Si po funksionon ulja e çmimeve në Greqi për 1.600 produktet

Deklarata e Berishës për uljen e çmimeve në Greqi ka bazë faktike, pasi nisma për 1,600 produkte është vërtet e tillë

30

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi pak ditë më parë se Greqia ka vendosur të ulë me 5 deri në 30 për qind çmimet e 1,600 artikujve, duke përfshirë ushqimet bazë, mjetet shkollore dhe produkte të përdorimit të gjerë familjar. 

Verifikimi i masës së ndërmarrë nga autoritetet greke, tregon se deklarata ka një bazë faktike, por formulimi kërkon një saktësim.

Çfarë tha Berisha?

Në deklaratën e tij për mediat, Berisha iu referua masës së marrë në Greqi për uljen e çmimeve dhe tha: “Qeveria e vendit fqinj, Greqia, ka vendosur të ulë me koston nga 5 përqind në 30 përqind të çmimeve të 1600 artikujve. Çmimeve të ushqimeve bazë, çmimeve të të gjitha mjeteve shkollore për fëmijët, çmimeve me përdorim të gjerë nga konsumatorët në shtëpi…”

Deklarata e tij përmban dy pretendime kryesore që lidhen me numrin e produkteve dhe nivelin e uljes së çmimeve.

Çfarë ka bërë realisht Greqia?

Në Greqi ka nisur më 31 gusht një nismë kombëtare për uljen e çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm. 

Në program janë përfshirë më shumë se 1,600 produkte, mes tyre ushqime, produkte të higjienës dhe mirëmbajtjes së shtëpisë, si dhe artikuj shkollorë. 

Sipas të dhënave të publikuara për programin, uljet e çmimeve për produktet e përfshira në program variojnë sipas artikullit, ndërsa në raste të caktuara arrijnë deri në 30%. 

Për këtë arsye, shifra 30% nuk duhet interpretuar si një ulje e aplikuar për të gjitha produktet e përfshira në listën prej rreth 1,600 artikujsh.

Në program janë përfshirë më shumë se 90 kompani furnizuese, 12 zinxhirë supermarketesh dhe tre zinxhirë që tregtojnë lodra dhe artikuj shkollorë. 

Masa është parashikuar të jetë e përkohshme, me një kohëzgjatje prej dy deri në katër muaj. 

Ku qëndron saktësia e deklaratës?

Pjesa e parë e deklaratës së Berishës është e konfirmuar: Greqia ka ndërmarrë një masë për më shumë se 1,600 produkte dhe ulja minimale është 5%.

Edhe shifra 30% është korrekte. Ajo përfaqëson nivelin maksimal të uljes të raportuar për disa prej produkteve të përfshira në program

Saktësimi i nevojshëm lidhet me mënyrën se si paraqitet intervali “5–30%”. Nga raportimet e mediave greke, nuk rezulton se të gjitha 1,600 produktet janë ulur me 5 deri në 30 për qind. 

Përkundrazi, ulja ndryshon nga një produkt në tjetrin. Për shumicën e produkteve ajo është rreth 5–7%, ndërsa në raste të veçanta arrin deri në 30%. 

Dallimi është i rëndësishëm, sepse deklarata e Berishës mund të kuptohet sikur 1,600 produktet janë ulur të gjitha në një masë nga 5 deri në 30%. Në fakt, programi funksionon me përqindje të ndryshme sipas produktit.

Kjo nuk e rrëzon pretendimin bazë të Berishës: numri i produkteve është real dhe ekziston një skemë konkrete për uljen e çmimeve. 

Por 30% duhet të kuptohet si niveli maksimal i uljes për produkte të caktuara, dhe jo si ulje e përgjithshme e të gjithë listës.

Pse e solli Berisha shembullin e Greqisë?

Referimi i Berishës ndaj Greqisë erdhi në një moment kur çmimet e ushqimeve dhe kostoja e jetesës janë rikthyer në qendër të diskutimit publik në Shqipëri.

Krahasimi nuk lidhet vetëm me nivelin e çmimeve, por me mënyrën se si një qeveri mund të ndërhyjë ose të krijojë mekanizma për transparencë dhe ulje të përkohshme të kostove.

Në këtë pikë, deklarata e Berishës përkon edhe në kohë me një nismë të njoftuar pak ditë më herët nga kryeministri Edi Rama. 

Pas mbledhjes së qeverisë në Pogradec, më 24 gusht, Rama tha se qeveria po përgatiste një plan për t’u dhënë qytetarëve më shumë transparencë mbi çmimet e ushqimeve bazë. 

Ai theksoi se shteti nuk përcakton çmimet, por synon t’u japë qytetarëve më shumë informacion mbi to. 

Në të njëjtin takim u prezantua edhe “Pasqyrë Albania”, platforma e re e qeverisë, e konceptuar për të ndjekur kërkesat dhe ankesat e qytetarëve dhe për t’u dhënë atyre informacion mbi veprimtarinë e institucioneve. 

Përfundimi 

Deklarata e Berishës është pjesërisht e saktë, sepse Greqia ka përfshirë më shumë se 1,600 produkte në një nismë për uljen e çmimeve dhe se uljet nisin nga 5% dhe, për produkte të caktuara, arrijnë deri në 30%.

Ajo që kërkon saktësim është mënyra e formulimit: nuk bëhet fjalë për një ulje 5–30% të aplikuar në mënyrë uniformë për të 1,600 produktet. 

Për shumicën e produkteve, uljet janë rreth 5–7%, ndërsa 30% është niveli maksimal i raportuar për artikuj të veçantë.

Pra, pretendimi bazë është i vërtetë, por paraqitja e intervalit 5–30% si karakteristikë e përgjithshme e 1,600 artikujve është tepër e gjerë.