Clint Eastwood nuk ka ndërmend të kthejë mbrapsht çmimet Oscar

5

Pretendimi: Aktori amerikan Clint Eastwood i ka kthyer çmimet e tij Oscar pasi kundërshtoi nominimin e një mashkulli biologjik për çmimin “Aktorja më e mirë në rol dytësor”

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi (arkivuar këtu) se aktori amerikan Clint Eastwood ka kthyer çmimet e tij Oscar në shenjë proteste pasi Akademia e Oscar kishte nominuar një mashkulli biologjik për çmimin “Aktorja më e mirë në rol dytësor.”

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Nuk ka prova se ylli 96-vjeçar i filmave ‘western’ ka hequr dorë nga pesë çmimet e tij Oscar.

Pretendimi që po qarkullon duket se e ka origjinën nga një postim i 16 shtatorit në platformën X, i cili i referohet gabimisht Eastwood si 93 vjeç dhe pretendon më tej se mashkulli biologjik i nominuar për çmimin “Aktorja më e mirë në rol dytësor” quhet Joseph “JoJobeans” Barron dhe “u nominua për një rol të vogël në filmin më të fundit të Seth Rogen.”

Nga një kërkim i thjeshtë në rrjet, dhe në databzën e filmave IMDB, nuk rezulton se ekziston ndonjë aktor apo person i vërtetë me emrin Joseph JoJobeans Barron.

Ceremonia e vitit 2026 e ndarjes së çmimeve Oscar u mbajt më 15 mars të këtij viti. Nominuar për çmimin “Aktorja më e mirë në rol dytësor” ishin Elle Fanning, Inga Insdotter Lilleaas, Wunmi Mosaku, Teyana Taylor dhe Amy Madigan, e cila dhe e fitoi çmimin. Asnjë prej tyre nuk është mashkull biologjik.

Nominimet për çmimet Oscar të vitit 2027 nuk janë shpallur ende. Votimi për nominimet do të zhvillohet nga 11 deri më 15 janar 2027. Nominimet zyrtare për çmimet Oscar do të shpallen të enjten, më 21 janar 2027. Ceremonia e 99 e çmimeve Oscar do të mbahet të dielën, më 14 mars 2027.

Një pretendim i ngjashëm i pavërtetë qarkulloi dhe dy vite më parë, në 2024, kur në rrjete sociale u përfol se Clint Eastwood i ktheu çmimet e tij Oscar, duke përmendur “marrëzitë ‘woke’ në Hollywood.”