BallinaFaktometerE PavërtetëVeliaj: Presidenti bëri hile, çështja e Teatrit Kombëtar duhej të paraqitej në Gjykatën Administrative

Veliaj: Presidenti bëri hile, çështja e Teatrit Kombëtar duhej të paraqitej në Gjykatën Administrative

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, e justifikoi mospritjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese mbi Teatrin Kombëtar me “gabimin” që presidenti Meta kishte bërë pasi çështja duhej të ishte çuar në Gjykatën Administrative. Veliaj argumentoi se presidenti Meta kishte bërë hile duke gënjyer në këtë formë aktivistët për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.


Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” të hënën më 17 maj, i pyetur se përse Bashkia Tiranë nuk priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit Kombëtar, Veliaj deklaroi se pritja do ishte e pakuptimtë pasi kërkesa ishte depozituar “në vendin e gabuar”.

Presidenti bëri një hile me të vetët, pasi ky vendim duhet të dërgohej në  në Gjykatën Administrative. Ka vajtur në vendin e gabuar për të bërë një hile.  Ka një rast të ngjashëm, ku Rektori dërgoi çështjen e pronësisë së Kopshtit Botanik në Gjykatë Adminsitrative, deklaroi Veliaj.

Më 24 korrik 2019, presidenti Ilir Meta depozitoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen antikushtetues të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Në kërkesë, presidenti Meta kërkoi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe me Marrëveshjet Ndërkombëtare, të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Kërkesa kërkonte gjithashtu pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje të hyjë në fuqi.

Nëse i referohemi Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kompetencat që kanë në thelb pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare, janë kompetencë e Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër, nëse i referohemi ligjit për Gjykatat Administrtive, në cilat raste Gjykata Aministrtive nuk i shqyrton mosmarrëveshjet, rezulton se:

  • të cilat lidhen me aktet nënligjore normative që, sipas Kushtetutës, janë në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese;
  • shqyrtimi i të cilave, sipas legjislacionit në fuqi, është në kompetencën e një gjykate tjetër.

“Faktoje” pyeti këshilltarin ligjor të Presidentit të Republikës, Z. Blendi Dervishi lidhur me çështjen e çuarjes e çështjes së Teatrit Kombëtar në Gjykatën Kushtetuese.

Z.Dervishi sqaroi se në këtë rast çështja ishte kompetencë e Gjykatës Kushtetuese pasi bëhej fjalë për një ligj të konsideruar “antikushtetues”.

Avokati Spartak Ngjela e konsideroi legjitim depozitimin kërkesës së presidentit Meta në Gjykatën Kushtetuese më 24.07.2019.

Kjo që po shoh, është goditje e një ligji si “antikushtetues”. Vetëm në Gjykatën Kushtetuese mund të goditet si antikushtetues një ligj. Një gjykatë fakti (Gjykata Administrtive) nuk mund të shfuqizojë dot një ligj organik. Vetëm Gjykata Kushtetuese. Kërkesa është korekte në objektin e saj, i tha “Faktojes” avokati Ngjela.

Vendmi për prishjen e teatrit Kombëtar pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese u dënua edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit.

Asgjë nuk ishte normale, asgjë nuk ishte ashtu sikurse duhet të zbatohej ligji. Kjo është një çështje shembja, e cila do të ngrejë shumë problematika, dhe kërkon një diskutim të thellë. Do të jetë gjykata ajo që do të vendosë në fund, deklaroi Avokatja e pupullit, Ballanca në Ora News më 18 maj.

Deklaratën e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Avokatit të Popullit si dhe ekspertëve të fushës do e kategorizojmë si “ Të pavërtetë”.

*Foto kryesore është marrë nga rrjeti social “Facebook” i kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img