Pretendimi: Kryeministrja Meloni u zotua se do ta bëjë Rusinë të dorëzohet
Verdikti: E pavërtetë
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni nuk ka hezituar të kundërshtojë publikisht presidentin francez Emanuel Macron për deklaratat e tij të gatishmërisë së Evropës për të dërguar trupa ushtarake kundër Rusisë. Përkundër këtij qëndrimi, më 16 qershor, në Facebook është publikuar një video e Melonit duke deklaruar me vendosmëri se “Nëse Rusia nuk i pranon kushtet tona, ne do ta detyrojmë atë të dorëzohet”.
Video ka qarkulluar edhe tek përdoruesit shqiptarë, një prej të cilëve, duke ndarë një foto të Melonit me presidentin ukrainas Zelensky shkruan: O tempora, o mores. Kush i drejton popujt e Evropës”. Postimi ka marrë dhjetra komente që vënë në lojë mundësitë e Italisë për të përballuar një superfuqi si Rusia në një përballje të mundshme.
Postimi pas lajmit për kërcënimin e Melonit ndaj Rusisë
Nëpërmjet kërkimit në motorin e Google Image zbulojmë videon e plotë dhe origjinën e kësaj deklarate të Melonit në fjalën e mbajtur prej saj gjatë samitit për paqen në Ukrainë, i zhvilluar në Stansstad, Zvicër më 15 dhe 16 qershor 2024.
78 vende pjesëmarrëse në Samit, duke përfshirë Italinë dhe SHBA-në, mbështetën një komunikatë të përbashkët që insistonte në “integritetin territorial” të Ukrainës si bazën e një marrëveshjeje paqeje. Kjo formulë nuk pranohet nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili dëshiron që Ukraina të dorëzojë katër rajone të aneksuara nga Moska në vitin 2022 dhe të heqë dorë nga planet e saj për t’u bashkuar me NATO-n, raportoi Associated Press.
Në fjalimin e saj në anglisht, Meloni kujtoi ndihmën që Ukraina ka marrë nga komuniteti ndërkombëtar përpara se të thoshte: “Nëse Ukraina nuk do të kishte mbështetjen tonë dhe për këtë arsye do të ishte detyruar të dorëzohej, sot ne nuk do të ishim këtu për të diskutuar kushtet minimale për një negocim”. Nuk pati në asnjë moment tjetër të fjalimit të saj ndonjë pretendim për dorëzimin e Rusisë, ashtu siç është keqintepretuar në rrjet.
Video e shkëputur nga fjalimi dhe që po qarkullon në rrjet, bazohet në një përkthim simultan të fjalës së Melonit në gjuhën ukrainase. Në gjuhën ukrainase, Meloni është përkthyer sikur ka thënë “Ne do ta detyrojmë Rusinë të dorëzohet”. Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse ky ka qënë një gabim në përkthim apo diçka e qëllimshme.
I njëjti pretendim është verifikuar edhe nga kolegët tanë italianë të Facta.it.