“Siguria 100%” në shkolla vihet në pikëpyetje nga faktet

Deklarata për siguri 100% në shkolla nga ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro bie ndesh me realitetin.

38

Nga Jona Cenameri  

“Masat e sigurisë në shkollat tona janë në garantim 100% të sigurisë së fëmijëve dhe të institucioneve arsimore”. Kjo ishte deklarata e ministers së Arsimit, Mirela Kumbaro, më 29 prill 2026, e mbështetur në argumente si bashkëpunimi me Policinë e Shtetit, shtimi i oficerëve të sigurisë dhe funksionimi i strukturave mbështetëse në çdo shkollë. 

“Nuk e them thjesht me fjalë, por e para ne jemi në një bashkëpunim 100% me Policinë e Shtetit… Patrullat janë aty çdo mëngjes dhe çdo drekë… për të garantuar gjithë perimetrin rreth e rrotull shkollave”, deklaroi ministrja Kumbaro.

Por vëzhgimi në terren, të dhënat zyrtare dhe raportet institucionale tregojnë një panoramë më pak optimiste.

Terreni

Në disa prej shkollave të monitoruara nga Faktoje, nuk është konstatuar prani e vazhdueshme e patrullave të Policisë së Shtetit në oraret e hyrjes dhe daljes së nxënësve, ndërsa në raste të tjera kjo prani ka qenë sporadike dhe jo e përditshme.

Nga vëzhgimi në terren në datën 30 Prill rezulton se në shkollën 9 vjeçare “Naim Frashëri” në mëngjes nuk kishte asnjë patrullë policie. 

Shkolla 9 vjecare “Naim Frasheri” ne mengjes para fillimit të mesimit

Në një tjeter shkollë 9 vjeçare “Gustav Mayer” (në të njëjtën ditë) në mëngjes kishte vetëm një polic bashkiak në mëngjes, ndërsa pas përfundimit asnjë polic.

Shkolla 9 vjecare “Gustav Mayer” në mengjes

E njëjta situatë edhe tek një tjetër shkollë 9 vjeçare “Jeronim De Rada”. 

Në mëngjes vetëm një polic bashkiak. 

Shkolla 9 vjecare “Jeronim De Rada” në mëngjes

Pas përfundimit të orarit mësimor asnjë.

Shkolla 9 vjeçare “Jeronim De Rada” pas përfundimit te orarit mësimor

Më e plotë paraqitet situata tek shkolla “Sami Frashëri”. Patrullat e policisë shihen në mëngjes dhe pas përfundimit të orarit.

Oficerët e pamjaftueshëm

Ndër radhë, Ministrja Kumbaro deklaroi se: “Po rrisim numrin e oficerëve të sigurisë… numri i të cilëve është shtuar nga shtatori i vitit 2025”. 

Të dhënat e Faktoje tregojnë se nga 274 oficerë në tetor 2025, numri ka arritur në 329 në mars 2026, pra një shtesë prej 55 oficerësh në rreth 6-7 muaj.

Sipas VKM-së, të gjitha institucionet e arsimit të mesëm të lartë, gjimnazet, shkollat e mesme të orientuara dhe ato profesionale, me mbi 80 nxënës duhet të kenë të paktën 1 oficer sigurie. 

Planifikim pa përthithje reale

Ndërkohë, të dhënat nga auditimi i fundit i KLSH, tregojnë se rritja e numrit të oficerëve nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm punësimi në terren. Deri në fund të vitit 2024, nga 276 oficerë të planifikuar rezultonin vetëm 212 në detyrë, me vende vakante të paplotësuara. Këto mangësi janë evidentuar vazhdimisht vit pas viti që nga viti 2021.

Një sistem me mangësi

Problemet nuk lidhen vetëm me numrin e oficerëve. Auditimi i KLSH për periudhën 2021-2024 e cilëson sistemin e sigurisë në shkolla si joefektiv, për shkak të mungesës së një kuadri të konsoliduar rregullator, mbikëqyrjes së pamjaftueshme dhe raportimit jo të standardizuar. 

Sipas të dhënave të KLSH, për periudhën 2021-2024 janë evidentuar 892 raste dhune fizike, 333 raste dhune psikologjike, 186 raste bullizmi, 178 raste kërcënimi dhe 133 raste përdorimi të substancave.

Rastet e raportuara 

Kjo tablo reflektohet edhe në rastet e raportuara në terren. Ngjarje të afërta në kohë, si vrasja e 15-vjeçarit në Durrës në dhjetor 2025, konflikti me pasoja të rënda në Kamëz pranë shkollës ‘Ibrahim Rugova’ dhe më herët vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë, tregojnë se problematikat e sigurisë në shkolla mbeten të pranishme.

Përfundim

Ndërsa ministrja Kumbaro flet për një bashkëpunim “100%” me Policinë e Shtetit dhe prani të vazhdueshme të patrullave pranë shkollave, verifikimet në terren dhe raportimet e mëparshme të Faktoje tregojnë se ky bashkëpunim nuk është i njëtrajtshëm në të gjitha institucionet dhe nuk funksionon gjithmonë në mënyrë të standardizuar.

Të dhënat tregojnë se, pavarësisht rritjes së numrit të oficerëve dhe masave të ndërmarra, sistemi i sigurisë në shkolla mbetet i pjesshëm në mbulim dhe i paqëndrueshëm në zbatim.