Lajmi se miliarderi në qendër të shumë teorive konspirative, George Soros, ka vdekur është i rremë. Vetë Soros ka konfirmuar në rrjete sociale se është “gjallë dhe i shëndetshëm”.

—————————————–

Ditët e fundit pretendimi se miliarderi George Soros ka vdekur u përhap në rrjete sociale, duke përfshirë edhe ato shqipfolëse. Këto pretendime u shoqëruan edhe me shprehje ngazëllimi për vdekjen e miliarderit që ka qenë prej kohësh shënjestër e një sërë teorish konspirative që e fajësojnë atë për nja gamë gati të mbinatyrshme ligësish.

Shpërndarësit e këtyre lajmeve do të zhgënjehen kur të mësojnë se, në të vërtetë, 92-vjeçari është ende gjallë dhe, siç shkroi ai në llogarinë e tij në Twitter më 15 maj, “i shëndetshëm”.

“Thashethemet se unë kam pësuar një infarkt në zemër jane krejt të rreme. Jam gjallë dhe i shëndetshëm.”

Postimi i George Soros në Twitter.

Një zëdhënës nga Fondacioni Shoqëria e Hapur konfirmoi gjithashtu për Newsweek se “George Soros është gjallë dhe gëzon shëndet të plotë. Zërat në media sociale që thonë se ai ka pësuar nga një infarkt në zemër dhe ka vdekur janë të rreme.”

“Faktoje” ka verifikuar edhe më parë lajme të rreme që kanë shënjestruar miliarderin 92-vjeçar.