Nga Armand Braho
33 vjeçari Bledi Orhani, nga Pogradeci, është pacient kronik i transplantimit të veshkës. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, rruga e tij është e mbushur me pengesa.
40 kilometra (kryesisht) me transport publik drejt Korçës, pritje të gjata në radhë, burokraci për analizat dhe, në fund refuzim i shërbimit kur paraqitet pas datës 20 të muajit. Arsyeja? “Nuk ka sistem” për shkak të buxhetit të limituar.
“Kam pasur vështirësi dhe shumë vonesa në kryerjen e analizave. Unë jam pacient kronik dhe analizat i kam periodike. Procedurat për të shkuar deri te dhënia e gjakut kanë shumë hapa burokratike për një pacient që në sistem figuron si pacient kronik. Duhet të marr rekomandim te mjeku i familjes dhe të referohem te specialisti në poliklinikën e Korçës, ku ka radhë të gjata dhe vonesa përtej orareve të përcaktuara.
Më pas marr formularin e analizave dhe duhet të paraqitem në recepsion për caktimin e datës, si dhe të siguroj vulat përkatëse për vlefshmërinë e tij. Edhe ditën e analizave duhet të pres sërish në radhë për procedura formale, pa të cilat nuk mund të kryhen analizat.
Në rastet kur data e analizave bie pas datës 20 të muajit, më është thënë se nuk ka sistem dhe analizat nuk kryhen. Për këtë arsye, më është dashur të shtyj analizat për një datë tjetër, shpesh duke kaluar sërish në të njëjtin cikël pritjeje dhe procedurash… “, thotë për Faktoje, Bledi Orhani.

“Nëse nuk jam me fat të shkoj që ditën e parë të caktuar, duhet të vij një ditë tjetër, e cila ka rastisur të jetë po pas datës 20 të muajit, dhe më ka ndodhur të qëndroj deri në 4 muaj pa i kryer analizat.
Përgjigjja që më është thënë, se ‘nuk ka sistem’, nuk më është dukur normale dhe, pasi kam insistuar të di çfarë ndodh duke pyetur në laborator dhe në recepsion, më është thënë që analizat nuk kryhen pas datës 20, pasi buxheti i analizave është i limituar dhe pas datës 20 nuk kryhet asnjë analizë”, vijon ai
Analizat mjekësore për të riun janë të rëndësishme për mbikëqyrjen e shëndetit të tij në fazën post-transplant, ndërkohë që në raste specifike është dashur që ai të kryejë brenda një kohe të kufizuar të njëjtat analiza, pasi duhet të konsultohej me mjekun kur ai ka ndjerë shqetësime.
Tarifat e shtrenjta për shërbime e kanë ndaluar këtë të fundit t’i drejtohet klinikave private.
“…Një herë tjetër më ka ndodhur të kisha një problem tjetër shëndetësor dhe duhej të kryeja analiza për të parë nëse ai problem shkaktohej nga mjekimi, por më është dashur të pres nga muaji gusht deri në muajin nëntor për t’i kryer analizat, duke rrezikuar seriozisht shëndetin. Kam pyetur për t’i kryer analizat në klinika private, por nuk kam mundur, pasi çmimi ka qenë shumë i lartë”, shprehet ai
Qëndrime të ndryshme
Në një konferencë për mediat në datën 26 mars 2026, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala tha se ka kufizim të aksesit për analiza mjekësore, por që, sipas saj, çështja do të adresohet dhe zgjidhet brenda vitit.
“Aktualisht një nga metodat është mbledhja e të dhënave dhe mbi bazën e të dhënave bëhet planifikimi i shërbimit. Prandaj mbledhja e të dhënave, kemi mbledhur të dhëna për të parë sepse nuk duhet të mungojnë analizat jo vetëm në datën 20 por dhe në datën 30. Këtë po e adresojmë dhe do e zgjidhim brenda këtij viti”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë Evis Sala
Por vetëm pak kohë më vonë, në seancën parlamentare të 23 prillit, ministrja ndryshoi qëndrim.
Sipas saj, vetëm në disa raste mund të shtyhen analizat rutinë, dhe se ky proces nuk cenon nevojat e pacientëve.
“Në raste të caktuara mund të shtyhen disa analiza rutinë, por në asnjë rast nuk cenohet ekzaminimi, diagnostikimi apo trajtimi i pacientit. Pra, çdo pacient që ka nevojë për analizë në funksion të diagnozës apo trajtimit, e merr atë pa ndërprerje”, u shpreh ajo
Kërkesa
Faktoje i është drejtuar me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë, mbi problematikën e mosrealizimit të analizave pas datës 20 të çdo muaji.
“Nuk ekziston asnjë kufizim në kryerjen e analizave laboratorike në fund të muajit në Qarkun e Korçës.
Analizat laboratorike vazhdojnë të ofrohen përgjatë gjithë muajit, duke pasur si më prioritare rastet urgjente.
Analizat laboratorike financohen nga spitalet, të cilat operojnë mbi bazën e tavaneve buxhetore. Vështirësi në kryerje paraqesin kryesisht analizat e planifikuara, për shkak të rritjes së numrit të pacientëve dhe menaxhimit të kërkesave.
Buxheti për kryerjen e analizave laboratorike përcaktohet nga FSDKSH dhe MSHMS. Nuk rezulton asnjë ankesë e depozituar nga pacientët lidhur me moskryerjen e analizave. Sqarojmë se, me rritjen e nevojave, vlerësojmë edhe sasinë e analizave laboratorike që do të kryhen, si dhe rritjen e buxhetit, duke qenë se shërbimi funksionon sipas parimit ‘pay per use”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në të njëjtën linjë është edhe Spitali Rajonal në Korçë, ku njofton se vetëm për muajin Mars 2026, janë kryer 19.138 teste laboratorike me një total vlere prej 7.681.000 lekësh, ose me një mesatare kostoje për pacientë prej 401.36 lekë.
Në prioritetin për kryerjen e analizave laboratorike janë rastet të cilat paraqiten pranë urgjencës spitalore edhe pacientët me sëmundshmëri të rënda.
“Për pacientët ambulatorë por që kanë sëmundshmëri të rënda të cilat kërkojnë në kohë dhe me urgjencë rastet laboratorike (pacientët onkologjike, pacientët parakirurgjikale.. etj) gjithmonë shërbimi jepet me prioritet dhe në kohën e duhur
Për të gjithë pacientët e tjerë ambulatorë jepet shërbimi brenda 20 ditëve të para të çdo muaji”, thuhet në përgjigjen për “Faktoje” nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor Korçë.
Pse ndodh?
Alma Lahe nga organizata “Together for Life” analizon se problematika është e mbartur që nga momenti i lidhjes së koncesionit mes spitaleve dhe kontraktorit.
“Problematika e ka burimin që në ideimin e koncesionit dhe deri në lidhjen e kontratës në shkelje ligjore, e deri tek mungesa e monitorimit në implementimin e koncesionarit.
Numri i analizave të kryera në muaj nga koncesionari nuk bazohen, ashtu siç do të duhej të ndodhte, tek tek nevojat klinike të pacientëve, por kushtëzohen nga buxheti i parashikuar paraprakisht për spitalet të cilat nuk mund të kryejnë më shumë analiza nga sa buxhet kanë. Sigurisht që probleme të tilla nuk ka pasur kur ky shërbim ofrohej nga vetë spitalet.
Pra, ky koncesion jo vetëm që nuk ia doli të realizojë qëllimin për të cilin u ngrit, por, nga të gjitha raportet rezulton se ka krijuar problematika të reja, duke ndikuar negativisht në aksesin e pacientëve në një shërbim kaq të rëndësishëm si ai i kryerjes së analizave”, shpjegoi për Faktoje, Alma Lahe, kryeredaktore e “Together For Life”
Pasojat e kësaj situate më së shumti i vuajnë të sëmurët kronikë, ndërsa situata bëhet më kritike kur kjo problematikë është e njëjtë në të gjithë spitalet universitare dhe rajonale në vend, thekson Lahe.
“Urgjentisht duhet të kryhet rishikimi i i menjëhershëm i modelit të ofrimit të shërbimit. Tashmë është e provuar që modeli i kontratave koncesionare në sistemin shëndetësor rezulton i dështuar me pasoja të rënda si në buxhetin e shtetit, ashtu edhe në vetë shërbimet.
Meqë kjo kontratë ka përfunduar dhe deri në fund të vitit pritet të përfundojnë të katër kontratat koncesionare, do të duhej që Ministria e Shëndetësisë të merrte masa që shërbimet të vazhdojnë të rimodeluara si shërbime publike”, nënvizon Alma Lahe (Together for Life).





