BallinaPertejÇelen negociatat me BE-në, por ku jemi me 9 kushtet e Gjermanisë?

Çelen negociatat me BE-në, por ku jemi me 9 kushtet e Gjermanisë?

MARJO BRAKAJ

Hapja e negocitave me BE-në, mbërriti në një ditë të vështirë për Shqipërinë, e cila përballet me frikën dhe pasojat e përhapjes së koronavirusit. Ministri i Jashtëm gjerman, Michael Roth e konsideroi të merituar këtë fitore. Por si ka ecur Shqipëria me 9 kushtet e vendosura po nga Gjermania në shtator të vitit të kaluar?


Këshilli i Ministrave për çështjet e Evropës në BE konfirmoi hapjen e bisedimeve me BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, këtë të martë.

Postimi në Twitter i ministrit të Jashtëm gjerman, Michael Roth

Një lajm i shumëpritur që vjen në kohë të vështira, atëherë kur çdo gjë duket sikur ka ndalur, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Megjithatë Shqipëria ia doli dhe kjo u përshëndet brenda një kohe të shkurtër nga drejtuesit më të lartë të shtetit, opozita, ambasadori i BE-së Soreca , Ambasadorja e SHBA Juri Kim dhe dashamirës të Shqipërisë.

Përtej lajmit të mirë, procesi i hapjes së negociatave e ngarkon Shqipërinë edhe me disa detyrime dhe kushte që duhen plotësuar. “Faktoje” iu rikthye 9 kushteve të vendosura nga Gjermania shtatorin e vitit 2019 kur grupi parlamentar gjerman, CDU/CSU, sugjeroi çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në “këmbim” të zbatimit të tyre.

– Kushtet shtesë të Gjermanisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit:

1. Funksionimi i Gjyktës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese!
2. Miratimi i Reformës Zgjedhore!
3. Zbatimi i Reformës Zgjedhore!
4. Ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar testin e
Vettingut!
5. Ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave!
6. Vënia në punë e Prokurorisë Speciale për luftimin e korrupsionit, “SPAK”!
7. Rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja
dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit!
8. Përparime në reformën e Administratës Publike!
9. Sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së Zgjedhjeve Lokale të 30 Qershorit 2019!

“Faktoje” bëri një verifikim të ecurisë së Shqipërisë në lidhje me 9 kushtet e vendosura.

1. Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë ende nuk kanë arritur të konsituohen plotësisht me anëtarë. Fakt është që Kushtetuesja është jo funksionale, për aq kohë sa nuk plotësohet numri minimal prej 6 anëtarësh. Dhe arsyeja qëndron tek konflikti institucional Kuvend-president- qeveri. Po ashtu edhe mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë, që lidhet ngushtësisht me Kushtetuesen, mbetet një problem, pasi 3 anëtarë të saj propozohen nga Gjykata e Lartë. Ndaj kushti i parë në listën e “Gjermanisë” deri tani është i pa plotësuar.

2. Përfundimi i Reformës Zgjedhore, i premtuar për në 15 mars, nuk ka ndodhur. Përfaqësues të Partisë Socialiste, partisë Demokratike dhe LSI nënshkruan më 14 janar marrëveshjen për miratimin e Reformës Zgjedhore. Firmëtarët ishin Damian Gjiknuri nga PS, Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI.

“Palët e përfshira angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve objekt i punës të reformës zgjedhore, përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR. “Palët angazhohen që reforma të përfundojë jo më vonë se 15 Mars 2020”, mbyllet dokumenti. Por, mosmarrëveshjet dhe kërkesat e ndryshuara nga PD si dhe pandemia “COVID-19” bënë që Reforma Zgjedhore të mos miratohej.

Reforma Zgjedhore, akt-marrëveshja

Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve politike, në një intervistë për A2CNN më 11 shkurt u shpreh se Reforma Zgjedhore po trajtohet si marrëveshje mes partive duke iu larguar qëllimit të saj të vërtetë.

“Fakti është që deri tani ai që quhet Këshilli Politik ka arritur kompromis për një agjendë dhe disa prioritete, por jemi ende larg një produkti konsensual ose një gjëje të shkruar. Palët politike u janë larguar temave të mëdha që mund të prekin sistemin, financimin elektoral dhe elementë të
tjerë.”-tha Krasniqi.

3. Për zbatimi e Reformës Zgjedhore, kushti i tretë i Bundestagut duhet të pritet viti 2021 kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.Vajta në këto zgjedhje me Kod të ri do të shënonte, përmbushjen e kësaj kërkese. Por, zbatimi, ku ende nuk është arritur miratimi, i reformës duket ende larg.
Edhe për analistin Agron Gjekmarkaj, dështimi i mundshëm i Reformës Zgjedhore do ishte zhgënjim për qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Është një nga 9 pikat e Bundestagut dhe në një farë mënyrë është pikë themelore për të ndërmjetësuar mes palëve për të dhënë garanci si dhe për zgjedhje lokale dhe të përgjithshme. Që të mos dështojë është në interesin e të gjithëve dhe duhet një kompromis jo banal, por një kompromis që të marrë për bazë të gjitha problemet e infrastrukturës zgjedhore.”-thotë Gjekmakaj.

4. Edhe kushti i 4-t sa i përket ndjekjes penale të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar
vettingun, mbetet i paplotësuar. Kjo pasi në Ligjin për Vetingun nuk parashikohet përgjegjësi penale për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk e kanë kaluar atë. Kjo citohet edhe në përgjigjen që
Prokuroria e Përgjithshme i dërgoi  një përgjigje “Faktojes” për pyetjen nëse ka gjyqtarë ose prokurorë të ndjekur penalisht që u shkarkuan pas Vettingut.

5. Një tjetër kusht është edhe ajo e ndjekjes penale për autorët që kanë marrë pjesë në fenomenin e shit-blerjes së votave. Rastet më të “freskëta” që ilustrojnë këtë fenomen të postkomunizmit, janë të ashtuqujturat “Dosja 184”dhe “Dosja 339” pas publikimit të disa përgjimeve audio nga një media e huaj dhe ajo vendase. Çështjet e lidhura me shit-blerjen e votës janë në hetim nga prokuroria, por nëse do shkojnë ose jo në gjykatë, kjo mbetet për t’u parë.

6. Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, që do të hetojë zyrtarët, prokurët dhe gjyqtarët e korruptuar u ngrit më 19 dhjetor 2019. Prokuroria e Posaçme u ngrit me një numër minimal nën nivelin kushtetues prej 8 prokurorësh, të cilët ia dolën të kalojnë me sukses të dyja shkallët e vetingut. Prokurorët janë Elida Kaçkini, Enkeleda Millonai, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben
Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani. Kusht i plotësuar!

7. Ngritja e SPAK duket se gjithsesi nuk ka arritur të japë ende rezultate të prekshme që mund të përkthehen si përmbushje e kushtit të 7-të të Gjermanisë. Rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit mbetet ende një sfidë, ndërsa paralelisht qeveria ka urdhëruar ngritjen e një tjetërtrukturë për këtë qëllim OFL.
8. Përsa i përket reformës në administratën publike, konstatohet dixhitalizim i pjesshëm i shërbimeve apo shtim i portaleve për ofrimin e shërbimeve “online”. Edhe Ligji për Statusin e Nëpunësit Civil i vitit 2011 duket se nuk ka sjellë rezultatet e pritshme në këtë kuadër.

9. Edhe kushti për dhënien e vendimit nga Kushtetuesja për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit nuk është përmbushur, në mungesë të një gjykate Kushtetuese funksionale. Këtë rol deri në njëfarë mase e ka luajtur Komisioni i Venecias.

Nga konstatimi i Faktoje, rezulton se të paktën 6 nga 9 kushtet e Gjermanisë, nuk janë përmbushur, ndërkohë që me vendimin e sotëm për çeljen e negociatave, Shqipërisë i shtohen detyra e kushte të reja.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img