BallinaRajoni përmes fakteveA duhet “fajësuar” Maqedonia e Veriut se penalizoi Shqipërinë për negociatat me BE-në?

A duhet “fajësuar” Maqedonia e Veriut se penalizoi Shqipërinë për negociatat me BE-në?

Përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian, të martën më 18 nëntor nuk arritën konsensusin për kornizën e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo e shtyn në kohë Konferencën e parë Ndërqeveritare, që shënon dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim. Deputeti Arben Pëllumbi, që është edhe  Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste të Shqipërisë, “fajësoi” Maqedoninë e Veriut, duke argumentuar se veto e Bullgarisë ndaj saj penalizoi edhe Tiranën zyrtare për negociatat. Por sa qëndrojnë këto deklarata?


Deputeti i PS-së, që mban edhe detyrën e Sekretarit Organizativ të Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi, gjatë një interviste në “Vizion Plus” më 20 nëntor, deklaroi se veto e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, penalizoi Shqipërinë për negociatat me Bashkimin Europian.

Qeveria i ka bërë detyrat e veta… Megjithatë, po të kemi parasysh faktin që në takimin e kaluar u pengua Maqedonia e Veriut prej nesh, tanimë duket se do pengohemi ne prej Maqedonisë së Veriut, sepse Bullgaria u kujtua tani, në vend që të kujtohej në tjetër kohëdeklaroi Pëllumbi.

Sa qëndron deklarata e zyrtarit të PS?

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mundën të marrin një datë për sa i përket kornizës së bisedimeve për anëtarësim, që do i hapte rrugë kësisoj Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Siç e përmendi edhe përfaqësuesi i presidencës gjermane, ministri i Shtetit Michael Roth, Maqedonia e Veriut u penalizua nga Bullgaria.

Duhet të bëjmë dallimin mes konflikteve dypalëshe, pikave të fërkimit që ka ende mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nga njëra anë, dhe BE-së si një të tërë, nga ana tjetër. Nuk është ky momenti që problemet dypalëshe ende të pazgjidhura të ngrihen, në nivel europian – deklaroi Roth.

Maqedonia e Veriut, sipas Bullgarisë duhet të pranojë që ka rrënjë bullgare dhe se maqedonishtja është një dialekt bullgar perëndimor. Maqedonia e Veriut këmbëngul me tone relativisht të forta antibullgare për mëvetësinë e saj kombëtare. Duke qenë se Maqedonia e Veriut refuzon ta bëjë këtë, Bullgaria po bllokon fillimin e bisedimeve të antarësimit mes Shkupit dhe BE-së.

Por nga ana tjetër, “pengimi” i Shqipërisë, siç edhe u konfirmua nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian erdhi nga faktorë të saj të brendshëm dhe jo nga Maqedonia e Veriut.

Së pari, Gjykata Kushtetuese duhet të nisë punën, dhe së dyti zbatimi i ligjit të ri zgjedhor. Sidoqoftë, arsyet për optimizëm, se kjo do të ndodhë shpejt, janë një çështje e vështirë tha mininistri gjeman i Shtetit për Evropën Michael Roth.

Cilët ishin faktorët që penalizuan Shqipërinë?

Marrja e Presidencës së Këshillit Europian nga Gjermania më 1 korrik u pa me optimizëm nga zyrtarë të shumicës qeverisëse për integrimin e Shqipërisë në BE. Në javën e dytë të nëntorit, ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, kërkoi nga vendet anëtare të BE-së të miratonin çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por nuk dha një datë për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Nga ana tjetër, mospërmbushja e kushteve të Bundestagut si dhe linja e re e integrimit të BE-së, e miratuar në muajin tetor duket se po zbehin shanset e Shqipërisë për anëtarësim.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese nuk mund të plotësojë kuorumin për gjykimin e çështjeve sa i takon themelit të tyre, sepse janë vetëm 4 anëtarë në detyrë.

Reforma Zgjedhore gjithashtu mund të kthehet në një problem, pasi maxhoranca e rivotoi në Kuvend Kodin Zgjedhor të ndryshuar, edhe pse Presidenti Ilir Meta kërkoi të pritej opinion i Komisionit të Venecias. Të njëjtën këshillë përsëriti edhe BE për qeverinë.

Holanda po ashtu ka ende rezerva për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Ky vend kërkon që Shqipëria të sigurojë më parë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të zbatojë ligjin për median, para se të flitet për çeljen e negociatave. Me Maqedoninë e Veriut holandezët nuk kanë problem. Kryeministri Edi Rama në një bisedë me gazetarët para dy javësh, e mohoi se ka ende kushte të hapura. Sipas tij qëndrimi refuzues i Holandës lidhet me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Pozicioni i Shqipërisë mund të përkeqësohet nga akuzat për shit-blerje të votave!

Eurodeputeti David Lega, Raporter për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe përfaqësues i PPE, përmes një mesazhi në “Tëitter” njoftoi se së bashku me dy eurodeputetë të tjerë, fill pas përfundimit të mbledhjes së ministrave për Çështjet europiane, më 18 nëntor kërkuan  përgjigje nga përfaqësuesit e Lartë të BE, Josep Borrel se përse Komisioni Europian në raportin e tij nuk e ka përmendur “blerjen e votës” në Shqipëri si një çështje me rëndësi, jo vetëm për PPE por edhe BE.

Sot i kërkuam Josep Borrel përse Komisioni Europian nuk ka përmendur shitblerjen e votës në raportin e 2020. Nisja e hetimeve ndaj të akuzuarve për blerjen e votave është një kusht thelbësor për BE dhe jo vetëm për PPE. Si reporter për monitorimin e Shqipërisë, gjithmonë do të fokusohem tek sundimi i ligjit dhe demokracia. Shitblerja e votës është një problem serioz për demokracinë dhe nuk mund të pranohet në një vend kandidat për në BE – shkroi eurodeputeti teksa publikoi edhe dokumentin zyrtar drejtuar Borrel.

Letra e eurodeputetëvëe drejtuar zyrtarëve të Bashkimit Europian

Siç edhe e konfirmuan zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian, pengesat në raport me Shqipërinë në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, nuk erdhën nga Maqedonia e Veriut apo Bullgaria, por nga zhvillimet e brendshme në vend.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img