Debati për imunitetin e Ballukut

Eurodeputetja Isabel Wiseler-Lim: Nëse SPAK paraqet një kërkesë të re për heqjen e imunitetit, Parlamenti duhet të veprojë.

23
Eurodeputetja Isabel Wiseler Lim (majtas) ddhe ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku

Çështja e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku u kthye në një nga temat e diskutimit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE, ku qasjet e opozitës dhe ato të eurodeputetes Isabel Wiseler-Lim ishin të ndryshme.

Deputeti i opozitës, Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën socialiste se, përmes votimit kundër heqjes së imunitetit të Ballukut, i kishte ofruar asaj mbrojtje politike.

Bardhi kërkoi që Parlamenti të japë llogari politike dhe të garantojë transparencë përballë hetimeve të SPAK, duke theksuar se politika nuk duhet të shpallë fajtorë individët, pasi këtë e vendos vetëm gjykata.

“Është detyra e Parlamentit të japë mesazh të qartë se e mbështet luftën ndaj korrupsionit, se nuk mbështet asnjë zyrtar të korruptuar dhe se nuk ndërhyn në çështje të drejtësisë”, deklaroi Bardhi.

Në të njëjtin forum, eurodeputetja Isabel Wiseler-Lim u ndal te pavarësia e SPAK- ut dhe te mënyra se si funksionon mekanizmi i imunitetit parlamentar.

Eurodeputetja vendosi theksin te një tjetër element: vendimmarrja për imunitetin është kompetencë e Parlamentit.

Sipas saj, nëse SPAK paraqet një kërkesë të re për heqjen e imunitetit, Parlamenti duhet të veprojë.

“Pavarësia nuk është se sigurohet menjëherë”, tha Wiseler-Lim, duke ngritur edhe pyetjen nëse reforma në drejtësi do të jetë e pakthyeshme.

Çështja ndaj Belinda Ballukut nisi me procedimin penal nr. 167 më 9 gusht 2024, ndërsa ajo u regjistrua si person nën hetim më 20 tetor 2025; akuza fillestare ishte “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, ndërsa më pas SPAK ka njoftuar edhe dyshime për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale.