Pretendimi:  Ivermectina lufton kancerin, por autoritetet e kanë hequr nga tregu

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————-

Një postim në rrjetet sociale shpërndan informacionin se Ivermectin, një medikament antiparazitar për kafshët, është një kurë e suksesshme kundër kancerit, por autoritetet e kanë tërhequr nga tregu. Ky pretendim është në linjë me mbështetësit e teorisë se kompanitë farmaceutike gjigande nuk dëshirojnë që të trajtohet sëmundja e kancerit për të vijuar shitjen e medikamenteve të tyre. 

Në fakt, kemi të bëjmë me dy informacione të pasakta.

Së pari, Ivermectina është licencuar si një mjekim për të trajtuar infeksione të ndryshme parazitare. Gjatë pandemisë së COVID-19, ajo mori vëmendje të madhe në momentet që ende nuk ishte zbuluar një trajtim nga shkenca si një kurë ndaj Covid.

Përsa i përket rolit të saj për trajtimin e kancerit, disa studiues besojnë se ivermectina mund të jetë premtuese kur përdoret në kombinim me barna të tjera dhe po kryejnë studime të mëtejshme. Megjithatë është ende herët për të arritur në rezultate të sakta.

Në një deklaratë për kolegët e verifikimit të fakteve të AP, Dr. Peter P. Lee, drejtues i departamentit të imuno-onkologjisë në Qendrën e Kancerit City of Hope në Kaliforni, shpjegon se po studion përdorimin e ivermectin në kombinim me një antitrup specifik, të referuar si anti-PD1, për trajtimin e kancerit të gjirit – me rezultate pozitive në testet ndaj minjve. Lee dhe studiuesit e tjerë po kryejnë një provë klinike te njerëzit. “Sigurisht që në vetvete ivermectin nuk është një kurë apo edhe një trajtim efektiv për kancerin e gjirit,” tha Lee.

Edhe pse kërkimet mbi përdorimin e ivermectinës në terapinë e kancerit janë të vlefshme, paraqitja e saj si një kurë magjike është tërësisht mashtruese. Kërkimi shkencor është thelbësor për përparimin e trajtimeve të kancerit, por është po ashtu e rëndësishme të dallojmë midis kërkimeve eksperimentale dhe praktikave mjekësore të miratuara.

Në lidhje me pretendimin se ivermectina është tërhequr nga farmacitë nga autoritetet shtetërore, rezulton se ky bllokim ka lidhje me besimin e një trajtimi të suksesshëm gjatë pandemisë së Covid -19. Pas këtyre zërave për efikasitet të medikamentit, u konstatuar një rritje e recetave dhe blerjeve në farmaci.

Në gusht 2021, Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dërguan një këshillë shëndetësore që paralajmëroi mjekët dhe publikun për “rritje të shpejtë” të recetave për ivermectin dhe një rritje të raporteve në qendrat e helmimit për sëmundje të rënda të shkaktuara nga ilaçi. Disa njerëz që morën doza më të larta se të rekomanduara ose përdorën formulat e parashikuara për trajtimin e kafshëve me këtë antiparazitar zhvilluan simptoma neurologjike dhe disa u shtruan në spital.

Si rrjedhojë, autoritetet shëndetësore kërkuan kontrollin më të fortë të përdorimit të këtij medikamenti. E njëjta situatë kaotike me përdorimin e antiparazitarit ka gjasa që të vijojë tashmë që po flitet si një kurë ndaj kancerit.