Pretendimi: Kina ka mbyllur kufijtë për qytetarët amerikanë për shkak të një shpërthimi të hantavirusit
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se Kina ka mbyllur kufijtë për të gjithë qytetarët amerikanë për shkak të një shpërthimi të hantavirusit.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk jepet asnjë provë apo burim përveç “postimeve në rrjete sociale.”
Ndërkaq, udhëzimet e Departamentit amerikan të Shtetit për udhëtimet në Kinë nuk përmendin ndonjë ndalim dhe janë përditësuar për herë të fundit dy muaj më parë. Presidenti i ShBA, Donald Trump, vizitoi Kinën për bisedime me Presidentin kinez Xi Jinping më 13 maj.
Ministria e Jashtme e Kinës i tha Reuters se pretendimi ishte “lajm i rremë,” ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë ndalimi për amerikanët që udhëtojnë në Kinë.
Një shpërthim i hantavirusit të Andeve u raportua në fillim të majit në bordin e një anijeje turistike dhe që atëherë ka vrarë tre persona. 18 nga pasagjerët e anijes janë karantinuar në ShBA, ose në Nebraska ose në Atlanta.
Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha në një telefonatë për mediat më 13 maj se rreziku për popullatën e përgjithshme amerikane mbetet i ulët. Në të njëjtën linjë, Instituti i Shëndetit Publik në vendin tonë ka theksuar se nuk ka asnjë rast aktiv të virusit dhe risku për Shqipërinë dhe kontinentin është shumë i ulët.






