BallinaRajoni përmes fakteveShqipëria ka gjysmën e mjekëve që ka RMV dhe dyfishin e vdekjeve në radhët tyre, gjatë pandemisë

Shqipëria ka gjysmën e mjekëve që ka RMV dhe dyfishin e vdekjeve në radhët tyre, gjatë pandemisë

Maqedonia e Veriut ka mbi dyfishin e mjekëve për 10,000 banorë në krahasim me Shqipërinë. Kur vjen fjala tek numri i vdekjeve në radhët e bluzave të bardha, ky raport përmbyset. Që nga fillimi i pandemisë numri i mjekëve që kanë humbur jetën në Shqipëri është dyfishi i atyre që kanë humbur jetën në Maqedoninë e Veriut. Në këtë situatë alarmante, organizmat e shëndetit, vendase dhe ndërkombëtare vijojnë të bëjnë thirrje për të ruajtur jetët e punonjësve të sistemit shëndetësor.


Në Shqipëri, që nga fillimi i pandemisë “Covid-19” e deri më tani, 27 punonjës të sistemit shëndetësor kanë humbur jetën pas infektimit nga virusi Sars-Cov-2. Maqedonia e Veriut raporton për 14 punonjës të sistemit shëndetësor, të cilët kanë humbur jetën nga koronavirusi i ri.

Shqipëria renditet ndër vendet që kanë një numër më të ulët mjekësh në raport me popullsinë në botë, sipas Organizatës Botërore për Shëndetësinë, të dhëna të përditësuara deri në vitin 2016.

Sipas këtij raporti, Shqipëria, ka vetëm 12 mjekë për 10 mijë banorë, shifër që është më e ulëta në Europë, ndërkohë që ikja e tyre në Gjermani këto vitet e fundit, e ka pakësuar edhe më tej numrin e tyre. Maqedonia e Veriut ka 29 mjekë për 10 mijë banorë, Serbia ka 31, Mali i Zi 27 dhe Bosnja 22. Rekordin në Europë e mban Greqia, me 55 mjekë për 10 mijë banorë.

Edhe pse ka më pak se gjysmën e mjekëve për 10.000 banorë, Shqipëria humbi  dyfishin e mjekëvë, në krahasim me ata në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjatë periudhës së pandemisë.

“Mbani punonjësit e sistemit shëndetësor të sigurt, për të mbajtur pacientët e sigurt”, – ka qenë këshilla e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të gjitha qeveritë, që nga “shpërthimi” i pandemisë “Covid-19”.

OBSH liston edhe disa hapa që qeveritë duhet të ndërmarrin me qëllim ruajtjen e jetëve të punonjësve të sistemit shëndetësor.

“Është detyrë morale dhe ligjore e qeverive për të garantuar shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e punonjësve shëndetësor. Vendosni sinergji midis sigurisë së punonjësve shëndetësor dhe politikave e strategjive të sigurisë së pacientit; Zhvilloni dhe zbatoni programet kombëtare për shëndetin dhe sigurinë në punë të punonjësve shëndetësorë; Mbroni punonjësit shëndetësorë nga dhuna në vendin e punës; Përmirësoni shëndetin mendor dhe mirëqenien psikologjike; Mbroni punonjësit shëndetësorë nga rreziqet fizike dhe biologjike.”- janë disa nga këshillat e OBSH-së drejtuar qeverive.

Mjeku infektolog, njëherazi edhe anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve për Koronavirusin, Tritan Kalo, bëri një “postim-homazh” në rrjetet sociale më 13 dhjetor, në respekt të mjekëve që humbën jetën nga koronavirusi.

Punonjës të sistemit shëndetësor që kanë humbur jetën nga Covid-19 në Shqipëri

“Homazh për mantelbardhët tanë të cilët humbën jetën e tyre në përballjen me sfidën e shekullit 24 yje që do t’i mungojnë vargut të yjeve të mjekëve shqiptarë, të cilët punuan e sakrifikuan një jetë të tërë për të mbrojtur dhe shpëtuar jetët e të tjerëve. Ju lutem që për të nderuar edhe me shumë emrin dhe punën e tyre, respektoni gjithshka për të ulur  mundësinë e infektimit nga Sars-Cov-2 / Covid-19!” shkroi mjeku Kalo.

Për Shqipërinë, vdekja e kaq shumë mjekëve, ose dyfishi i viktimave të Maqedonisë së Veriut, mes bluzave të bardha, është një goditje e rëndë për sistemin shëndetësor, i varfëruar gjatë këtyre viteve edhe nga ikjet e mjekevë për t’u punësuar në Gjermani apo vende të tjera të zhvilluara.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img