Pretendimi: Zyrtarët kinezë nxorrën jashtë nga konferenca e shtypit ministren gjermane

Verdikti: E pavërtetë

Marrëdhëniet diplomatike mes Gjermanisë dhe Kinës nuk janë në ditët më të mira të tyre, por megjithatë, ministrja e jashtme Annalena Baerbock nuk u përzu nga zyrtarët kinezë gjatë vizitës së fundit.

Ky pretendim mbështetet mbi një video që po qarkullon së fundi në rrjetet sociale, ku shfaqet Baerbock dhe një zyrtar kinez, i cili prezantohet si kreu i parlamentit kinez, duke u larguar nga një konferencë shtypi. Zyrtari shtrin fillimisht dorën drejt derës dhe më pas vihet re se ngre gishtin tregues në drejtimin e daljes.

Duke verifikuar më tej sekuencën e videos që mbështet versionin e një incidenti diplomatik, zbulojmë se pamjet janë shkëputur nga takimi i Baerbock në prillin e vitit 2023 me ministrin e jashtëm kinez Qin Gang. Në përfundim të konferencës, ku merrnin pjesë edhe gazetarë gjermanë, ministri Gang, sipas protokollit, e fton homologen gjermane që të dalin nga salla e konferencës. Nuk vihet re në pamjet e analizuara ndonjë shenjë acarimi apo tensioni në sjelljen e të dy ministrave. Tundja e gishtit tregues të zyrtarit kinez shoqërohet me një qeshje në pamjen e tij dhe veprime që nuk ngjallin dyshim për ndonjë kërcënim apo tension.

Ministri Gang nuk vijoi më detyrën e tij pas korrikut 2023 duke konfirmuar edhe njëherë se video që po ndahet së fundi në rrjet nuk i përket vizitës së javës së fundit të Barbock në Kinë.

Sipas Euroneës që ka konstatuar këtë manipulim të videos në katër gjuhë në platforma të ndryshme, Baerbock zhvilloi në 2 dhjetor 2024 një takim pune me ministrin e jashtëm kinez Wang Yi.

Gjatë kësaj vizite, raportohet se kryediplomatja gjermane shprehu shqetësimin për mbështetjen që po i jep Kina armatimit të ushtrisë ruse për luftën në Ukrainë si dhe subvencionet qeveritare për mjetet elektrike kineze, që po vendosin në vështirësi prodhuesit e makinave elektrike në Gjermani dhe Evropë.

Pavarësisht shijes së keqe që mund të kenë krijuar këto deklarata të mikes gjermane, edhe ministri i ri i jashtëm kinez nuk shfaqi ndonjë shenjë tensioni përpara kamerave përtej kornizës të protokollit diplomatik.