Chelsea Clinton nuk sugjeroi vaksinimin me forcë të fëmijëve

542
AP Photo/Julia Nikhinson)

Në rrjete sociale po qarkullon një artikull që pretendon se Chelsea Clinton, vajza e ish-presidentit të SHBA-së, është shprehur për vaksinimin e detyrueshëm të fëmijëve. Verifikimet tregojnë se lajmi është i rremë, prodhuar nga një faqe interneti që njihet për publikimet që nxisin teori konsipartive.

Chelsea Clinton: “Është koha për të imponuar me forcë vaksinat për çdo fëmijë të pavaksinuar në Amerikë”, kështu e nis postimin e tij në 14 maj Investiguesi Shkrimor, duke pretenduar se vajza e ish-presidentit amerikan ka deklaruar se fëmijët e pavaksinuar në Amerikë duhet të detyrohen të marrin injeksionin mRNA me ose pa pëlqimin e prindërve.

Screenshot, postimi në Facebook nga “Investiguesi shkrimor

Postimi që shoqërohet me dy imazhe të Chelsea Clinton, ka marrë dhjetra reagime nga përdorues të tjerë shqiptarë. Ndërkohë që shpërndarja e këtij pretendimi në rrjete sociale nga përdoruesit në mbarë botën rezulton mijëra herë më e lartë.

Për këtë arsye, kolegët tanë të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Associated Press, kanë verifikuar se pretendimi i përhapur masivisht mbi deklaratën e Clinton për vaksinimin e detyrueshëm tek fëmijët është i pabazuar në fakte, por produkt i teorive konspirative nga grupimet e njohura si antivaksinë në botë.

Titulli erdhi nga një uebsajt i quajtur The People’s Voice, i cili më parë njihej me emrin News Punch. Kjo faqje ka botuar histori të shumta të bazuara në teori konspirative dhe ka promovuar informacione dhe citate të fabrikuara në të kaluarën.

Vetë artikulli bazohet në vërrejtjet reale që Clinton bëri në një konferencë të kohëve të fundit mbi shëndetin global, ku foli për “Nismën Klinton për qasje në Shëndetësi”, një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga babai i saj dhe një iniciativë të re globale me të cilën po punon, e quajtur “The Big Catch-Up.”

Përpjekja e përbashkët midis Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UNICEF-it dhe partnerëve të tjerë synon të nxisë vaksinimin rutinë tek fëmijët, që ra gjatë pandemisë COVID-19. Fushata do të përqendrohet në 20 vende, të cilat nuk përfshijnë SHBA-në, siç pretendohet nga përdoruesit që ‘akuzojnë’ Chelsea Clinton.

Në asnjë moment gjatë fjalimit të saj, Clinton nuk tha se fëmijët duhet ose do të vaksinohen me forcë.

Sara Horowitz, një zëdhënëse e Clinton, konfirmoi në një email për Associated Press se Clinton nuk tha se, “është koha për të vaksinuar me forcë çdo fëmijë të pavaksinuar në Amerikë. Ajo nuk e tha këtë, por beson shumë (dhe tha) se askush nuk duhet të vdesë nga poliomieliti, fruthi apo pneumonia, duke përfshirë edhe këtë vend ku ne gjithashtu kemi nevojë për njerëz për të vaksinuar fëmijët tanë”, ka sqaruar më tej zëdhënësja e Clinton për AP.

Ndërkaq, edhe Daniel Epstein, një zëdhënës i OBSH-së, vuri në dukje njoftimin për shtyp të organizatës dhe shtoi: “Nuk ka vaksinime të detyrueshme të lidhura me këtë përpjekje”.

Në vitin 2021, rreth 25 milionë fëmijë në mbarë botën humbën vaksinat rutinë të fëmijërisë për shkak të pandemisë COVID-19 dhe UNICEF-i e përshkroi këtë shifër si prapambetjen më të madhe në vaksinimin e fëmijëve në një gjeneratë.

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dezinformimin.

Më poshtë gjeni verifikimet e bëra lidhur me lajmin.

https://apnews.com/article/fact-check-chelsea-clinton-fake-quote-unvaccinated-729924912500

https://www.reuters.com/article/factcheck-chelsea-vaccination-idUSL1N3782EI

https://www.usatoday.com/story/neës/factcheck/2023/05/10/chelsea-clinton-supports-voluntary-vaccination-effort-fact-check/70200837007/