shpejti do hapet markata e re në Lushnjë. Verifikimi i Faktoje tregon se ky është një premtim i shkelur që po riciklohet në prag të zgjedhjeve vendore. Markata e re, duhej të ishte gati që në dhjetor 2022, siç deklaronte në një postim të muajit shtator deputeti Taulant Balla. Vëzhgimi në terren i Faktoje më 28 mars dëshmon se tregtarët e Lushnjes, zonë që mbahet kryesisht me bujqësi, i shesin produktet në mes të rrugës, jashtë çdo standardi higjeno-sanitar.

Në shtator të vitit 2022, drejtuesi politik i socialistëve për qarkun Fier, Taulant Balla dhe kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa inspektuan punimet për ndërtimin e tregut të ri në Lushnjë.

“Duhet ta kemi si objektiv që për Krishtlindje, të gjithë banorët e Lushnjës që do blejnë produktet agro-ushqimore, t’i kemi këtu. T’ia vëmë si objektiv, madje në hapje le të jetë si një ‘treg Krshtlindjesh”, premtoi Balla në shtator të vitit 2022.

Edhe gjatë bisedës me kryetaren e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, kjo e fundit deklaroi se afati i dorëzimit të tregut ishte fundi i vitit 2022.

Screenshot, postimi në Facebook i kryebashkiakes

Mirëpo, në një postim të bërë në Facebook më 27 mars 2023, kryeministri Edi Rama vërtetoi që ky treg nuk ishte hapur brenda afateve të parashikuara dhe premtuara nga zyrtarët publikë.

“Ja dhe markata e re e fruta-perimeve në Lushnjë, një hapësirë e bollshme ndërtuar me standardet më të mira higjeno-sanitare, dhe që mbi të gjitha do të jetë një pikë takimi e shumëpritur mes fermerëve dhe konsumatorëve të zonës, ku do të tregtohen produktet e stinës”, shkroi kryeministri Rama në Facebook, duke postuar edhe pamje nga markata e re.

Screenshot, postimi i kryeministrit Rama në Facebook, 27 mars 2023

Faktoje bëri një verfikim në terren në Lushnjë më 28 mars. Ajo që binte në sy sapo futeshe në rrugicën që të çon drejt markatës së re, ishte rruga dhe trotuarët e “pushtuar” nga tregtarë që shisnin produkte të ndryshme, që nga frutat e perimet e deri te enët e kuzhinës.

Lushnjë, tregu i fruta perimeve në trotuar dhe rrugë, 28 mars 2023

Të dy anët e rrugës ishin bllokuar nga tregtarët, duke krijuar kaos në trafik dhe vështirësi për kalimin e qytetarëve. Të pyetur nga Faktoje, qytetarë të Lushnjës shprehen:

“Tregu na duhet se këtu blejmë përditë, por pisllëk është. Në një anë arkat me fruta dhe perime që kalben, në një anë pluhuri rrugës, nga ana tjetër kazanët e mbeturinave. Në verë këtu të mbyt era, nuk kalohet”.

Lushnjë, 28 mars 2023

Të pyetur nga Faktoje në lidhje me hapjen e tregut të ri, tregtarët shprehen se u është premtuar se hapet para zgjedhjeve vendore, por nuk ishin informuar mbi detajet e tjera.

Tregu i ri ende jo funksional i rrethuar dhe tregtarët që shesin në rrugë, 28 mars 2023

“Tani për zgjedhje na thanë që do zhvendosemi te tregu ri, por hajde të na fusësh ne aty. Kush ka terezi të paguajë 50 mijë lekë (të vjetra) në muaj, këtu jemi pa pagesë. Më mirë sigurisht që do jetë te tregu, se dhe mallin na kanë thënë që do e lemë aty kur e mbyllim, por s’e dimë, të shohim tani si do shkojnë gjërat”, thonë tregtarët.

Tregu i ri i rindërtuar, 28 mars 2023

Në kantierin e ndërtimi nuk kishte tabelë që të tregonte mbi afatet e përfundimit të projektit, ndërsa pjesa e markatës ishte e gjitha e rrethuar.

Në videon e publikuar në shtator 2022 nga kryebashkiakja e Lushnjës gjatë inspektimit të punimeve duket edhe tabela, ku thuhet se afati i punimeve ishte 4 muaj.

Tabela e punimeve, screenshot nga faqja e Facebook e kryetares së Bashkisë së Lushnjës

Referuar të dhënave zyrtare nga ‘Open procurement’, vlera për ndërtimin e këtij tregu është 29 283 337,00 lekë dhe data e lidhjes së kontratës 08-07-2022. Ndërkohë, sipas këtyre të dhënave, data e përfundimit është 113 ditë.

Screenshot nga ‘Open Procurement’

Në lidhje me afatet e përfundimit të tij dhe sa do të jetë pagesa mujore për tregtarët, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Lushnjës. Jemi në pritje të një përgjigjeje nga ky institucion, duke respektuar afatet ligjore për të Drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Lushnjë, 29 mars 2023

Premtimi për markatën e Lushnjes rezulton i pambajtur dhe i ricikluar për qëllime elektorale.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img