SPAK kërkon psikologë për shkak të presioneve ndaj hetuesve dhe dëshmitarëve

Për 2027, kërkohen 25 pozicione të reja pune për SPAK dhe 94 pozicione për Byronë Kombëtare të Hetimit. Procesi i rekrutimit kërkon kohë për shkak të testimeve dhe verifikimeve të pasurisë dhe figurës së kandidatëve. Gjatë vitit 2026, SPAK ka marrë në shqyrtim qindra çëshjte të rëndësishme që vijojnë të jenë ende nën hetim.

20
Struktura e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK)

Në buxhetin e shpenzimeve për vitin 2027, SPAK ka kërkuar të punësojë një psikolog për shkak të presioneve psikologjike, kërcënimeve ndaj dëshmitarëve dhe ngarkesës së lartë me të cilën përballen hetuesit e BKH-së. 

Në komisionin për Nismat Qytetare në Kuvend, prokurori Alfred Shehu parashtroi kërkesat dhe efektet financiare për projekt-buxhetin e vitit 2027 të Prokurorisë së Posaçme.

Gjatë raportimit, drejtori i buxhetit të institucionit, Armand Shini argumentoi nevojën për ndihmën psikologjike, jo vetëm për hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor”, tha Shini.

Nga ana tjetër, SPAK ka planifikuar edhe investime për pajisje të reja, automjete dhe teknologji, përfshirë shpenzime për kasaforta dhe grirëse letrash.

“Për vitin 2027 janë parashikuar 15 milionë lekë për pajisje zyrash, përfshirë kasaforta, grirëse letrash, mobilje dhe pajisje për ambientet mbështetëse. Ndërkohë, 30 milionë lekë janë planifikuar për blerjen e 8 automjeteve dhe 174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike”, tha prokurori i SPAK, Alfred Shehu

Shehu shpjegoi se buxheti i SPAK është rritur nga 327 milionë lekë në vitin 2020 në 2,3 miliardë lekë në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 608%. Ndërkohë, për vitin 2027, projektbuxheti i SPAK është parashikuar në 2,32 miliardë lekë.

Sipas Shehut, rritja e buxhetit lidhet me shtimin e volumit të punës, numrit të punonjësve dhe zgjerimin e aktivitetit të institucionit.

Gjatë seancës dëgjimore, Shehu theksoi se SPAK dhe BKH kanë kërkuar shtimin e 25 pozicioneve të reja, nga të cilat tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në Byronë Kombëtare të Hetimit.

Aktualisht, struktura organike parashikon 339 pozicione, por vetëm 220 janë të plotësuara. Nga këta, 136 punonjës janë në SPAK dhe 94 në BKH.

Në total, rezultojnë 119 vende vakante, nga të cilat 25 në Prokurorinë e Posaçme dhe 94 në BKH.

Shehu zbuloi se kanë nisur procedurat për rekrutimin e 40 hetuesve, ndërsa nevoja e institucionit është për 94 hetues të rinj.

Ai shtoi se procesi kërkon kohë për shkak të testimeve dhe verifikimeve të pasurisë e figurës së kandidatëve.

Sipas SPAK, një ndër zërat kryesorë të buxhetit ka qenë ndërtimi i godinës së Strukturës së Posaçme, e cila aktualisht është në fazën përfundimtare.