BallinaPertejKonferenca e Parë Ndërqeveritare, kornizat negociuese dhe shanset e zbehura të Shqipërisë për anëtarësim

Konferenca e Parë Ndërqeveritare, kornizat negociuese dhe shanset e zbehura të Shqipërisë për anëtarësim

Marrja e Presidencës së Këshillit Europian nga Gjermania më 1 korrik u pa me optimizëm nga zyrtarë të shumicës qeverisësë për integrimin e Shqipërisë në BE. Në fillim të kësaj jave, ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, kërkoi nga vendet anëtare të BE-së të miratonin çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por nuk dha një datë për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Nga ana tjetër, mospërmbushja e kushteve të Bundestagut si dhe linja e re e integrimit të BE-së, e miratuar në muajin tetor duket se po zbehin shanset e Shqipërisë për anëtarësim.


Më 24 mars 2020, Këshilli i Ministrave për Çështjet e Evropës në BE konfirmoi hapjen e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e cila u shoqërua edhe me nevojën për plotësimin e disa kushteve.

Më 1 korrik 2020, Gjermania zëvendësoi Kroacinë në krye të Këshillit Europian, me një mandat 6-mujor. Amasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf kërkoi zbatimin e reformave të integrimit, me qëllim përparimin e këtij procesi.

Pjesë e së ardhmes së Europës është edhe perspektiva europiane e Shqipërisë dhe rajonit. Kushtet e formuluara formalisht, të cilat ishin paracaktuar edhe në vendimin e Bundestagut, janë cilësuar në vend si një udhërrëfyes për kalendarin shqiptar të reformave – u shpreh ambasadori Zingraf.

Pas më shumë se katër muajsh e gjysmë, në krye të Këshillit Europian, ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, kërkoi nga vendet anëtare të BE-së të miratonin çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë konferencës për shtyp, Roth renditi edhe kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë me qëllim zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, pa dhënë një datë të saktë.

Unë ndjeva se takimi i sotëm do të na lejojë të arrijmë një përfundimin, një përfundim të suksesshëm, në fund të presidencës sonë, çfarë do të thotë miratimi i kuadrit negociues dhe hapja e konferencës së parë. Me të drejtë, ju u referuat Shqipërisë, dhe ju thatë se ka ende dy pika, dy çështje dhe pjesa e përfundimeve të Këshillit në prill. Së pari, Gjykata Kushtetuese duhet të nisë punën, dhe së dyti zbatimi i ligjit të ri zgjedhor. Sidoqoftë, arsyet për optimizëm, se kjo do të ndodhë shpejt, janë një çështje e vështirë – deklaroi Roth.

Po ku ndodhet Shqipëria me kushtet që ministri gjerman, Roth përmendi?

Aktualisht Gjykata Kushtetuese nuk mund të plotësojë kuorumin për gjykimin e çështjeve sa i takon themelit të tyre, sepse janë vetëm 4 anëtarë në detyrë. Në parim duhet edhe 1 anëtar që të plotësohet kuorumi i vendimarrjes, por në realitet Gjykata Kushtetues nuk do të jetë funksionale nëse nuk plotësohet me 9 anëtarë. Pse? Sepse Ligji “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” në nenin 72 pika 2 përcakton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të saj. Abstenimi nuk lejohet.

Reforma Zgjedhore gjithashtu mund të kthehet në një problem. Për çështjen e Kodit Zgjedhor të ndryshuar, për të cilin presidenti Ilir Meta kërkoi opinionin e “Venecias”, qeveria vendosi të mos presë. Ajo e rivotoi në Kuvend edhe pse Bashkimi Europian kishte kërkuar të pritej opinion i “Venecias”.

Unë besoj se Komisoni i Vencias do të japë këshilla të shpejta për palët e interesuara  mbi zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të marrë në konsideratë këtë këshillë. Mezi po pres për të parë  zgjedhjet të lira dhe të ndershme në prill 2021” – deklaroi Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi më 26 tetor.

Paketa e re e integrimit të BE-së zbeh shanset e Shqipërisë!

Në muajin tetor 2020 Komisioni Europian miratoi Paketën e re të Zgjerimit të Bashkimit Europian.

Në mënyrë të veçantë, Komisioni miratoi një Plan Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili përcakton të sigurojë deri në 9 miliardë euro të fondeve të BE-së për investime në lidhje të qëndrueshme, energji të pastër, mjedis, dixhitalizim, kapital njerëzor dhe konkurrencë.

Raporti shtjellon se çfarë lloj reformash nevojiten në secilin prej vendeve, duke siguruar “rekomandime dhe udhëzime më të qarta dhe më të sakta për hapat e ardhshëm”. Në përgjithësi, fushat në të cilat të gjitha vendet janë më pak të përparuara, janë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Axhenda e re e integrimit thotë se, nevojitet integrim më i thellë ekonomik i Ballkanit Perëndimor me BE

Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare analizoi se, Shqipëria paraqitet më dobët se vendet te tjera të Rajonit si Serbia, Mali i zi dhe Maqedonia.

Zhvillimet politike dhe ekonomike në Europë dhe rajon sugjerojnë se Maqedonia dhe Serbia do të kenë integrim më të shpejtë sesa Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, analizojnë ekspertët e Vjenës. Sipas tyre, Europa duhet të qartësojë strategjinë e integrimit për Ballkanin, fillimisht duke i bërë shtetet më të fuqishme ekonomikisht, sidomos në drejtim të lidhjeve infrastrukturore me BE-në – thuhet në raport.

Konferenca e Parë Ndërqeveritare, e cila do përkojë edhe me prezantimin e kuadrit negociues për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është programuar të zhvillohet brenda presidencës gjermane në krye të KE-së. Nëse nuk arrihet do shtyhet për periudhën kur stafetën e presidencës së Këshillit Europian do ta marrë Portugalia, me një mandat 6-mujor.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img