.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëA janë universitetet publike shqiptare jashtë renditjes botërore të TIMES?

A janë universitetet publike shqiptare jashtë renditjes botërore të TIMES?

Nga Jona Cenameri – Më 13 tetor 2025, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, doli me një deklaratë publike ku denonconte gjendjen e arsimit të lartë në vend.

Sipas tij, “asnjë universitet publik shqiptar nuk figuron në renditjen ndërkombëtare World University Rankings 2026, të Times Higher Education (THE), Universiteti i Tiranës ka status ‘Reporter’; ndërsa universitetet e rajonit janë të renditura, si për shembull Universiteti i Prishtinës, që ndodhet ‘në vendin e 518-të”.

Boçi argumenton se kjo situatë “vjen nga politizimi i institucioneve, emërimet partiake, mungesa e kërkimit shkencor dhe financimeve transparente, si edhe ndërhyrjet e qeverisë që kanë cënuar autonominë universitare”.

Por sa e vërtetë është kjo deklaratë dhe çfarë tregon kjo renditje?

Çfarë është THE dhe si funksionon renditja ?

Times Higher Education (THE) është një organizatë britanike e specializuar në analizën dhe klasifikimin global të universiteteve kërkimore. Çdo vit, ajo publikon World University Rankings (WUR), që për vitin akademik 2026 përfshiu 2,191 universitete nga 115 vende dhe është publikuar më 9 tetor 2025.

Renditja bazohet në 18 tregues të ndarë në pesë fusha: mësimdhënie, mjedis kërkimor, cilësi kërkimi, perspektivë ndërkombëtare dhe lidhje me industrinë.

Kriteret

Për t’u renditur në World University Rankings të Times Higher Education, një universitet duhet të përmbushë 7 kritere bazë:

  1. Të ketë aktivitet të provuar kërkimor, më shumë se 1,000 publikime gjatë 5 viteve të fundit dhe të paktën 100 publikime në secilin vit.
  2. Të japë mësim në nivelin bachelor. Institucionet që ofrojnë vetëm studime pasuniversitare (postgraduate-only) përjashtohen.
  3. Të mos jetë i fokusuar vetëm në një fushë studimore, më pak se 80% e prodhimit kërkimor duhet të vijë nga një subjekt i vetëm.
  4. Të ketë dorëzuar të dhëna të përgjithshme për vitin e vlerësimit, që përfshijnë: staf, studentë, të ardhura, publikime dhe të dhëna të tjera institucionale.
  5. Të mos mungojnë më shumë se dy nga vlerat thelbësore (si stafi akademik, studentët ndërkombëtarë, të ardhurat kërkimore, etj.). Nëse mungojnë më shumë se dy, institucioni përjashtohet nga renditja.
  6. Të ketë të paktën një fushë akademike të raportuar, nëse nuk është raportuar asnjë, institucioni përjashtohet.
  7. Të mos jetë në listën e përjashtimeve të personalizuara, që përfshin universitetet që kanë refuzuar të marrin pjesë në renditje ose nuk janë të përshtatshme për arsye të tjera institucionale.

Vetëm universitetet që përmbushin të shtatë kriteret përfshihen në renditjen botërore.

Ndërsa ato që kanë plotësuar vetëm kriteret 4, 6 dhe 7, por jo të gjitha kriteret e tjera të mbetura, nuk përfshihen në renditjen me pikë.

Këto institucione renditen me statusin “Reporter”, që do të thotë se kanë marrë pjesë duke dorëzuar të dhëna, por nuk janë vlerësuar me pikë apo pozicion për shkak të mungesës së disa treguesve kryesorë.

Ky status nuk nënkupton performancë të dobët akademike, por sinjalizon që universiteti nuk ka dorëzuar ose nuk ka pasur mjaftueshëm të dhëna për matjen e plotë, sidomos në aspektin e kërkimit shkencor, citimeve dhe të ardhurave kërkimore.

Shpesh, “Reporter” konsiderohet si një fazë tranzitore për institucionet që po hyjnë në sistemin global të vlerësimit dhe përgatiten për përfshirje të plotë në edicionet e ardhshme.

Shqipëria në renditjen e THE 2026

Sipas faqes zyrtare “Study in Albania” në portalin e Times Higher Education, 5 universitete shqiptare janë pjesë e edicionit të vitit 2026, të gjitha me status Reporter:

Universiteti i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, European University of Tirana, Polis University dhe Western Balkans University. Asnjë prej tyre nuk ka numër renditjeje ose numër pikësh në tabelën kryesore.

Nga arkivi i renditjeve të mëparshme të THE viti qe vjen 2026 figuron si hyrja e parë e verifikueshme e Universitetit të Tiranës në klasifikim, si Reporter.

Burime zyrtare pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës (pa dashur të citohen me emër) i thanë “Faktoje” se institucioni është ftuar nga Times Higher Education për të marrë pjesë në proces, por ende nuk i ka dorëzuar të gjitha dokumentat e nevojshme për renditjen. 

Faktoje i është drejtuar zyrtarisht rektoratit me një kërkesë për informacion mbi këtë çështje, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.

Fqinjët ballkanas

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, një pjesë e universiteteve publike janë përfshirë në renditjen e plotë të THE me intervale renditjeje, ndërsa disa të tjera mbajnë statusin Reporter, ashtu si Shqipëria.

Serbi, Universiteti i Beogradit renditet në intervalin 1001-1200th, ndërsa Universiteti i Novi Sadit në 1501+. Në Maqedoninë e Veriut, Universiteti i “Shën Kirilit dhe Metodit” në Shkup renditet në 1501+, ndërsa Universiteti i “Shën Klimentit i Ohrit” në Manastir dhe Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë kanë statusin Reporter. 

Mal të Zi, Universiteti i Podgoricës figuron në renditjen 1501+. Në Bosnjë-Hercegovinë, Universiteti i Sarajevës ka të njëjtën renditje 1501+. Në Kosovë, Universiteti i Prishtinës shfaqet me renditjen 1501+, dhe jo në “vendin e 518-të”, siç u tha në deklaratën e deputetit Boçi.

Në Shqipëri, të gjitha universitetet e listuara në WUR 2026 mbeten në statusin Reporter, pra pjesëmarrëse, por jo të klasifikuara me renditje numerike.

Statusi “Reporter”

Statusi “Reporter” tregon që universitetet shqiptare kanë nisur pjesëmarrjen në sistemin ndërkombëtar të vlerësimit, por ende nuk plotësojnë kriteret e plota.

Arsyet më të zakonshme lidhen me mungesën e prodhimit shkencor të mjaftueshëm (botime dhe citime), pak bashkëpunime ndërkombëtare dhe të dhëna të paplota për kërkimin dhe stafin akademik. 

Deklarata 

Pretendimi se “asnjë universitet publik shqiptar nuk është i renditur në WUR 2026” është i saktë në thelb: institucionet shqiptare kanë statusin Reporter, pra s’kanë numër renditjeje. Pjesa tjetër e deklaratës, se Universiteti i Tiranës ka status “Reporter”, është po ashtu e saktë dhe verifikohet drejtpërdrejt nga profili zyrtar i UT në portalin e THE.

Megjithatë, pretendimi se Universiteti i Prishtinës ndodhet “në vendin e 518-të” është i pasaktë. THE nuk jep numra fiks për universitete në këtë nivel, por vetëm intervale renditjeje, dhe Universiteti i Prishtinës figuron në renditjen 1501+.

Po kështu, supozimi se statusi “Reporter” nënkupton “universitet të dobët” është i pavërtetë, ky është një klasifikim teknik, jo vlerësim cilësie.

Përfundim

Deklarata e nënkryetarit të PD, Luçiano Boçi, bazohet në fakte, por përfshin edhe pasaktësi numerike dhe interpretime politike.

Është e vërtetë që asnjë universitet publik shqiptar nuk ka renditje në THE 2026 dhe se Universiteti i Tiranës ka status “Reporter”.

Por statusi “Reporter” nuk është tregues i “kolapsit akademik”, por thjesht i mos-përmbushjes së plotë të kritereve metodologjike që lidhen kryesisht me kërkimin shkencor dhe publikimet ndërkombëtare. Ndaj dhe deklaratën e tij do ta kategorizojmë pjesërisht të vërtetë 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img