Pretendimi: Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ShBA është shumë pranë zhvillimit të një ilaçi që ndalon vdekjen
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————-
Më 14 maj, mediat dhe portalet shqipfolëse raportuan në masë se presidenti amerikan Donald Trump kishte shokuar me deklarata se ShBA kishte zhvilluar dhe testuar një kurë për vdekjen.




Artikujt i referohen një klipi të shkurtër ku Trump dëgjohet të thotë: “E dimë se ky ilaç funksionon, sepse kemi marrë njerëz që kishin vdekur. Kishim një person të cilit i ishin bërë ritet e fundit… dhe më pas u përmirësua. Funksionon. Tek disa të tjerë nuk do të funksionojë, por po mësojmë shpejt.”
Megjithatë, asnjë media serioze amerikane apo ndërkombëtare nuk ka raportuar se Trump njoftoi zhvillimin e një kure për vdekjen.
Kjo sepse deklarata e mësipërme është nxjerrë nga konteksti dhe interpretuar literalisht nga aktorë mediatikë në kërkim të klikimeve dhe të mësuar me deklaratat e pazakonta të Trump.
Për ta rivendosur deklaratën në kontekst, Faktoje gjeti videon e plotë nga ku është shkëputur klipi që po qarkullon në media.
Ajo tregon një event për kujdesin shëndetësor të nënave në Shtëpinë e Bardhë më 11 maj 2026, në të cilin Trump mori pjesë.
Në videon e plotë dhe zbardhjen e fjalës së Trump në të, vërehet se Trump po fliste për Aktin e të Drejtës për të Provuar, legjislacion i miratuar gjatë administratës së tij të parë, që u lejon pacientëve në fazë terminale të provojnë trajtime që normalisht do të shiheshin si shumë të rrezikshme ose të patestuara sa duhet:
“Pra, E Drejta për të Provuar ka qenë — ka qenë një nga sukseset e mëdha.
Përsëri, askush nuk flet për këtë. Ne kemi shpëtuar mijëra jetë, Oz. Por e dini çfarë është ndoshta edhe më e rëndësishme? Ne kemi mësuar shumë shpejt se disa ilaçe funksionojnë dhe disa jo. Me fjalë të tjera, disa ilaçe — marrin një person që është i sëmurë në gjendje terminale, dhe — dhe ka raste të shumta, dhe pa pritur shtatë vjet, dhjetë vjet, ne — meqë ra fjala, mendojmë se e kemi prerë përgjysmë.
Por — por ju nevojitet një periudhë kohore. Pa pritur shumë, shumë vite, ne e dimë që ilaçi funksionon sepse kemi marrë njerëz që ishin të vdekur — kemi pasur një person që i është bërë ritet e fundit, kishte ikur. Fëmijët po qajnë, dhe ia kemi filluar këtë ilaç dhe personi është përmirësuar. Funksionon, e dini, dhe disa nuk funksionojnë.
Por mëson shumë shpejt. Mendoj se quhet testi përfundimtar, apo jo? E dini, ata i testojnë të gjitha këto gjëra. Ata përdorin kafshë kudo. Ata përdorin gjithçka për të testuar. Një person do të vdesë. Pra, ata nuk e donin sepse nuk donin të paditeshin për të — e dini, kompanitë farmaceutike nuk donin të paditeshin nëse nuk funksiononte.”
Qartazi, në kontekst, kuptohet se Trump po tregohej hiperbolik për të theksuar se në ç’gjendje të keqe ishte personi që kishte marrë ilaçin eksperimental.
Nëse presidenti amerikan do të shpallte vërtet shpikjen e një kure për vdekjen ai nuk do ta harxhonte këtë lajm në një event shëndetësie nënash, por me gjasa do të shihnim një prezantim shumë më madhështor nga një ish yll i reality show-ve.






