Ende asnjë provë për kimikatet në vijat e bardha pas avionëve

10

Pretendimi: Avionët spërkasin nga ajri kimikate që sëmurin popullsinë

Verdikti: E paprovuar

————————————————————————-

Një video (arkivuar këtu) që po qarkullon në hapësirat konspiracioniste online, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se aeroplanët që fluturojnë mbi tokë spërkasin kimikate të dëmshme që shkaktojnë sëmundje fizike dhe mendore tek popullsia.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Spërkatja e kimikateve nga avionët (chemtrails) është një teori konspirative që pretendon se qeveria apo palë të tjera janë të angazhuar në një program sekret për të futur kimikate toksike në atmosferë nëpërmjet avionëve në një mënyrë që formon vazhda në qiell, si ato që duken pas avionëve.

Sipas Agjencisë amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe NASA, vazhdat e bardha që duken pas avionëve në qiell quhen vazhda kondensimi (contrails), përbëhen kryesisht nga uji, dhe “nuk janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.”

Vazhdat e kondesimit formohen kur avulli dhe grimcat e hirit të imët nga djegia e karburantit të avionit ngrijnë në kristale akulli. Në ajër me lagështi të ulët, kristalet thjesht shpërbëhen. Nëse ajri ka më shumë lagëshit, ato mbeten, dhe krijojnë vazhdat e avullit që duken me sy nëpër qiell. Ky ndryshim në nivelin e lagështisë së ajrit shpjegon pse disa avionë kanë vazhdë kondensimi dhe disa jo.

Më 22 nëntor 2016, një sondazh i shkencëtarëve atmosferikë u botua nga Environmental Research Letters. 76 nga 77 (98.7%) e shkencëtarëve që morën pjesë në këtë studim thanë se nuk kishte prova të ekzistencës së një programi sekret të spërkatjes atmosferike në shkallë të gjerë dhe se të dhënat e cituara si prova mund të shpjegoheshin përmes faktorëve të tjerë.

Siç shpjegon skuadra kërkimore e fizikantit David Keith në Universitetin e Harvardit, nuk ka prova për ekzistencën e vazhdave kimike (chemtrails). Nëse do të ekzistonte vërtet një program qeveritar i kësaj shkalle, ai do të përfshinte një program po aq masiv për prodhimin, ngarkimin dhe shpërndarjen e materialeve. Mijëra ose edhe dhjetëra mijëra njerëz do duhej të punonin për këto programe. Kjo do të thotë se do të ishte tmerrësisht shumë e vështirë që kjo të mbetej sekrete për shumë gjatë, pasi do të mjaftonte vetëm një njeri i përfshirë në program të dilte hapur i pajisur me prova si fotografi, dokumente, apo pajisje fizike për ta dekonspiruar.

Këto prova ende nuk kanë dalë.

Skuadra e Keith shpjegon më tej:

“Nëse beson në kemtrajle, pyete veten si mund të jesh kaq i sigurt që ka vërtet një konspiraci të madhe. Merr në konsideratë shpjegime alternative, të thjeshta. Ki parasysh që interneti është plot me njerëz që janë krejt të sigurt për gjëra që thjesht nuk janë të vërteta. Ki parasysh që edhe pse qeveritë mund të mbajnë sekrete që përfshijnë vetëm pak njerëz, ato nuk arrijnë të mbajnë sekret programe të mëdha. Rusët, për shembull, dinin detaje specifike mbi projektin e bombës atomike që përpara se të ndodhte testimi i parë i armëve bërthamore, dhe në atë rast njerëzit e përfshirë në atë projekt kishin motivin e qartë patriotik të mbanin sekretin.

Nëse mendon se vazhdat e kondensimit të avionëve “duken ndryshe” ose “po sillen çuditshëm” konsidero që vazhdat e zakonshme të kondensimit nganjëherë mbeten për një kohë të gjatë dhe mënyra se si duken mund të ndryshojë papritur përgjatë të njejtës rrugë sepse avionët fluturojnë përmes vendeve me temperatura dhe lagështi të ndryshme. […] Sigurisht që ka mundësi që diçka tjetër po ndodh, por për ta provuar duhet më shumë se thjesht fotografi të diçkaje që duket njësoj me vazhdat normale të kondesimit”.

Faktoje ka verifikuar edhe më parë pretendime lidhur me të ashtuquajturat kemtrajle.