BallinaFaktometerE PavërtetëSpahia: 40 për qind më shumë vdekje në Shkodër në raport me një vit më parë

Spahia: 40 për qind më shumë vdekje në Shkodër në raport me një vit më parë

Rritja e numrit të vdekjeve për shkak të Covid-19 është një tezë e hedhur nga përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare, e cila mohohet nga institucionet e qeverisë. Sipas ish-deputetit të PD, Bardh Spahia një tregues që argumenton këtë tezë mund të jetë edhe rritja me 40 % e numrit të të vdekurve në Shkodër në krahasim me një vit më parë. Spahia citoi një studim të kryer nga Bashkia e këtij qyteti. INSTAT dhe Gjendja Civile Shkodër, nga ana tjetër referuar vdekshmërisë në tremujorin e parë 2020, raportojnë më pak vdekje për të njëjtën periudhë.


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia më 11 maj në emisionin “Real Story” deklaroi se në Shkodër, gjatë kësaj periudhe të vitit 2020 ka pasur 40 për qind më shumë vdekje se në vitin 2019.

Është një studim i Bashkisë Shkodër, e cila thotë se ka një rritje me 40 për qind e numrit të të vdekurve…Ky studim do edhe një miratim, vullnet për ta realizuar. Ky fakt i bashkisë kërkon hulumtim të thellë, pasi mund të tregojë edhe situatën reale, mund të jenë vdekje të shtuara si pasojë e Covid-19, deklaroi ish-deputeti i PD-së, Spahia.

Pretendimi i ish-deputetit, Spahia u kundërshtua një ditë më pas nga kryetari i Gjendjes Civile Shkodër, Bledar Doracaj. Nisur nga impakti i deklaratës, sërish në emisionin “Real Story”, Doracaj publikoi rastet e vdekjeve në Shkodër për muajt janar, shkurt dhe mars në tre vitet e fundit. Nga ku rezulton që në Shkodër të mos ketë pasur rritje të numrit të vdekjeve, përkundrazi janë ulur.

Vdekshmëria në tremujorin e parë 2020 në Shkodër, burimi: Gjendja Civile Shkodër

Rënia e vdekshmërisë gjatë vitit 2020 në raport me një vit më parë konfirmohet edhe nga raporti i INSTAT.

Vdekshmëria në tremujorin e parë 2020 në Qarqet e vendit, burimi: INSTAT

Në rang qarku, INSTAT raporton se në tremujorin e pare të vitit 2020, në Qarkun Shkodër janë shënuar 479 vdekje, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më pare 537. Pra referuar shifrave, në Qarkun Shkodër janë shënuar 58 vdekje më pak se në vitin 2019.

Gjithashtu, referuar të dhënave nga Gjendja Civile Shkodër, edhe muaji prill është mbyllur me 2 vdekje më shumë se i njëjti muaj i një viti më parë 2019. Gjendja Civile Shkodër konfirmoi se në vitin 2020 kanë humbur jetën 76 persona ndërsa në vitin 2019, janë 74 persona.

Faktoje” pyeti ish-deputetin Spahia lidhur me deklaratën e datës 11 maj, si dhe kërkoi të njihej me studimin e bashkisë Shkodër të cilit ai i referohej mbi nivelin e vdekshmërisë për periudhën në fjalë. Spahia sqaroi se në momentin e deklaratës, në fakt kishte kërkuar të shprehte  vetëm “vdekshmërinë për shkaqe të panjohura” dhe jo fenomenin në tërësi. Gjithashtu deri në momentin e botimit të artikullit, nuk mund të kishim nga Z. Spahia edhe studimin e Bashkisë Shkodër, të cilit ai i referohej.

*Foto ballore e artikullit është marrë nga faqja “Facebook” e Bardh Spahia

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img