MERXHAN DACI

Shqipëria ka 197 raste pozitive të konfirmuar me koronavirusin e ri COVID-19 që prej datës 9 mars kur u identifikuan dy rastet e para. Numri i testimeve totale deri tani është 1325. Megjithatë institucionet shëndetësore në Ballkan ende nuk po bëjnë testime masive dhe kjo ka sjellë ankesa në disa vende.

————————————————————————————————————————————————————-

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha në 16 mars se shtetet duhet të testojnë sa më shumë persona për të shkëputur zinxhirin e COVID-19.

Mënyra më efektive për të parandaluar infeksionet dhe për të shpëtuar jetë është thyerja e zinxhirëve të transmetimit. Dhe për ta bërë atë, ju duhet të testoni dhe izoloni. Ju nuk mund të luftoni me një zjarr të hapur. Dhe ne nuk mund ta ndalojmë këtë pandemi, nëse nuk e dimë se kush është i infektuar. Kemi një mesazh të thjeshtë për të gjitha vendet: testoni, testoni, testoni. Testoni çdo rast të dyshuar”, tha ai.

ZV/Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha për News 24 sot (28 mars) se kampioni i përzgjedhur nuk është kampion i vogël dhe se po ndiqet protokolli i OBSH për testimet duke shtuar se autoritetet po gjurmojmë shumë kontakte për të shkëputur zinxhirin e virusit.

Të dhënat e përgjithshme për koronavirusine e ri COVID-19 në Shqipëri

Numri i testimeve në Shqipëri

Shqipëria ka testuar që prej 9 marsit 1325 persona. Numri më i madh i testimeve ka qenë në 13 mars kur gjithsej për një ditë janë kryer mbi 159 testime.

Numri i testimeve pas asaj dite ka rënë dhe ka vazhduar të jetë konstant për disa ditë për të arritur në 79 testime në 28 mars.

Ditët e fundit është vërejtur një ulje e lehtë e rasteve të identifikuara me COVID-19, por sipas zv/ministres Rakacolli kjo nuk tregon ende një lajm të mirë dhe optimist.


Numri i testimeve në rajon

Kosova ka testuar gjithsej 991 persona për koronavirusin e ri COVID-19. Nga ky numër testimesh, 86 persona janë identifikuar me virus.

Kosova ka po ashtu një bilanc, jo aq negativ sa Shqipëria sa i përket humbjes së jetëve. Në Kosovë deri më tani ka vetëm një viktimë.

Serbia deri në datë 28 mars ka testuar 2086 persona për koronavirusin e ri COVID-19. Deri më tani 659 qytetarë serbë kanë rezultuar pozitivë me virus ku 10 prej tyre kanë humbur jetën.

Në Maqedoninë e Veriut deri në 26 mars ishin testuar afro 1900 persona për koronavirus . Deri më tani 241 qytetarë maqedonas kanë rezultuar pozitivë ku 4 prej tyre kanë humbur jetën.

Kritikat mbi mungesën e testimeve

Kritika dhe debate ka pasur në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi për mungesën e testimeve në numër të madh për koronavirusin e ri COVID-19.

Shqipëri opozita ka thënë se autoritetet e shëndetësisë nuk po i ndjekin porositë e dhëna nga OBSH për sa më shumë testime.

Ajo që kemi vënë re është ulja e numrit të personave që testohen krahasuar me fillimin e javës së kaluar. Mënyra sesi po vepron Shqipëria shkon në kundërshtim me porositë e dhëna nga OBSH, e cila këshillon qeveritë për protokollet që duhet të ndjekin për të minimizuar përhapjen e sëmundjes”.

Kosovë opozita ka thënë mungesa e testimeve tregon numër jo real të të infektuarve.

Duhet të bëhen testimet e shpeshta. Kosova nuk po arrin t’i bëjë këto testime. Unë jam i brengosur që mungesa e testimeve mund të krijojë një hapësirë më të madhe që virusi të shpërndahet”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismalili.

Edhe në Serbi ka pasur kritika për numrin e ulët të testimeve.

Mjekët kinezë që erdhën në Serbi për të ndihmuar në luftimin e pandemisë së koronavirusit COVID-19 thanë të mërkurën se testimi duhet të bëhet në një shkallë masive për të parandaluar përhapjen e tij.

Në Serbi u testuan për 24 orët e fundit 371 persona dhe 131 prej tyre rezultuan pozitivë.

Sipas të dhënave që “Faktoje” ka për Maqedoninë e Veriut, testimet kanë qenë të mjaftueshme dhe nuk ka pasur ndonjë kritikë domethënëse mbi numrin e testimeve.

Në Maqedoninë e Veriut ka pasur një debat mbi testet që ofron shteti të cilat janë më të shtrenjta (diçka më pak se 100 euro) sesa testet në klinika private të cilat kushtojnë pak më shumë se 20 euro. Për shkak të kësaj, partia opozitare VMRO-ДПМНЕ kritikon qeverinë.

Foto kryesore: Independent Balkan News Agency

LEXO EDHE: https://faktoje.al/qeveria-mjaftohet-me-masat-drastike-obsh-ja-kerkon-me-shume-teste-ndaj-covid-19/