BallinaFaktometerPa kategoriRama: 613 kilogramët e kokainës u kapën pa bashkëpunimin e ndërkombëtarëve

Rama: 613 kilogramët e kokainës u kapën pa bashkëpunimin e ndërkombëtarëve

MERXHAN DACI 

Operacioni që nisi mbrëmjen e 27 shkurtit në Portin e Durrësit u finalizua me kapjen e plot 613 kilogramëve kokainë në një nga kontenierët me banane të  firmës “Arbri Garden”.

Hetimet treguan se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në 19 shkurt.

Pas kapjes së kokainës, ministri i Brendshëm Xhafaj shkroi në Twitter se ky nuk ishte një operacion vetëm shqiptar.

 

Kryeministri Rama, pas operacionit u shpreh se ai u zhvillua pa asnjë sinjalizim nga autoritetet europiane.

 

Kjo u pa si moskonsistencë mes Ramës dhe Xhafajt. Por ky i fundit në një tjetër deklaratë shkroi se identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të u bë nga Policia e Shtetit dhe Hetimi Doganor.

 

Por deklaratat për këtë çështje nuk mbarojnë me kaq. Rama, sipas mediave shqiptare kishte thënë për gazetën gjermane “Die Welt” se operacioni u krye në bashkëpunim me autoritetet italiane. Rama shkroi në Facebook se kjo nuk ishte e vërtetë duke theksuar se nuk ka pasur sipas tij asnjë bashkëpunim me ndërkombëtarët.

 

“Die Welt” korrigjoi fjalën ku Rama “kishte thënë” sipas mediave shqiptare se operacioni ishte në bashkëpunim me autoritetet italiane.

 

Ndërkaq, fill pas kapjes së drogës, Marina Kolumbiane shkroi se operacioni ishte bërë në bashkëpunim mes vetë asaj, Policisë Shqiptare dhe agjencive ndërkombëtare.

Nga zhvillimi i një operacioni të koordinuar me pjesëmarrjen e Marinës së Kolumbisë, agjencive ndërkombëtare dhe policinë shqiptare, 613 kilogramë kokainë u kapën në portin e Durrësit – Shqipëri”, shkroi Marina Kolumbiane.

Të pyetur nga “Faktoje”, Policia e Shtetit nuk dha detaje të operacionit pasi çështja është nën hetim.

Për shkak se çështja është në hetim, është Prokuroria e Krimeve të Rënda që e drejton atë dhe nuk mund t’ju ofrojmë më shumë detaje”.

Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, shtoi Policia e Shtetit.

Duke qenë se droga kishte kaluar edhe nga Malta, “Faktoje” pyeti autoritetet shtetërore të shtetit ishullor por ato konfirmuan se nuk kishte patur komunikim mes tyre dhe palës shqiptare për këtë ngarkesë.

Ndërkohë që është konfirmuar se kontenieri në fjalë kaloi përmes Malta Freeport, pasi mbërriti për herë të parë në portin e Livornos në Itali, asnjë informacion nuk është marrë mbi  këtë kontenier nga autoritetet shqiptare apo burime të tjera”, u shpreh për “Faktoje” Ministria e Brendshme dhe e Sigurisë Kombëtare e Maltës.

Duke u nisur nga të gjitha deklaratat, Xhafaj i cili thotë në krye të herës se operacioni u bë në bashkëpunim me agjensi të huaja, pasur nga deklarata e Ramës se droga u kap pa asnjë sinjalizim apo bashkëpunim europian apo ndërkombëtar, “Faktoje” e konsideron këtë moskonsistencë brenda qeverisë si PA KATEGORI.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img