E pabazë kjo dietë detoksifikuese nga vaksina anti-Covid

5

Pretendimi: Luleradhiqja dhe zinku mund të përdoren për t’u detoksifikuar nga vaksina mRNA anti-Covid

Verdikti: E paprovuar

————————————————————————-

Një video (arkivuar këtu) që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, tregon një grua që shpjegon se vaksina mRNA anti-Covid vazhdon të prodhojë proteinën peplomere (“thumb”) në gjak pas administrimit gjatë gjithë jetës dhe për t’u detoksifikuar mund të përdoret luleradhiqja dhe zinku.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Gruaja në video është Barbara O’Neill, një naturopate famëkeqe australiane.

Në vitin 2019, O’Neill u ndalua për jetë të ofronte këshilla ose shërbime shëndetësore në Australi, pasi përhapi histori të rreme të rrezikshme për qëllime fitimi. Sipas vendimit, O’Neill ishte një mjeke e paregjistruar, pa kualifikimet, diplomat ose anëtarësimin e duhur në ndonjë organizatë të akredituar shëndetësore. U zbulua se ajo ofronte shërbime naturopatie, të të ushqyerit dhe edukimi shëndetësor përtej trajnimit dhe ekspertizës së saj, duke paraqitur një rrezik për shëndetin dhe sigurinë publike për shkak të pretendimeve të saj të dyshimta dhe të rrezikshme.

Proteinat peplomere quhen edhe proteina thumb sepse ngrihen si thumba nga sipërfaqja e viruseve. Virusi hyn në qelizat njerëzore me anë të këtyre proteinave, dhe fakti që janë jashtë virusit do të thotë që sistemi imunitar i njeh lehtësisht.

Proteinat peplomere (bojëqielli) në virusin SARS-CoV-2 

Vaksinat anti-Covid udhëzojnë qelizat e njeriut që të prodhojnë proteina thumb të padëmshme, të ngjashme me ato të prodhuara nga SARS-CoV-2. Kur sistemi imunitar i njeh këto proteina të reja, fillon të gjenerojë antitrupa dhe të formojë një mbrojtje imunitare ndaj tyre. Me anë të këtij procesi, trupi përgatitet kundër një infektimi të ardhshëm.

Sipas Shoqërisë Amerikane së Sëmundjeve Infektive (IDSA) proteinat peplomere të gjeneruara pas vaksinimit zgjasin për disa javë në trup. 

Nuk ka prova se proteinat peplomere riprodhohen vazhdimisht brenda qelizave njerëzore.

Studime shkencore të deritanishme, konfirmojnë se kodi mRNA që udhëzon qelizat të krijojnë këto proteina çmontohet nga qeliza pak pasi proteina krijohet. mRNA është shumë delikate, një nga arsyet pse vaksinat mRNA duhet të ruhen me kujdes në temperatura shumë të ulëta.

Disa prova sugjerojnë se proteina peplomere e prodhuar gjatë infeksionit SARS-CoV-2 mund të jetë toksike për organe si zemra. Megjithatë, ky efekt nuk mund të ekstrapolohet drejtpërdrejt tek proteinat peplomere të provokuara nga vaksinat anti-Covid, të cilat janë të ndryshme nga ato të virusit dhe prodhohen në sasi shumë më të vogla. Në fakt, provat e disponueshme tregojnë se proteina peplomere e prodhuar përmes vaksinimit është përgjithësisht e sigurt.

Një përmbledhje e botuar në revistën shkencore The Lancet në korrik 2026 shqyrtoi provat mbi vaksinat mRNA dhe zbuloi se vaksinat e mRNA janë të sigurta dhe efektive, se efektet anësore serioze janë të rralla dhe se e njëjta platformë që po përdoret kundër Covid-19 tashmë po përshtatet për të luftuar kancerin. Ajo mbështetet në prova laboratorike, prova klinike dhe të dhëna reale nga miliarda doza të administruara në dhjetëra vende.