Pretendimi: Kjo video tregon një burrë që bllokon hyrjen e tualetit për të mbrojtur gruan e tij, ndërsa një burrë tjeter kërkon të hyjë duke pretenduar se është femër.
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————
Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në Facebook pretendohet se tregon një burrë që ka vendosur të bllokojë hyrjen e tualetit të grave për të mbrojtur bashkëshorten e tij, duke mos lejuar hyrjen e një personi tjetër, i cili pretendon se është femër dhe kërkon të përdorë ambientin.

Video, afërsisht 10 sekonda e gjatë, duket se tregon dy persona që debatojnë para një tualeti për femra në atë që duket të jetë një qendër tregtare. Ajo paraqet ngjyrat e ylberit, një simbol i diversitetit seksual, dhe tregon një person të veshur me fund që bërtet me zemërim, ndërsa një person tjetër i veshur me një kapele të kuqe, me shumë gjasa me inicialet MAGA, që përpiqet ta qetësojë.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon një situatë që ka ndodhur vërtet. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video ishte postuar fillimisht në Facebook më 24 shkurt nga një llogari e quajtur Crazy Scenes USA.
Kjo llogari ka postuar dhjetëra video të shkurtra që duket se tregojnë skenarë të ngjashëm me atë të videos së mësipërme, me njerëz që bllokojnë hyrjen e banjës së grave dhe nuk lejojnë hyrjen e një personi me flokë të lyer, ose një burri me fustan, zakonisht të veshur me motive ngjyrash ylberi.

Nëse këto video duken si të bëra me porosi, kjo është sepse janë të bëra me porosi nga programe AI. Kjo konfirmohet nga vetë përshkrimi i faqes, ku shkruhet se përmbajtjet janë të gjeneruara me AI.

Imazhe të tilla të krijuara nga Inteligjenca Artificiale kanë për qëllim të krijojnë skena të debatueshme, të cilat ngjallin emocione dhe shoqërohen me komentet pro dhe kundra dhe si rrjedhojë rrisin audiencën e faqeve.





