Nga Jona Cenameri
Denoncimet publike për mungesën e analizave laboratorike për pacientët e Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan kanë rikthyer në vëmendje mënyrën se si sigurohen ekzaminimet mjekësore për personat e shtruar në këtë institucion.
Pas deklarimeve se pacientët nuk merrnin shërbime laboratorike prej gati tre vitesh, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i tha Faktoje se Spitali Psikiatrik Elbasan bashkëpunon me Spitalin Rajonal Elbasan për ekzaminimet laboratorike, konsultat e specializuara dhe shërbimet e tjera diagnostike të nevojshme për pacientët e shtruar.
Në përgjigjen zyrtare, ministria bëri me dije gjithashtu se në Spitalin Psikiatrik Elbasan po realizohet një investim që parashikon edhe krijimin e një laboratori të brendshëm. Deri në përfundimin e këtij investimi dhe vënien në funksion të plotë të laboratorit, sipas MSHMS-së, nevojat laboratorike dhe diagnostike të pacientëve do të vijojnë të mbulohen përmes bashkëpunimit me Spitalin Rajonal Elbasan.
Çështja u ngrit publikisht më 11 prill 2026, kur përfaqësuesi i shoqërisë civile Gentjan Sejrani deklaroi se “prej gati tre vitesh rreth 300 pacientë”, të shtruar kronikë në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, nuk merrnin shërbim analizash kur kishin sëmundje apo probleme të tjera shëndetësore.
Sipas Sejranit, pjesa më e madhe e këtyre pacientëve janë persona me sëmundje kronike të shëndetit mendor, ndërsa shumë prej tyre janë të braktisur nga familjet.
Ai e paraqiti mungesën e analizave si mungesë të kujdesit bazë për një kategori pacientësh që kanë nevojë për vëmendje të vazhdueshme.
Në të njëjtën datë, drejtori i Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, Zenun Bullari, u shpreh se aktualisht pacientët shtrohen në spital pasi vijnë të shoqëruar me analiza biokimike. Sipas tij, vetëm në rastet urgjente analizat kryhen pranë Spitalit Rajonal Elbasan, pasi ky shërbim mungon në Spitalin Psikiatrik.
Denoncimi u përsërit më 26 prill 2026. Sejrani tha se informacionin për mungesën e analizave e kishte marrë nga punonjës të Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, të cilët, sipas tij, nuk kishin guxim ta bënin publik. Ai deklaroi se personeli mjekësor e kishte kontaktuar dhe i kishte thënë se, në disa raste, punonjësit kishin paguar vetë që pacientët të kryenin analiza në laboratorë privatë.
“Nëse Ministria e Shëndetësisë më nxjerr një kontratë të nënshkruar midis saj dhe Spitalit Psikiatrik ‘Sadik Dinçi’ në Elbasan për të ofruar analiza për këta pacientë, unë mbaj përgjegjësi”, u shpreh Sejrani.
Çështja u përmend edhe më 19 prill 2026, gjatë një mbledhjeje të Partisë së Lirisë, ku folën deputetë dhe anëtarë të grupit parlamentar të kësaj force politike. Në takim, mjeku Gentian Çala deklaroi se Spitali Psikiatrik i Elbasanit ishte lënë jashtë koncesionit të laboratorëve.
“Spitali më i madh psikiatrik në vend nuk bënte analiza sepse ishte lënë jashtë koncesionit të laboratorëve”, tha Çala. Ai shtoi se kjo situatë kishte vënë në vështirësi edhe mjekët, pasi sipas tij nuk kishin mundësi t’u kryenin analiza pacientëve.
Çala solli edhe një shembull nga përvoja e tij, duke thënë se kur dërgonte pacientë nga Pogradeci në Elbasan, i dërgonte me analiza të kryera paraprakisht. Sipas tij, kjo bëhej sepse kolegëve në spital “u vinte keq” t’u kërkonin pacientëve t’i kryenin analizat në privat.
Për Faktoje, psikiatri Neli Demi e vendosi këtë çështje në kontekstin më të gjerë të funksionimit të shërbimeve të shëndetit mendor në vend. Ai tha se spitalet psikiatrike duhet të shërbejnë për stabilizimin e pacientëve në krizë dhe jo si vendqëndrim afatgjatë për persona me probleme kronike të shëndetit mendor.
Demi theksoi se, në sfondin e sëmundjeve mendore, problemet shëndetësore organike shpesh mund të kalojnë pa u vënë re dhe pa u ekzaminuar siç duhet. Duke iu referuar lajmeve të fundit në rrjetet sociale për mungesë kontrate të Spitalit Psikiatrik të Elbasanit me laboratorët prej tre vitesh, ai tha se, nëse kjo qëndron, do të përbënte një problem serioz administrativ dhe institucional.
“Lajmet e fundit në rrjetet sociale flasin për një mungesë kontrate të spitalit të Elbasanit me laboratorët prej tre vitesh, pra këta individë që shtrohen në spitalin e Elbasanit nuk marrin shërbime laboratorike. Për mendimin tim ky është një skandal jo vetëm administrativ”, tha Demi për Faktoje.
Faktoje iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për të marrë një sqarim zyrtar mbi mënyrën se si sigurohen analizat laboratorike për pacientët e shtruar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.
Në përgjigje, ministria tha se çështjet që lidhen me organizimin e brendshëm të shërbimeve, funksionimin e strukturave përkatëse dhe të dhënat specifike operative administrohen nga vetë Spitali Psikiatrik Elbasan dhe mund t’i adresohen drejtpërdrejt këtij institucioni.
Megjithatë, MSHMS sqaroi (pas ankimimit të kërkesës nga Faktoje) se Spitali Psikiatrik Elbasan bashkëpunon me Spitalin Rajonal Elbasan për sigurimin e ekzaminimeve laboratorike, konsultave të specializuara dhe shërbimeve të tjera diagnostike të nevojshme për pacientët e shtruar.
“Spitali Psikiatrik Elbasan bashkëpunon me Spitalin Rajonal Elbasan për sigurimin e ekzaminimeve laboratorike, konsultave të specializuara dhe shërbimeve të tjera diagnostike të nevojshme për pacientët e shtruar, duke garantuar vazhdimësinë dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Faktoje.
Ministria shtoi se, në kuadër të politikave për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shëndetësore, aktualisht po realizohet një investim në Spitalin Psikiatrik Elbasan, i cili parashikon edhe krijimin e një laboratori të brendshëm.
“Deri në përfundimin e këtij investimi dhe vënien në funksion të plotë të laboratorit, nevojat laboratorike dhe diagnostike të pacientëve do të vijojnë të mbulohen nëpërmjet bashkëpunimit me Spitalin Rajonal Elbasan, në përputhje me procedurat dhe nevojat klinike të institucionit”, thuhet më tej në përgjigjen e MSHMS-së.
Investimi në Spitalin e ri Psikiatrik të Elbasanit u bë publik në gusht të vitit 2024 nga ministrja e Shendetësisë në atë kohë, Albana Koçiu. Ajo e përshkroi projektin si “një strukturë të re jo vetëm moderne, por edhe funksionale sipas koncepteve bashkëkohore të menaxhimit spitalor”.
Sipas njoftimit, godina do të ishte 3270 metra katrorë dhe do të akomodonte 70-80 pacientë, me 26 dhoma, 2 mensa dhe 2 dhoma rekreacioni.
“Mbetemi të angazhuar për të investuar në shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e qytetarëve. Shëndeti mendor është një prioritet kritik për shoqërinë në tërësi”, deklaronte ministrja.
Nga përgjigjja e MSHMS-së për Faktoje rezulton se Spitali Psikiatrik i Elbasanit nuk ka ende një laborator të brendshëm në funksion të plotë. Ministria thotë se analizat laboratorike dhe shërbimet e tjera diagnostike për pacientët e shtruar mbulohen përmes bashkëpunimit me Spitalin Rajonal Elbasan, ndërsa laboratori i brendshëm pritet të vihet në funksion pas përfundimit të investimit.
MSHMS nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse Spitali Psikiatrik i Elbasanit ka mbetur jashtë koncesionit të laboratorëve dhe si janë kryer analizat e pacientëve gjatë periudhës së pretenduar në denoncimet publike.
Ministria nuk dha as të dhëna se sa analiza laboratorike janë raportuar si të kryera gjatë vitit të fundit për këtë spital dhe nuk specifikoi cilat lloje analizash kryhen brenda institucionit. Për të dhënat operative, ministria e referoi Faktojen tek vetë Spitali Psikiatrik Elbasan.






