Pretendimi: Ky shpërthim ka ndodhur në bazën ajrore izraelite të sulmuar nga Hezbollah
Verdikti: E pavërtetë
Grupi Hezbollah lëshoi mbi 100 raketa në orët e hershme të mëngjesit së 22 shtatorit drejt territoreve izralite si shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve të ushtrisë izraelite dhe vrasjes së liderit të tij. Propaganda e grupit militant foli për një sukses në shmangien e sistemit mbrojtës ndaj raketave të Izraelit si dhe për dëme ndaj bazave ushtarake. Një prej tyre ishte dhe baza ajrore Ramat David në Haifa, në veriun e Izraelit.
Si provë e sulmit shkatërrimtar ndaj kësaj baze të rëndësishme u nda në rrjet edhe një video që thuhet se tregon shpërthime masive pas një sulmi ndaj objekteve ushtarake.
Megjithatë, ashtu si dhe disa prej komentuesve e kanë vënë re, shpërthimi shihet se ndodh në një zonë të banuar urbane, ku ka pak gjasa që të ulen e ngrihen avionë e një baze ajrore.
Nëpërmjet një kërkimi në motorrin e kërkimit të fotove Google Lens, zbulojmë se videoja është në të vërtetë një regjistrim i një shpërthimi në një stacion karburanti në Mansoura, Jemen, më 30 gusht 2023. Video është publikuar në atë periudhë nga media të ndryshme arabe.
Titulli i përkthyer është: “Shpërthim në një stacion karburanti në Aden, Jemen.”
Ky verifikim është publikuar gjithashtu nga kolegët e AFP në gjuën arabe, duke provuar se shpërthimi i publikuar në video nuk ka ndodhur në Izrael dhe nuk ka asnjë lidhje me situatën aktuale.
Në një situatë ku tensionet në këtë rajon janë të larta, është e rëndësishme që informatat të verifikohen dhe të mos bihet pre e dezinformatave.