Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit, kandidati fitues për bashkinë Vlorë, Ermal Dredha i premtoi qytetarëve ndërtimin e qendrave sociale për moshën e tretë si dhe të një mense bashkiake për shtresat në nevojë. Bashkia deri më tani nuk ka asnjë plan konkret për përmbushjen e këtij premtimi ndërsa qendra ekzistuese për të moshuarit funksionon vetëm tre herë në javë deri në mesditë.
Premtimi elektoral
Katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, Ermal Dredha, kandidati socialist për kryetar të Bashkisë Vlorë, i premtoi qytetarëve në këmbim të votës ngritjen e qendrave ditore për moshën e tretë në secilin rajon të qytetit si dhe një mensë sociale bashkiake për shtresat në nevojë.
Në 14 Maj qytetarët e Vlorës i dhanë kandidatit socialist mbi 28 mijë vota duke e bërë fitues, kundrejt kandidatit demokrat Hysni Sharra.
Informacioni zyrtar
Ne dërguam një kërkesë për informacion pranë Bashkisë Vlorë se çfarë ka ndodhur me pretmimin e kryebashkiakut Dredha për hapjen e qendrave ditore për moshat e treta në çdo rajon të bashkisë Vlorë dhe të mensës sociale bashkiake për shtresat në nevojë.
Në përgjigjen e saj Bashkia nuk dha asnjë informacion mbi planin e zbatimit të premtimit elektoral, por na informoi mbi aktivitetin e të vetmes qendër ditore ekzistuese në qytetin e Vlorës.
“Ju bëjmë me dije se aktualisht në qytetin e Vlorës është një Qendër për të Moshuarit ku ofrohen pije të ngrohta si dhe një ambient mikpritës me aktivitete argëtuese si shah, domino, letra etj.” – njofton Bashkia Vlorë.
Kjo qendër sipas përgjigjes së Bashkisë Vlorë ofron shërbim mjekësor edhe për personat në skemën e ndihmës ekonomike, persona me aftësi ndryshe. Për personat e moshuar të vetmuar, ofrohen tri herë në javë vakte ushqimore. “Aty ofrohet ambient i ngrohtë për të kaluar kohën së bashku.” – përgjigjet bashkia.
Sa i takon planit për ndërtimin e qendrave ditore në të gjithë qytetin dhe mensës sociale për moshën e tretë, Bashkia mjaftohet duke thënë se në planin e ri social 2024-2026, Bashkia Vlorë ka ndër prioritetet kryesore transformimin e shërbimeve sociale nga qendra rezidenciale në qendra shërbimesh komunitare, qendër emergjence me shërbime sociale të integruara.
Në faqen zyrtare të Bashkisë Vlorë, rezulton se ajo ka zhvilluar disa takime në muajin tetor për të konsultuar buxhetin afatmesëm 2024-2026, por ky buxhet nuk gjendet i publikuar në faqen e Bashkisë.
Verifikimi në terren
Për të parë nga afër situatën në terren, ne udhëtuam drejt Vlorës në 18 Dhjetor. Qendra e vetme ditore për të moshuarit ndodhet pranë Shkollës Industriale Pavarësia, në të njëjtën godinë me mensën e shkollës.
Kujtojmë se kjo qendër u hap disa muaj para se të kandidonte zoti Ermal Dredha, pasardhës i kryebashkiakut Dritan Leli. Qendra, sipas verifikimit të një viti më parë nga Faktoje financohej nga UNFPA, ndërsa bashkia kishte siguruar vetëm mjediset ku do qëndronin të moshuarit gjatë ditës.
Në 18 dhjetor 2023, kur mbërritëm për verifikimin, ora shënonte 15:00 dhe dera e qendrës ishte e mbyllur.
Në mjediset e brendshme dallohej përmes derës së xhamtë, një bredh i stolisur, ndërsa në qendër nuk kishte asnjë njeri.
Në mungesë të një personi përgjegjës, i vetmi informacion që mund të merrnim ishte përmes shkrepjes së fotografive nga xhamat e derës dhe dritareve.
Në të njëjtën godinë, duke hyrë nga një derë anësore takuam dy zonja të cilat punonin në mensën e shkollës industriale “Pavarësia”.
Ato na treguan se Qendra Ditore e të moshuarve qëndron e hapur vetëm tre herë në javë, të hënave, të mërkurave dhe të enjteve dhe gjatë këtyre ditëve ajo mbyllet në orën 13:00.
Pra personat në skemën e ndihmës ekonomike, ata me aftësi ndryshe si dhe të moshuarit e vetmuar mund të përdorin mjediset e Qendrës Ditore për të Moshuar tri herë në javë deri në orën 13:00. Gjatë këtyre tre ditëve mund të hanë dy vakte, mëngjesin dhe drekën.
Në vitin 2022 kur kjo Qendër u hap për herë të parë, Migena Balla asokohe kryetare e këshillit bashkiak të Vlorës, tregonte për Faktoje se qendra funksiononte në 5 ditë të javës dhe vizitohej mesatarisht nga 30 të moshuar çdo ditë.
Vlora, në statistikat e INSTAT të 1 Janarit 2023 shënonte 183.436 banorë. Në vitin 2011 statistikat e INSTAT për popullsinë e Vlorës të ndarë sipas grupmoshave, tregonin se rreth 20% e popullsisë ishte 60 vjeç e sipër.
Përfundim
Premtimi elektoral i kandidatit socialist fitues të Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, për ngritjen e qendrave ditore për të moshuarit në çdo rajon dhe një mense sociale të qytetit, deri më tani ka mbetur vetëm si postim në rrjetin social Facebook.
Në gjashtë muajt e parë të drejtimit të bashkisë, kjo e fundit nuk e ka një plan lidhur me premtimin në fjalë dhe nuk ka një buxhet afatmesëm publik ku të parashikohen fonde për këtë investim.
Në anën tjetër, Qendra ditore ekzistuese për të moshuarit punon vetëm tri herë në javë deri në orën 13:00 duke qëndruar më shumë e mbyllur sesa e hapur gjatë javës, ndryshe nga sa tregonte Bashkia Vlorë një vit më parë.
Nisur nga këto të dhëna publike dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Vlorës, Ermal Dredha për ndërtimin e qendrave ditore për moshën e tretë në të gjitha rajonet e qytetit të Vlorës, si dhe një mense sociale të qytetit e konsiderojmë deri tani të pambajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.