Ndërsa Kryeministri Edi Rama e cilëson “përbaltje” lidhjen e ndërtimit me pastrimin e parave, raportet ndërkombëtare dhe institucionet shqiptare e rendisin sektorin si një nga më të ekspozuarit ndaj parave me origjinë të dyshimtë.
Esmeralda Topi
Vitet e fundit, sektori i ndërtimit është shndërruar në një nga motorët kryesorë të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, i reflektuar në shtimin e ndjeshëm të kullave në kryeqytet.
Megjithatë, përtej transformimit të shpejtë urban dhe rritjes së investimeve, prej kohësh ky sektor shoqërohet me pikëpyetje mbi burimin e kapitalit që financon këtë bum ndërtimesh.
Mirëpo, Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë me tone të ashpra akuzat që lidhin sektorin e ndërtimit me pastrimin e parave, duke i cilësuar ato si “fantazi” dhe si një përpjekje të qëllimshme për të përbaltur vendin dhe industrinë e ndërtimit.
“Përbaltja e jashtëzakonshme që i bëhet kësaj industrie për të përbaltur Shqipërinë në fakt, disa që bëjnë si investigatorë kur ekspozojnë nëpër ekrane pamjet e Tiranës që është një qytet europian kur e shikon ato pamje i mbulojnë me llumin e fantazive të akuzave, ja ku pastrohen paratë e Europës. U pastrokan në Shqipëri, në Tiranë paratë e Europës”, deklaroi Rama gjatë një takimi me sipërmarrës të ndërtimit në Tiranë.
Por përtej retorikës politike, një sërë raportesh ndërkombëtare dhe vendase flasin për përdorimin e pasurive të paluajtshme dhe projekteve të ndërtimit si kanale për integrimin e parave me origjinë të dyshimtë në ekonomi.
DASH
Në Raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve 2025, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se “kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit… dhe zhvillimit të bizneseve”
DASH e lidh këtë fenomen me trafikun e drogës, të qenieve njerëzore, korrupsionin dhe evazionin fiskal, ndërsa nënvizon se ekonomia e bazuar në cash dhe dobësitë në zbatimin e ligjit krijojnë terren të favorshëm për pastrim parash.
SPAK
Në mënyrë të ngjashme, raporti vjetor i SPAK për vitin 2025 nxjerr në pah një model të konsoliduar të pastrimit të parave përmes bizneseve formalisht të ligjshme.
“Tipare të përsëritura… përfshijnë përdorimin e subjekteve… si subjekte ndërtimi… për qarkullimin dhe riciklimin e fondeve”, thuhet në raport.
Sipas SPAK, faza përmbyllëse e kësaj skeme është investimi në pasuri të paluajtshme, që synon integrimin e të ardhurave kriminale në ekonomi.
Agjencia e Inteligjencës Financiare
Edhe institucionet shqiptare që monitorojnë flukset financiare ngrejnë shqetësime të ngjashme. Agjencia e Inteligjencës Financiare ka identifikuar si tregues të aktivitetit të dyshimtë investimet në prona me vlera të larta dhe burim të paqartë fondesh, si dhe transferta ndërkombëtare të pajustifikuara me dokumentacion.
Institucioni thekson se këto sinjale lidhen shpesh me përpjekje për të maskuar origjinën reale të parave dhe për t’i integruar ato në ekonominë formale përmes sektorëve me qarkullim të lartë kapitali, si pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi.
Friedrich Ebert
Këto gjetje përforcohen edhe nga studimet e pavarura. Një analizë e publikuar nga Fondacioni Friedrich Ebert në vitin 2025 hedh dritë mbi përmasat e fenomenit në sektorin e ndërtimit. Sipas studimit, gjatë viteve 2015–2024 janë dhënë leje ndërtimi me një vlerë tregu prej rreth 16.2 miliardë eurosh, por vetëm 7.1 miliardë euro identifikohen si të financuara nga burime të ligjshme, si kredi bankare dhe investime të huaja direkte.
Diferenca prej mbi 9 miliardë eurosh mbetet pa një burim të qartë. Edhe pse autorët e studimit pranojnë se një pjesë e kësaj vlere mund të lidhet me faktorë të tjerë, si kursime apo sipërfaqe të pashitura, ata theksojnë se ky hendek përbën një tregues serioz për praninë e burimeve të paligjshme në sektor.
Përfundim
Nuk ka prova që i gjithë sektori është i përfshirë në aktivitete kriminale, por ekspozimi ndaj pastrimit të parave është i lartë dhe i dokumentuar. Prandaj, deklarata e Ramës se lidhja e ndërtimit me pastrimin e parave është “përbaltje” dhe “fantazi akuzash”, kategorizohet si gjysmë e vërtetë.
Debati mbi ndërtimin në Shqipëri mbetet kështu i hapur mes dy narrativave, njëra që e sheh atë si simbol të zhvillimit dhe modernizimit, dhe pala tjetër që paralajmëron mbi rreziqet që vijnë nga mungesa e transparencës mbi burimin e kapitalit.
Mes këtyre dy qëndrimeve, faktet e paraqitura nga raportet ndërkombëtare dhe institucionale tregojnë se suksesi i dukshëm i betonit shoqërohet me një hije të fortë dyshimi, që kërkon transparencë më të madhe dhe hetim të vazhdueshëm të burimeve financiare në sektor.






