Pretendimi: Toka nuk rrotullohet përderisa ne nuk ndjejmë këtë lëvizje të saj

Verdikti: E pavërtetë

Një nga pyetjet më të hershme të njerëzimit ka qënë ajo nëse Toka rrotullohet apo ajo është qendra e universit. Me zbulimin e pajisjeve shkencore dhe udhëtimeve hapësinore, sigurisht që kjo pyetje mori përgjigje të pakundërshtueshme. Megjithatë, pas shumë shekujsh, ka ende përdorues të rrjeteve sociale që ngrenë dyshime për rrotullimin e tokës.

Si provë për këtë dyshim sillet fakti që askush nuk e ndjen rrotullin e tokës, pavarësisht se jemi pjesë e kësaj lëvizjeje të vazhdueshme.

Është e vërtetë se ne nuk mund të ndiejmë ose të shohim planetin të rrotullohet. Por a ka mënyra për të konfirmuar rrotullimin? Përgjigja varet nga koha dhe këndvështrimi i njerëzve. Toka rrotullohet shumë ngadalë që rrotullimi i saj të jetë i dukshëm nga kudo në kohë reale.

“Mënyra më e lehtë për të vëzhguar rrotullimin e Tokës është duke parë lëvizjen e dukshme të trupave qiellorë”, shpjegon Stephen Merkowitz, një shkencëtar i Qendrës së Fluturimeve Hapësinore të NASA, në një përgjigje për revistën shkencore LiveScience.

Merkowitz shpjegon se një nga mënyrat më të lehta për të “parë” Tokën në lëvizje është të shikosh perëndimin e diellit. Pozicioni i trupit qiellor (Dielli) ndryshon kundrejt një pike fikse referimi (horizonti). Kur shihni perëndimin e diellit, vendndodhja juaj në Tokë po rrotullohet gradualisht larg nga dielli, kjo është arsyeja pse dielli duket se fundoset në horizont.

Një mënyrë tjetër për të parë këtë efekt është duke vëzhguar Hënën dhe yjet gjatë natës, për sa kohë që horizonti është një pikë referimi, pasi nuk lëviz. Objektet që shkëlqejnë shumë lart do të duken të jenë në lëvizje sepse Toka po rrotullohet.

Baticat janë gjithashtu dëshmi se Toka rrotullohet. Batica e lartë ndodh kur Hëna rrotullohet më afër Tokës në një vend të caktuar. Ndërsa Toka rrotullohet, ajo e sjell atë vendndodhje drejt pikës më të afërt në orbitën e Hënës. Graviteti hënor tërheq oqeanet dhe përkohësisht i bën ato të fryhen nga jashtë, drejt Hënës, duke krijuar baticë të lartë. Por kjo është e përkohshme. Ndërsa Toka rrotullohet, niveli i ujit zhytet derisa të arrijë distancën më të largët të mundshme nga Hëna në orbitë, ose baticën e ulët. Ky cikël vazhdon me përsëritje.

Issac Newton zbatoi ligjin e gravitetit, një teori që thotë se të gjithë trupat qiellorë, përfshirë Tokën, tërheqin njëri-tjetrin për shkak të një force tërheqëse që quhet gravitet. Ky ligj jep mundësi të kuptojmë se si dhe pse Toka rrotullohet rreth Diellit dhe se si graviteti i Tokes mban gjithashtu “të lidhur” të gjallesat dhe objektet që i rrethojnë brenda atmosferës që e rrethon.

Graviteti është një forcë që vepron ndërmjet të gjitha trupave të materies. Në Tokë, kjo forcë shfaqet si “peshë” dhe e bën çdo objekt të ndiejë tërheqje nga Toka. Sa më i rëndë një objekt të jetë, aq më e madhe është forca që graviteti ushtron mbi të. Ky fenomen është i matshëm përmes mënyrës sesi objekte bien lirisht në drejtim të sipërfaqes së Tokës, duke shfaqur një nxitim të caktuar, i cili është i njëjtë për të gjitha objektet, përveçse për shkak të kundërveprimit të ajrit, që mund të ndryshojë për objekte të ndryshme.