Pretendimi: Federata Norvegjeze e Futbollit refuzon të luajë kundër Izraelit për shkak të sulmeve në Gaza
Verdikti: Mungon konteksti
Në titujt e disa prej mediave më të mëdha në vend u njoftua së fundmi se Federata Norvegjeze e Futbollit refuzon të luajë ndaj Izraelit në ndeshjet në grupe për Kupën e Botës të vitit 2026. Si shkak për këtë bojkot sillen sulmet e kryera nga ushtria izraelite që kanë shkaktuar rreth 45 mijë viktima civile në Gaza. (Disa nga publikimet këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu)
Shorti për ndarjen e grupeve për eventin më të rëndësishëm të futbollit u hodh më 13 dhjetor duke caktuar Norvegjinë në të njëjtin grup me Izraelin.
Në një deklaratë pas zbulimit të Izraliet si një nga ekipet e grupit, Lise Klaveness, presidente e Federatës Norvegjeze, u shpreh: “Për ne, shorti është i vështirë, përtej aspektit sportiv. Asnjë nga ne nuk mund të mbetet indiferent ndaj sulmeve disproporcionale që Izraeli ka shkaktuar ndaj popullsisë civile të Gazës për një periudhë të gjatë kohore. Izraeli është ende pjesë e garave të UEFA-s. Ne duhet të merremi me këtë. Po e ndjekim nga afër situatën me FIFA, UEFA dhe autoritetet norvegjeze“, citohet presidentja e Federatës.
Klaveness theksoi se deklarata e saj ishte në përputhje me pozicionin e qeverisë norvegjeze, e cila ka kërkuar sanksione kundër Izraelit në skenën ndërkombëtare dhe ka vendosur sanksione ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor. Në maj, Norvegjia u bë një nga tre shtetet evropiane, përfshirë Irlandën dhe Spanjën, që e njohu zyrtarisht shtetësinë palestineze.
Norvegjia ka qenë një kritike e ashpër i Izraelit që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas gati 15 muaj më parë, kur grupi terroristik palestinez hyri në Izrael dhe masakroi më shumë se 1,200 civilë dhe rrëmbeu më shumë se 260 të tjerë duke nxitur një kundërpërgjigje të ashpër.
Presidentja e Federatës Norvegjeze të Futbollit
Megjithatë, nuk ka ende një deklaratë si dhe vendimmarrje zyrtare nga Federata norvegjeze për të bojkotuar ndeshjet me Izraelin, të planifikuar në mars dhe tetor 2025.
Në fund të deklaratës së saj, presidentja norvegjeze theksoi se “të gjithë e kanë të qartë përgjegjësinë për të mbrojtur dhe respektuar ndeshjet e futbollit dhe lojtarët e të dyja skuadrave”.
Deklarata e presidentes norvegjeze është e lidhur me një kërkesë zyrtare të iniciuar nga Federata Palestinase e Futbollit pranë FIFA për përjashtimin e Federatës Izraelite të Futbollit. Në muajin mars, avokatët e federatës palestineze pretenduan “shkelje sistematike të statutit të FIFA-s nga kolegët izraelitë duke toleruar racizmin, duke shërbyer si mjet për aneksimin izraelit të territoreve të pushtuara dhe duke inkurajuar gjenocidin e vazhdueshëm në Gaza”. Deri tani kjo kërkesë nuk është shqyrtuar nga FIFA duke ngjallur debate mes federatave antare.
Ky pretendim i palestinezëve mbështetet mbi shembujt e mëparshëm të vendimmarrjeve të FIFA, siç është rasti i Federatës së Futbollit të Afrikës së Jugut, e pezulluar në vitin 1961 për shkak të politikës së aparteidit të vendit, si dhe Jugosllavisë së penalizuar në 1992 pas sanksioneve të Kombeve të Bashkuara. Së fundmi, në vitin 2022, si FIFA ashtu edhe homologu i saj evropian UEFA, vepruan me shpejtësi për të pezulluar ekipet ruse nga garat e tyre pas pushtimit të Ukrainës.
Federata Palestineze e ka mirëpritur reagimin e Klaveness, duke vlerësuar kërkesën e saj “që FIFA të hetojë shkeljet e Izraelit para ndeshjeve kualifikuese të Kupës së Botës.” Presidentja norvegjeze është bërë një emër i dashur për rajonin kur ajo ishte një nga zërat aktivë në Kongresin e FIFA që i parapriu kampionatit botëror të Katarit në 2021, duke denoncuar shkeljet e të drejtave të punës dhe kushtet çnjerëzore të punëtorëve që ndërtonin stadiumet.
Bazuar në deklaratat e deritanishme dhe vendimet zyrtare, Federata Norvegjeze e Futbollit nuk ka vendosur ende të bojkotojë ndeshjet eleminatore ndaj Izraelit për Kupën e Botës 2026.