.

.

BallinaFaktometerPa kategoriPlanet "e vjetra" për Teatrin e ri dhe si u përdor Piramida në këto 20 vite

Planet “e vjetra” për Teatrin e ri dhe si u përdor Piramida në këto 20 vite

Planet për një teatër të ri kanë thuajse 2 dekada që qarkullojnë në tryezat e qeverive, bashkë me projekte të kushtueshme, që s’u realizuan kurrë. Një ditë pas shembjes së kontestuar të ndërtesës së TK, kryeministri Rama tha se në vitin 2006, qeveria Berisha vendosi që teatri të ndërtohet tek godina e piramidës. Por ky plan është artikuluar edhe nga kryetari i Bashkisë Tiranë Veliaj në 2017, ndërsa në 2018 ai ndryshoi mendim dhe premtoi kthimin e saj në qendër multifunksionale. Sot Tirana ka një Teatër Kombëtar të rrafshuar, piramidën e mbetur gërmadhë pavarësisht milionave të shpenzuara dhe plane për borxhe të reja.


Më 18 Maj në emisionin “Opinion”, kryeministri Rama tha se në kohën kur ai ka qenë ministër i Kulturës një mision i Ministrisë franceze të Kulturës e ka nxjerrë ndërtesën e Teatrit Kombëtar të parestaurueshëm. Në atë kohë ish-ministri i Kulturës ka kërkuar rrëzimin e saj, çka solli kundërshtimin e artistëve. 

14 vite më parë – 2006

“Qeveria e mëpasshme (Berisha) faktikisht nxori një financim për ta ndërtuar teatrin e ri kombëtar tek piramida. Një shumë të konsiderueshmë në një strukturë e pamundur për të ndërtuar një teatër, aq më tepër një teatër kombëtar, sepse boll të shikosh këtë skenë këtu, e boll të shikosh se çfarë hapësire e çfarë sofistikimi teknologjik ka kjo skenë, e njëjtë do të jetë edhe ajo e teatrit kombëtar, për të kuptuar që piramida nuk është vendi i duhur. Aty u bë një investim dhe kurrë nuk u luajt një pjesë teatri sepse në fund fare u pa që ishte e kotë të vazhdohej dhe projekti faktikisht nuk përfundoi kurrë.”- tha zoti Rama.

11 vite më pas – 2017

Zoti Erion Veliaj, i zgjedhuri në krye të Bashkisë Tiranë, shpalosi në tetor të vitit 2017 në një mbledhje të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku ishin të pranishëm të rinj, planet e shndërrimit të piramidës ku përfshihej edhe një teatër i mundshëm.

“Prona më e shtrenjtë e Tiranës është si një kërkësë e vdekur në mes të bulevardit që është Piramida. Qysh aty na lindi ideja, a mund ta rikonstruktojmë ne piramidën tani me këtë funksion? Pra, me teatër, me film, me bibliotekë, me kurse dixhitale, pra të kodimit apo të programimit pra që janë të gjitha gjëra që dikush mund ti ndjeki pa qenë detyrimisht profesionist në atë fushë. Këtë vit ne do të buxhetojmë që piramidën ta transformojmë” – tha zoti Veliaj.

2 vite më pas – 2019

Në tetor të vitit 2019 u lajmërua finalizimi i projektit për të shndërruar piramidën në një qendër të teknologjisë dhe inovacionit për të rinjtë.

“Me një menaxhim dhe financim të përbashkët me ADF-në do të shohim se si në një vit , një vit e gjysmë, do të transformojmë hapësirën ose pronën më të lakmuar të qytetit të Tiranës, në hapësirën që do të trasformojë besoj të ardhmen e fëmijëve të këtij qyteti.”- tha kreu i Bashkisë Tiranë.

Në mesin e vitit 2020 Piramida vazhdon të dergjet si një gërmadhë në mes të bulevardit Dëshmoret e Kombit.

Vendimet ndër vite të qeverive mbi Piramidën

Piramida e Tiranës është kthyer prej vitesh në simbolin e projekteve të parealizuara. Më 12 korrik të vitit 2006, sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, piramidës iu dha emri Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”, në nder të ish-kryetarit të kuvendit, Pjetër Arbnori, pak ditë pas ndarjes nga jeta.

Më 31 gusht 2006, Këshilli i Ministrave vendosi transferimin e teatrit kombëtar në të sapoemërtuarën Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”.

Vendimi qartëson që brenda tri muajve duhej  bërë lirimi i mjediseve të kësaj strukture nga aktivitetet private dhe të përgatitej rikonstruksioni i qendrës në funksionin e ri. Dy muaj më pas, më 1 nëntor 2006 qeveria doli me një vendim të ri për një shtesë fondi me vlerë 13 milionë lekë për realizimin me tender të hapur ndërkombëtar të studim-projektit dhe kthimin e saj në Teatër dhe Galeri Kombëtare.

Edhe ky projekt, pavarësisht milionave të dhëna, nuk u realizua dhe më 6 mars të vitit 2009, Këshilli i Ministrave mbylli piramidën në mënyrë të përkohshme. Në fund të vitit 2008 ishte përllogaritur se detyrimet që persona të tretë kishin ndaj QNK (Qendrës Ndërkombëtare Kulturore) ishte në vlerën e rreth 13 milione lekë, ndërsa detyrimet që QNK kishte ndaj të tretëve e tejkalonte këtë shumë, në rreth 16 milionë e gjysëm lekë.

Pas teatrit të munguar, qeveria Berisha i rikthehet piramidës një vit e gjysëm më pas, më 21 tetor 2010 me një tjetër vendim qeverie. Në një rishpërndarje fondesh në buxhetin e atij viti, Këshilli i Ministrave vendosi që të shtohen 4 milionë lekë për rikonstruksionin e këtij objekti, një shumë që u pakësua nga fondi për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik në Durrës.

Sipas vendimeve të botuara në Fletoren Zyrtare, rezulton që në po atë datë, 21.10.2010, qeveria vendos që të ndërtojë kompleksin e ri parlamentar në vendin ku ndodhej piramida.

Sipas këtij dokumenti, vendimi hyri në fuqi menjëherë, por nuk u zbatua kurrë. 2 muaj më vonë, më 22 dhjetor 2010 iu hoq statusi i monumentit të kulturës së kategorisë së dytë, ashtu siç dëshmohet nga dokumenti i mëposhtëm, shkëputur nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2012.

Në dhjetor të vitit 2016, qeveria Rama vendosi kalimin e pronësisë së QNK nga Ministria e Kulturës në Bashkinë e Tiranës. Kryetari i Bashkisë, zoti Erion Veliaj, u shpreh më 8 dhjetor të po atij viti se mezi po priste t’ia kthente piramidën qytetit të Tiranës, duke përshëndetur vendimin e qeverisë për kalimin e pronësisë.

Vendimi i fundit i regjistruar në Qendrën Zyrtare është ai i marsit të vitit të kaluar nga qeveria Rama, më 13 mars 2019. Këshilli i Ministrave vendosi mbylljen e Qendrës Ndërkombëtare Kulturore “Arbnori”.

Pak javë përpara këtij vendimi, në shkurt të vitit 2019, godina u rrethua me gardh metalik dhe u vendos tabela informuese për kthimin e zonës në kantier ndërtimi. Sot, më shumë se një vit më pas, piramida ka ende pamjen e një gërmadhe dhe në të nuk kanë filluar punimet.

*Foto e parë është marrë nga Into Albania

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img