Pretendimi: Nis gjyqi ndaj Von der Leyen dhe Bashkimit Evropian për korrupsionin me vaksinat

Verdikti: E pavërtetë


Fushata zgjedhore për Parlamentin Evropian është në ditët e fundit të saj dhe temperaturat kanë nisur të nxehen. Një prej lajmeve që po qarkullon në rrjet këto ditë është nisja e gjyqit ndaj presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në lidhje me favorizimin ndaj kompanisë farmaceutike Pfizer. Ky hetim që ka nisur pas denoncimit të një lobisti belg, është kthyer në një “kalë beteje” për partitë anti-evropiane që mund të pretendojnë provën për akuzat e tyre për korrupsionin dhe lidhjet okulte mes elitave politike dhe globalistëve. 

Më në fund ka filluar gjyqi më i shumëpritur, kundër Pfizer dhe BE-së”, njofton portali “Patriotik Media” në 24 maj, duke njoftuar zhvillimin e seancës së parë të këtij gjyqi pranë gjykatës së Liege, Belgjikë.

Duke verifikuar më tej këto zhvillime në të ashtuquajturën “Pfizergate”, zbuluam se në 17 maj është mbajtur vërtet një seancë pranë gjykatës së Liege. Seanca ka patur si qëllim të shqyrtojë argumentet për hetimin e akuzave në nivel nacional, pra nga një prokuror belg, apo ekskluzivitetin e këtyre hetimeve nga Zyra e Prokurorit të BE-së (EPPO).

Dyshimet për shkelje të barazisë në tendera në rastin e blerjes së vaksinave Pfizer në mesin e pandemisë së Covid-19, u kthyen në një problem për reputacionin e presidentes së Komisionit Evropian pas nisjes së hetimeve në tetor 2022 nga Zyra e Prokurorit të BE-së (EPPO).

Zërat kritikë vunë në dyshim blerjen nga BE në prill 2021 të mbi 1.8 miliardë dozave të vaksinës BioNTech/Pfizer me procedurë urgjente të justifikuar nga pandemia. Duke i shtuar benzinë ​​zjarrit, Neë York Times më vonë raportoi se von der Leyen e kishte negociuar personalisht marrëveshjen nëpërmjet një sërë mesazhesh me tekst dhe telefonata me CEO të Pfizer, Albert Bourla.

Pas refuzimit të Von der Leyen dhe Komisionit për të dorëzuar mesazhet me tekst – jo vetëm gazetarëve, por edhe Ombudsmanit të BE-së – nën argumentin se ato ishin të një natyre private dhe nuk kishin të bënin me diskutime profesionale apo biznesi – Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), njoftoi në fund të 2022 se kishte hapur një hetim mbi procesin e prokurimit pandemik (megjithëse jo në mënyrë specifike për Von der Leyen). Gjatë kësaj periudhe nuk ka ende një vendimmarrje të hetuesve evropianë.

Paralelisht me këtë hetim, në prill 2023 në gjykatën belge është depozituar një kallzim nga Frédéric Baldan, lobist në marrëdhëniet kino-evropiane dhe përfaqësues i një firme konsulence.

Pasi drejtësia belge dorëzoi një kopje të kallzimit të Baldan pranë EPPO, kjo e fundit kërkoi të që vijonte ajo hetimet duke qënë se bëhej fjalë për një hetim në nivel të Komisionit Evropian.

Seanca e datës 17 maj në gjykatën e Liege, ka patur si synim që të konfirmonte të drejtën për hetimin e çështjes nga drejtësia belge, duke qënë se sipas procedurës penale belge, një gjyqtar hetues ka kompetencën për të hetuar veprat (të supozuara) nëse ato janë kryer në territorin nën juridiksionin e tij, ose nëse i dyshuari banon në këtë territor. Duke qënë se Komisioni Evropian e ka rezidencën e tij në Bruksel, çështja mbetet e diskutueshme. Këtë e konfirmon edhe njoftimi zyrtar i EPPO mbi këtë seancë.

Gjykata e Lieges ka komunikuar se do të japë vendimin e saj në 6 dhjetor të këtij viti. Ky vendim lidhet me juridiksionin e drejtësisë belge në këtë hetim dhe ende nuk ka asnjë shqyrtim mbi akuzat e ngritura ndaj presidentes së Komisionit Evropian.

Artikulli paraprakKina nuk kërcënoi NATO-n dhe Evropën në rast se do të sulmohet Rusia
Artikulli tjetërProtestuesit nuk dogjën ambasadën izraelite në Stamboll pas sulmit në Rafah
Aimona Vogli
Aimona Vogli është Menaxher Editorial pranë Faktoje.al prej qershorit 2021. Aimona i bashkohet ekipit të Faktoje pas një eksperience 13-vjeçare në media, atë televizive, të shkruar e digjitale, por dhe pas një eksperience 3-vjeçare, si pjesë e shoqërisë civile në sektorin e Komunikimit & PR. Aimona e ka nisur karrierën e saj në 2005 në Gazeta Shqiptare, si gazetare ku ka mbuluar ndër të tjera çështjet sociale. Prej vitit 2010 Aimona ka qenë pjesë e Televizionin Kombëtar Klan, ku ka punuar si gazetare për disa programe televizive dhe më pas redaktore përgjegjëse e programit të pasdites “Rudina” me autorësi të Rudina Magjistarit. Për dy edicione radhazi (2015-2016) Aimona ka mbuluar dhe pozicionin e gazetares dhe përgjegjëse për Marrëdhëniet me Shtypin, për Festovalin Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”.