Pretendimi: Zbulohet kush është i dashuri i ri i Xhensila Myrtezaj
Verdikti: I pavërtetë
Ndarja e dy personazheve publike si Xhensila Myrtezaj dhe Besart Kallaku është një prej historive më të komentuara të muajve të fundit. Pasi ky divorc u bë publik, mediat rozë po përpiqen të tërheqin tashmë klikime duke lajmëruar gjetjen e partnerëve të rinj të yjeve të ekranit.
E tillë është dhe një video që po qarkullon me shpejtësi në portale dhe rrjetet sociale, duke pretenduar se shfaq këngëtaren Xhensila Myrtezaj duke u puthur në skenë me një partner mashkull.
Në mbishkrimin e pamjeve shkruhet: “Zbulohet I dashuri i Xhensilës“, duke nxitur aludime dhe spekulime të shumta. Video ka marrë mijëra klikime dhe shumë komente, një pjesë e të cilëve kritikojnë publikun që paragjykon këngëtaren për zgjedhjet e saj personale.
Megjithatë, ka dhe disa komentues që janë dyshues për vërtetësinë e videos, duke vënë në dukje se vajza në video nuk ka një tatuazh në dorën e djathtë njëjtazi si Xhensila.
Për të verifikuar këtë dyshim, nëpërmjet motorrit të kërkimit Google Lens, zbuluam se video është shkëputur nga një koncert i dy këngëtarëve të huaj. Më konkretisht, vajza e shfaqur në video është modelja dhe influecerja me origjinë serbe, Teodora Popovska. Shfaqjet e saj muzikore janë kryesisht në shoqërinë e këngëtarit të njohur si Relja Torinno, që duhet se është edhe djali që ajo puth në videon e bërë virale në Shqipëri.
Kjo ngjarje thekson rëndësinë e verifikimit të burimeve para se të pranojmë informacionin si të vërtetë, veçanërisht në një kohë kur mediat sociale janë një burim kryesor i lajmeve.