Pak ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit, Piramida e Tiranës, u kthye në një objekt përurimi elektoral, edhe pse vinçi i kuq në sfondin e fotove të shpërndara nga bashkia dhe kryeministria, dëshmonte se aty është ende kantier ndërtimi. Dy ditë pas zgjedhjeve vendore Faktoje konstatoi se e vetmja pjesë e vizitueshme e Piramidës ishin shkallët e jashtme. Ndërkohë qendra e kodimit, që është edhe qëllimi i projektit 1.4 miliardë lekë, ende nuk është funksionale.

Një javë para zgjedhjeve vendore, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri premtimin e radhës për hapjen e Piramidës, si një prej qendrave më të mëdha multifunksionale për të rinjtë.

“Nëse na duhet hapësirë dixhitale për punët e të ardhmes, ne na duhet patjetër që Piramida të hapet javën e ardhshme si qendra më e madhe e kodimit që kalamajtë tanë të bëjnë punë të së ardhmes”, deklaroi Veliaj më 7 maj.

Për të parë nëse Piramida, një investim prej 1,4 miliardë lekësh kishte nisur të funksionte si një qendër kodimi, Faktoje bëri filimisht një vëzhgim më 12 maj. Gjatë vëzhgimit në terren vumë re se objekti ishte ende një kantier ndërtimi, ku punëtorë të shumtë dhe makina me objekte futeshin dhe dilnin herë pas here prej andej.

Foto Piramida, 12 maj 2023

Asnjë prej zyrave ku parashikohet të zhvillohet procesi i mësimdhënies dhe aktivitetet nuk ishte e hapur, ndërsa të zinte syri vetëm vizitorë që ngjiteshin në majë të Piramidës.

Foto, 12 maj 2023

Më 16 maj, ose 2 ditë pas zgjedhjeve vendore, bëmë një tjetër verifikim nëse Piramida ishte shndërruar tashmë në një qendër të teknologjisë së informacionit. Mirëpo, konstatuam se situata ishte e njëjtë, objekti nuk ishte gati. Në kantier  kishte shumë punëtorë dhe makineri. Objekti ishte i rrethuar në të gjitha anët, përveç pjesës ballore që sheh nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Dyert e objektit ishin të mbyllura dhe e vetmja gjë  e vizitueshme ishin shkallët e jashtme.  

Foto, 16 maj 2023

Një grup të rinjsh nga Kosova që kishin ndaluar të shihnin Piramidën thanë për Faktoje: “Na duket super projekt, po shohim të gjithë Tiranën nga këtu” .

Ndërkohë kishte edhe nga ata që tentonin të hynin brenda, por dera nuk hapej dhe në fytyrat e tyre dukej një lloj zhgënjinimi.

“Jemi nga Italia dhe po shpresonim që të shihnim diçka më shumë sesa thjesht një pamje nga maja e kësaj ndërtese”, tha një çift të rinjsh për Faktoje.  

Foto, 16 maj 2023

Në lidhje me projektin dhe kur pritej të hapej Piramida, si një qendër multifunksionale, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës. Jemi në pritje të një përgjigje nga ky institucion, duke respektuar afatet ligjore për të Drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë, 16 maj 2023

Propaganda parazgjedhore për hapjen e Piramidës

3 ditë para zgjedhjeve vendore, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftuan hapjen e Piramidës. Lajmi për çeljen e saj u shpërnda edhe nga zyra e shtypit të kryeministrisë dhe nga ajo e Bashkisë së Tiranës.

“Piramida, i rikthehet sot Tiranës me një dimension të rilindur dhe një madhështi ndryshe nga më parë, si zemra e Shqipërisë së Re të Inovacionit dhe destinacioni më i madh i teknologjisë digjitale në rajon. Projekti ambicioz për rijetëzimin e saj është finalizuar me sukses në kantier, duke e transformuar si kurrë më parë këtë hapësirë, në një stoli për kryeqytetin me perspektivën e një prej pikave më të vizituara në të ardhmen për të gjithë turstët që vijnë në Shqipëri. Në mbrëmjen e veçantë dedikuar çeljes së Piramidës dhe hapësirës së re për publikun përshëndeti edhe Kryeministri Rama”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Kryeministria më 11 maj.

Foto e shpërndarë nga zyrat e shtypit, 11 maj 2023

Në komunikatën e shpërndarë për mediat po atë ditë, Bashkia e Tiranës ndër të tjera njoftonte: “Hapet Piramida e re e Tiranës, e cila do të jetë qendra më e madhe digjitale në Ballkan. Mbrëmjen e sotme kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me Kryeministrin Edi Rama, kanë vizituar objektin më ikonik, por tashmë të transformuar të kryeqytetit, i cili do t’iu shërbejë mijëra të rinjve”.

Lajmi u pasqyrua gjerësisht në media, si një moment historik i hapjes së një prej objekteve më të rëndësishme për të rinjtë në Tiranë.

Tërkuzë, premtimet për Piramidën

Në muajin shkurt të këtij viti, Faktoje raportoi mbi shkeljen e disa premtimeve të kryebashkiakut të Tiranës në lidhje me hapjen e Piramidës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, në shtatorin e vitit 2021, deklaroi se në vitin 2022 do të hapej për të rinjtë edhe qendra më e madhe e teknologjisë në vend, duke iu referuar Piramidës.

Nga ana tjetër, në muajin shtator të vitit 2022 Veliaj përmes një deklarate njoftoi se kjo hapësirë do të ishte gati brenda fundit të vitit, kurse pranvera e vitit 2023 do të shfrytëzohej për mobilimin e godinave.

Një muaj më vonë, kryetari i Bashkisë u zotua se puna përfundimtare arrihet në muajin mars të vitit 2023, duke dhënë kështu tre afate të ndryshme për këtë vepër publike.

Në 6 janar 2021 Faktoje raportoi nisjen e punimeve për rijetësimin e Piramidës, çka njoftohej edhe në tabelën informuese në atë kohë.

Në 17 tetor 2021, Faktoje pas përgjigjes zyrtare nga Bashkia Tiranë, raportoi se kontrata mes Bashkisë dhe firmës zbatuese ishte firmosur në 2 dhjetor 2020 dhe afati i punimeve ishte 24 muaj.

Mirëpo, kur kanë skaduar të gjitha afatet dhe pas një “përurimi” elektoral Piramida e Tiranës nuk është hapur ende si një qendër e madhe e teknologjisë.

Artikulli paraprakI rremë lajmi për vdekjen e George Soros
Artikulli tjetërChelsea Clinton nuk sugjeroi vaksinimin me forcë të fëmijëve
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.